10 vjet, Kosova e pavarur

Nga Ruben Avxhiu

Festa e Kosovës së pavarur është festimi dhe respektimi i një historie të madhe mbijetese. Këtë javë bëhen 10 vjet që kur Kosova shpalli mëvetësinë e saj nga Sebenrbia duke mbyllur një nga kapitujt më tragjikë në historinë e Europës.
Këtë javë përkutjojmë një arritje të madhe të shqiptarëve që kurorëzuan një shekull qëndrese të jashtëzakonshme. Është një arritje që brezat e Azem e Shote Galicës, Shaban Polluzhës e heronjve të tjerë kombëtarë as që mund ta ëndërronin.
Shpërbërja e dhunshme e Jugosllavisë solli një sprovë historike për shqiptarët. Troje të ndryshme patën fate të ndryshme, po sot mund të thuhet se një epokë e re ka lindur, fundi i të cilës është ende shpejt për ta imagjinuar.
Në vitin 1999, vuajtjet dhe përpjekjet e popullit shqiptar të Kosovës u shpërblyen. Pas fushatës së jashtëzakonshme të sensibilizimit ndërkombëtar nga Lidhja Demokratike e Ibrahim Rugovës, luftës trimërore të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe ndërhyrjes ushtarake të NATO-s, Kosova u çlirua nga pushtimi gati njëshekullor.
Plot 10 vjet më parë, në 17 shkurt 2008, në koordinim me vendet më të zhvilluara të botës, Kosova shpalli pavarësinë e saj. Të dyja ngjarjet u festuan nga shqiptarët në mbarë botën. Sa me fat ata burra e gra të brezave të mëparshëm që jetuan aq gjatë sa për të parë mrekullinë e këtij ndryshimi. Një mrekulli që moshat më të reja për fat të keq do ta marrin si diçka normale dhe të pashmangshme. Në fakt, ajo ndodhi përkundër të gjitha gjasave.
Shqiptarët e Amerikës kanë të drejtë që gëzojnë e ndjehen krenarë në këtë 10-vjetor. Ndihma e tyre ka qenë vendimtare në këtë arritje historike. Kur bashkësia jonë këtu në SHBA filloi lobimin e saj për këtë kauzë, emri Kosovë nuk do të thoshte asgjë për shumicën e politikanëve, diplomatëve dhe ekspertëve amerikanë e ndërkombëtarë.
Brenda pak vitesh, ne krijuam miq të vyer në Uashington, mbështetës të vendosur, njerëz parimorë e të talentuar. Shqiptarët nuk gënjyen e blenë askënd. Ne treguam vetëm të vërtetën. Po nganjëherë që të dëgjohet e vërteta, nevojiten punë e sakrifica. Sa e sa shqiptarë shpenzuan paratë e vëna mënjanë me djersë dhe mund, në emër të një kauze më të madhe se jeta e tyre e përditshme. Edhe sot, Kosova vijon të ketë miqtë e saj më të mëdhenj mes komunitetit shqiptar të Amerikës.
Pa rolin udhëheqës të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, nuk do të ndodhte ndryshimi i qendrimeve të komunitetit ndërkombëtar për Kosovën. Nuk do të kishte ndodhur dënimi publik i veprimeve të Serbisë, ndërhyrja ushtarake, periudha kalimtare e ndërtimit të institucioneve dhe njohja e pavarësisë nga më shumë se 100 vende të botës dhe institucioneve më të mëdha financiare, sociale, artistike e sportive të botës.
Sfidat e Kosovës nuk kanë mbaruar. Asnjë njeri i arsyeshëm nuk ka premtuar se pavarësia do të sillte me doemos mirëqënie, demokraci, e drejtësi. Sa e sa njerëz kanë abuzuar me lirinë e re, me vuajtjen dhe sakrificën për t’u pasuruar personalisht, për shitur të ardhmen e Kosovës për të mbushur xhepat e tyre. Sa e sa kanë siguruar jetë luksoze në kurriz të qindra-mijërave që vuajnë. Sa ende e përçajnë dhe dëmtojnë Kosovën me pasionet e tyre ektreme ideologjike e fetare, me fantazitë politike të parakohshme apo të dala kohe e boje. Sa e kanë sakrifikuar apo janë gati ta sakrifikojnë Kosovën për postet e tyre, partitë e tyre, klanet e tyre, fiksimet e tyre.
Kosova ka shumë rrugë për të bërë dhe rrëzimet, shtrembërrimet dhe krimet e kësaj dekade të fundit, nuk mund të errësojnë rëndësinë e këtij përvjetori. Shumë prej tyre do të ndodhnin edhe nëse nuk do të kishim pavarësinë. Prandaj të gëzojmë pa vrasje ndërgjegje sot. Historia do ta kujtojë këtë ditë edhe kur të mos jemi më, si kurorëzimin e një historie qendrese të pabesueshme. Për hir të atyre që dhanë gjithshka për këtë ditë. Gëzuar!

One Response to “10 vjet, Kosova e pavarur”

Read below or add a comment...

  1. Veterinari i Parlamentit Kosovar says:

    Shkrim shum real per rolin e AMERIKES ne lirine dhe pavaresine e Kosoves..

    Por sot shum politikan te Kosves jane absolutisht jomirenjohes ndaj SHBA…….e sidomos secili prej tyre qe e refuzoi edhe Joseph Bidenin i cili u sugjeroi ahmakeve te parlamentit qe te ratifikoj e vijen kufitare ekzistuese…

Comment

*