1 në 5 vetë e ka kaluar COVID-19 në New York City?

Rezultatet nga testimi me anti-trupa i 3,000 banorëve në New York tregon se 21% e qytetit mund të ketë fituar imunitet ndaj sëmundjes.

 

Nga Ruben Avxhiu

Këto ishin të dhënat paraprake të një studimi që nuk ka mbaruar ende, të deklaruara sot, nga Guvernatori Andrew M. Cuomo, në konferencën e tij të përditshme për median
Nëse të testuarit për anti-trupa janë vërtet një masë përfaqësuese e popullsisë, atëhere është e mundshme që deri në 2,7 milionë njujorkezë të jenë infektuar, shumica e tyre pa e ditur.
Një tjetër përfundim, nëse kjo është e vërtetë do të ishte që përqindja e vdekjeve është shumë shumë më e vogël sesa është menduar deri tani.
Megjithatë është ende shpejt për të filluar ndryshime për të rihapur ekonominë (se me gati 3 milionë vetë tashmë deridiku të imunizuar, kjo do të ishte shumë e mundshme).
Problemi është te besueshmëria e këtij eksperimenti. Sa të besueshme e të sakta janë testimet për anti-trupa që u përdorën këto ditë në New York City. Ato janë prodhuar në Kinë dhe nuk janë aprovuar nga FDA-ja amerikane (Administrata Federale e Barnave). Shumë zyrtarë të shëndetësisë i kanë cilësuar si thellësisht të mangëta. Ndërkohë shumë studjues dhe laboratore në New York po punojnë për versione të tjera testesh që duan të aprovohen nga FDA.
Testi i antitrupave është një mjet i domosdoshëm tani. Nuk dihet kur gjendet një ilaç apo një vaksinë për këtë sëmundje që ka marrë shumë jetë njerëzish e që po të përhapet me shpejtësi mund të përmbytë kapacitete mjekësore të qyteteve e vendeve të ndryshme. Mirëpo, nëse identifikohet se kush e ka kaluar sëmundjen dhe ka anti-trupa e deridiku imunitet ndaj virusit, ata mund të rifitojnë lirinë, të dalin nga shtëpitë, nga izolimi, të rifillojnë jetën normale e të rindezin ekonominë e vendit nga e cila përfitojnë të gjithë.
Kjo kuptohet nuk mund të ndodhë pa testime të besueshme dhe pa një lloj sigurie se imuniteti është afatgjatë, se sëmundja nuk rikthehet. Megjithë debatet për besueshmërinë e këtyre 3,000 testeve të para, besimi se të infektuarit e të shëruarit janë shumë më tepër sesa mendohet ka kohë që qarkullon dhe se kjo provë në New York ka të njëjtat rezultate me ato të provave të ngjashme në SHBA e në botë, ku del se virusi është përhapur në popullatë më herët se sa kur e kanë vënë re autoritetet dhe shumë më gjerësisht se sa kanë shifrat zyrtare.

 

Në rang shteti, përqindja e të infektuarve sipas këtyre testimeve është 14%

Sipas zonave

New York City 21%

Long Island 16.7%

Ëestchester dhe Rockland 11%

Pjesa tjetër e 3.6%

Comment

*