10.5 milionë euro fitim koncesionari për investimin 60 mln euro për shkollat e kryeqytetit

Sipas skemës së PPP-ve, koncesionari e bën investimin dhe më pas ai do paguhet me këste vjetore brenda 7 viteve

Vlera e përgjithshme e projektit të partneritetit publik privat për ndërtimin e 17 shkollave të reja në kryeqytet është 8. 8 miliardë lekë, nga të cilat, 814 milionë lekë janë shpronësime që do të paguhen direkt nga Bashkia Tiranë te të shpronësuarit dhe 7.99 miliardë lekë është vlera e koncesionit.

Nga shuma e koncesionit prej gati 8 miliardë lekësh, (rreth 60 milionë euro), fitimi i koncesionarit do të jetë 1.4 miliardë lekë, apo rreth 10.5 milionë euro për një periudhë 7 vjeçare, me një marzh fitimi prej rreth 18%.

Të dhënat e detajuara janë paraqitur në studimin e fisibilitetit të hartuar nga Bashkia Tiranë për përmirësimin e infrastrukturës arsimore.

Kostoja direkte e investimit, pra ndërtimi dhe vënia në funksion e shkollave është përllogaritur në bazë të preventivave, të cilat përfshijnë dhe marzhin e fitimit të kontraktorit.

Nga ana tjetër, duke qenë se koncesionari, për vlerat e investuara për këtë qëllim, do të mbulohet në harkun kohor të 7 viteve, minimalisht, duhet të rimbursohet për vlerën në kohë të parasë, si dhe për pjesën e mirëmbajtjes së zakonshme dhe të jashtëzakonshme për këtë periudhë.

Për këtë arsye si marzh fitimi Bashkia ka marrë si tavan normën mesatare të obligacioneve të qeverisë shqiptare, për obligacione 7 vjeçare fikse, përkatësisht rezultatet e obligacioneve 7 vjeçare nga viti 2015 deri në 15.09.2016, me një normë prej 6.28%.

Bashkia thotë se ka zgjedhur metodën e partneritetit publik-privat, pasi ajo nuk mund ta bëjë njëherësh investimin në 17 shkolla.

“Kosto e ndërtimit të këtij projekti është rreth 84% e buxhetit faktik të Bashkisë dhe në rast se do ta financonte atë, Bashkia jo vetëm që nuk do mund të ofronte asnjë shërbim tjetër, por nuk do të mund të mbulonte as pagat e punonjësve të saj”, thuhet në relacion.

Sipas skemës së PPP-ve, koncesionari e bën investimin dhe më pas ai do paguhet me këste vjetore brenda 7 viteve.

“Përmes kësaj skeme, jo vetëm që sigurohet ndërtimi i 17 shkollave në kohë rekord, duke zgjidhur minimalisht çështjen e arsimimit me turne, dhe mbipopullimit të klasave, por duke qënë se të gjitha risqet për mirëmbajtjen dhe përdorimin me kujdes të asetit do të jenë në ngarkim të  koncensionarit, dhe të lidhura dhe me pagesat, kjo do të bëjë që të kemi ndërtime cilësore në dobi të komunitetit”, thuhet në relacion.

Koncensionari do të paguhet përmes kësteve vjetore zbritëse. Kjo mënyrë pagimi do të bëntë që koncesionari të mos vendosej në vështirësi financiare të mëdha gjatë gjithë periudhës së zgjatjes së kontratës së koncensionit.

Në vitin e parë kësti do të jetë 1,288,021,874 lekë dhe pas çdo viti do të ulet gradualisht, deri në 996,983,257 lekë në vitin e fundit (shiko tabelën në fund: Shuma e këstit vjetor).

Sipas relacionit, kosto e ndërtimit të një shkolle, në varësi të tipit varion nga 185 milionë lekë (pa ambiente të kopshtit), deri në 376 milionë lekë.

Si do mbulohen shpenzimet

Shpenzimet e koncesionit do të mbulohen përmes të ardhurave të Bashkisë, dhe Granteve të Kushtëzuara që Ministria financave do të japë për këtë projekt.

Të ardhurat e Bashkisë së Tiranës për këtë projekt, do të gjenerohen nga Taksa e Përkohshme për Infrastrukturën Arsimore, e cila është vendosur në zbatim të Vendimit të Këshillit Bashkiak nr. 59, datë 30.12.2015, “Për sistemin e taksave dhe tarifave vendore për qytetin e Tiranës”.

Të ardhurat nga Taksa e Përkohshme për Infrastrukturën Arsimore janë planifikuar të jenë 870 milionë lekë në vitin 2016, ndërkohë që këto të ardhura parashikohet të rriten në 940 milionë lekë në vitin 2017 dhe 1 miliard lekë në vitin 2018.

Kjo taksë e përkohshme është vendosur për një periudhë 7 vjeçare dhe për vitet 2019-2022, të ardhurat vjetore parashikohet të jenë rreth 1 miliard lek.

Të ardhurat nga transferta specifike nga Ministria e Financave do të jenë në masën 700 milionë lek në vit. Në këtë mënyrë, fondi në dispozicion të Bashkisë Tiranë për kryerjen e pagesave periodike parashikohet të jetë rreth 1 miliard e 700 milion lekë në vit.

monitor.al

Comment

*