1 Maji shënohet me protestë të punëtorëve në Prishtinë

Prishtinë, 1 maj 2018 – Dita Ndërkombëtare e Punëtorëve, 1 Maji, në Kosovë u shënua edhe me protesta, të cilat u organizuan nga Bashkimi i Sindikatave të Pavarura të Kosovës (BSPK).

Qindra punëtorë morën pjesë në protestën që u mbajt në Prishtinë, kundër shkeljes së të drejtave të punëtorëve të garantuara me ligjet në fuqi.

Protestuesit marshuan nga Sheshi Zahir Pajaziti në drejtim të Sheshit Skënderbeu, duke fishkëllyer në shenjë proteste për shkeljen e të drejtave.

Ata bartnin pankarta me mesazhe për institucionet shtetërore dhe për punëdhënësit, si: “Qeveri boll mo! Zbato ligjet”, “Për shoqëri të lirë dhe të barabartë”, “Nivelizoni pagat”,             “Duam punë dhe paga të dinjitetshme”, “Kërkojmë pagesën e rrezikshmërisë në punë”, “STOP presionit ndaj punëtorëve”, etj.

Protestuesve iu drejtua me një fjalë të shlurtër kryetari i BSPK-së, Avni Ajdini.

Ai theksoi se ptrotestuesit përcjellin te Qeveria dhe institucioneve shtetërore kompetente mesdazhet e të gjithë punëtorëve kosovarë.

“Ne sot jemi unikë, ne sot jemi së bashku, të gjitha federatat sindikale, të gjithë punëtorët. Ndonëse këtu nuk jemi shumë në numër, ne përcjellim mesazhin e të gjithëve: Të zbatohet ligji, të ngritet paga minimale në 250 euro, të zbritet përvojas për skemën pensionale në 10 vite, të njihet përvoja e punës e viteve të 90-ta”, tha ndër të tjera Ajdini.

Gjatë protestës u kërkua respektimi i të drejtave të punëtorëve, respektimi i orarit të punës, ngritja e pagës minimale dhe mbrojtja shëndetësore dhe mbrojtja në punë e punëtorëve, si në sektorin publik ashtu edhe në sektorin privat.

Gjatë protestës, para ndërtesës së Qeverisë së Kosovës, u dha një instilacion me titull “Beyond the Wall’, kushtuar 24 punëtorëve që e kanë humbur jetën në vendet e tyre të punës, gjatë 24 muajve të fundit. (r.m.) 

Comment

*