10-vjetori i pavarësisë së Kosovës, në Filadelfia

Nga Tajar Domi

Tashmë, përkujtimi dhe festimi i shpalljes së pavarësisë të Kosovës dhe i krijimit të shtetit të saj, është shëndruar në një traditë nga komuniteti shqiptar në qytetin e Filadelfias. Në Qendrën Social-Kulturore të këtij komuniteti, çdo 17 shkurt, prej dhjetë vitesh, ka gjallëri, ndërsa në fytyrat e bashkatdhetarëve ndjehet gëzim i madh, tek i shikon ata të bisedojnë me njëri- tjetrin duke treguar episode të kujtimeve të atyre ditëve të vështira por krenare, të luftës për çlirim. Kështu do të ishte edhe ky përvjetor i sivjetëm. Shoqata Atdhetare – Kulturore “Bijtë e Shqipes” që bashkon në këtë emër komunitetin tonë shqiptar këtu, organizoi veprimtarinë me karakter historik e kombëtar “ 10 VJET KOSOVË E PAVARUR”. Asnjëherë nuk mungojnë referuesit e temave të ndryshme me një nivel të lartë shkencor. Por këtë vit u mendua dhe u organizua disi ndryshe në këtë aspekt. U ftuan për tu dëgjuar bashkatdhetar nga Kosova, të cilët do të sillnin kujtimet reale të përjetuara të atyre viteve ku përndjekjet, persekutimet, vrasjet masive dhe dëbimet e shqiptarëve nga vatrat e tyre prej regjimit të Milosheviçit, sollën reagimin dhe organizimin e luftës për çlirim të shqiptarëve në Kosovë.

Pas hapjes se veprimtarisë dhe evidentimit të rëndësisë së kësaj date që së bashku me 28 Nëntorin, përbëjnë datat e kurorëzimit të luftës së shqiptarëve për pavarësi, në shekuj dhe jo në vite apo dekada, kryetari i kësaj shoqate ja dha fjalën zotit Lumni Shurdhiqi. Lumniu, kishte ardhur bashkë me familjen dhe miq të tij, ashtu si edhe vitin e kaluar. Ai është me origjinë nga Mitrovica, që ndërpeu studimet e larta në Prishtinë në ato vite të zjarrta dhe erdhi këtu në Amerikë duke mbart me vete shpirtin dhe ndjenjën atdhetare. Së bashku me bashkëshorten e tij, zonjen e nderuar Sahadete, për katër vite rresht udhëtuan rreth dy orë çdo të dielë, me tre vajzat e tyre për të ndjekur shkollën shqipe “Gjuha Jonë”, ku e mësuan atë si dhe morën shumë njohuri nga historia e kultura jonë kombëtare. Prandaj për pjesëmarrësit ishte privilegj të ndiqnin atë në këtë mbrëmje, ku Lumniu solli përveç kujtimeve të tij edhe mjaft mendime e kritika të asaj çfarë ndodhi në Kosovë pas luftës deri më sot.

Duke bërë një përshkrim të shkurtër të historikut të lëvizjeve për clirimin e Kosovës që në fillimin e viteve ’90 e në vazhdim me luftën e UÇK-së, z. Shurdhiqi u ndal në vlerësimin e figurave kryesore të kësaj periudhe, atë të Ibrahim Rugoves dhe te Adem Jasharit, ku midis të tjerave çitojmë : “ Vizioni i tij i qartë për atë c’ka ka dashur, vullneti i tij i hekurt dhe besimin që i dha populli Ibrahim Rugovës, e bëri atë figurën kryesore të përgatitjes së luftës për çlirim. Sot, pas një periudhe kohe dyshuese, kjo është fare e qartë nga të gjithë”. …Ndërsa krahu i luftës së UÇK-së po organizohej me shpejtësi, dhe në këtë mes … “legjenda shqiptare e familjes Jasharaj nga Prekazi i Drenicës, dhe krye legjendari i saj, Heroi i Kombit Adem Jashari, do të jenë në piedestalin e pavdekësisë së bashku me mijëra trima e trimëresha të tjerë, dëshmor të atdheut, që luftuan e ranë për Kosovën “. Folësi duke renditur edhe faktorë të tjerë që sollën fitoren e shpalljen e Kosovës së pavarur, nuk mund të anashkalonte rolin e madh të Shtetit Amë, Shqipërisë, që siç e dimë priti mbi 800 mijë vëllezër të një gjaku, të larguar me dhunë nga shtëpitë e tyre prej regjimit të Milosheviçit, organizoi e stërviti me sukses ushtarët e Kosovës në struktura të UCK-së, furnizoi ushtarakisht e me drejtues nevojat e saj. Duke kujtuar gëzimin e tij të madh të datës 24 Mars 1999 kur forcat e NATO-s bombarduan Serbinë si dhe momentin kur forcat e saj tokësore hynë në Kosovë, Lumniu thote se gëzimin e shpalljes së pavarësisë e ka përjetuar gjithashtu të tillë në fillim, por kushtëzimi dhe kompromiset e detyruara që u bënë si për simbolet kombëtare, për nevojën e bashkimit me atdheun mëmë etj, po zgjat tepër kohën kur Kosova të jetë ajo çfarë duhet me qenë.

Në vazhdim të veprimtarisë, z. Haki Çollaku nëpërmjet një materiali të gjërë freskoi njohuritë e pjesëmarrësve lidhur me shumë të dhëna demografike, të popullsisë, të pasurive mbi e nën tokë të Kosovës si dhe me ecurinë e njohjeve nga shtetet antare të OKB-së që kanë njohur atë si shtet të pavarur.Në vargjet poetike që ai thur për ngjarjen e dytë të madhe në historinë shqiptare, midis të tjerave shkruan: “Lot e gjak ka derdhë kjo tokë / Kurrënjëherë se l’shoi një “Ah”/ S’e lamë Shqipen me një kokë/ S’e lamë Shqipen me një krah”.

Me mjaft interes u ndoq nga pjesëmarrësit, fjala e nje tjetër bashkatdhetari me banim në Drenas të Drenicës, por që ndodhet prej 2 muajsh si visitor tek familja e djalit të tij Fitim Hamza, anëtar i shoqatës “Bijtë e Shqipes”. Babai i Fitimit, një burre i qetë, i përmbajtur, me kulturë dhe me jo pak veprimtari politike e atdhetare. Xhavit Hamza, kishim mësuar se punonte në sektorin e shëndetësisë, si përgjegjës i Radiologjisë në qendrën mjekësore të qytetit Drenas, i zgjedhur edhe kryetar i sindikatës së pavarur të këtij qyteti. Ai ishte themelues në shoqatës humanitare “Nëna Tereze” në Kosovë dhe kryetar i saj në Drenas, themelues dhe kordinator i shoqatës së mërgimtarëve të Drenicës, veprimtar për kulturë e sport (Hendboll –in) në Kosovë e Zvicër. Xhaviti ka qene i angazhuar si veprimtar politik i LDK-se deri në vitin 1998, më pas ka mbeshtetur luftën e UCK-së. Duke pas një përvojë jo të vogël jetësore të kësaj periudhe, me një thjeshtësi të admirueshme të tregimit të ngjarjeve por edhe me përgjigjet plot finese të pyetjeve të ndryshme, ai u mirëprit dhe u vlerësua nga të pranishmit. Pyetjes se zonjës Tatjana Vero, që bëhet jo rrallë edhe në tavolina apo biseda të ndryshme të shqiptarëve, se cili nga figurat e Kosovës luajti rol më të madh në shpalljen e pavarësisë, z. Hamza iu përgjigj : “ Ne në Kosovë, kur nisemi krushq për të marrë nusen, vendosim Flamurin para tyre. Por përpara flamurit zgjidhen tre veta që udhëheqin vargun e krushqëve : I pari të jetë i mençur e jo i ri në moshë, i dyti të jetë i pasur, ndërsa i treti të jetë trim e të dijë ta “luaj” gishtin ”. Kjo çfarë tregoi z. Hamza lidhur me këtë traditë, ajo ekziston edhe në shumë zona të Shqipërisë, kryesisht në Veri , dhe vendosja e tre burrave të zgjedhur përpara tij, ka të bëjë me cilësimin e flamurit si të shenjtë dhe që duhet mbrojtur me cdo kusht . Ishte pra një përgjigje që bashkon me të drejtë përpjekjet e arritjet e LDK-së e të presidentit Rugova në masivizimin e ndjenjës kombëtare dhe sensibilizimin e faktorit ndërkombëtar për atë çfarë ndodhte në Kosovë, me Ushtrinë Clirimtare të Kosovës si struktura luftarake goditëse ndaj pushtuesit serb dhe së bashku me forcat e NATO-s e rolin e pazëvendësueshem të SHBA, fituan luftën duke realizuar kështu pavarësinë e Kosovës dhe krijimin e një shteti të ri shqiptar. Diaspora shqiptare kudo në botë, veçanërisht ajo e Kosovës, do të ishte në treshen para Flamurit, pasi roli i saj në mbështetjen financiare dhe pjesëmarrjen e drejtë përdrejtë në luftën për çlirim, nuk mund të diskutohet.

Të tjerë pjesëmarrës që morën fjalën, si Sadik Elshani, Llazar Vero, Petrit Zanaj etj, mbështetën mendimet e te dy parafolësve duke vunë theksin tek situata e tanishme dhe punën që duhet të bëjnë qeveritë e dy vendeve tona, Kosovës e Shqipërisë, në luftën kundër korrupsionit e kriminalitetit, në sjelljen natyrshëm të bashkimit kombëtar nëpërmjet reformave në ekonomi, arsim e kulturë, si dhe në sjelljen me një platformë të përbashkët të punës me diasporën.

Disa video të përzgjedhura me historikun e luftës në Kosovë, u çfaqen përpara të pranishmëve, duke plotësuar edhe më mirë veprimtarinë e kësaj dite, në përkujtim të ditës së pavarësisë së Kosovës.

Si gjithnjë në këtë qendër, koktejli me gatime të servirura nga familjarët e komunitetit shqiptar, ishte edhe koha e bisedave të lira dhe urimeve ndaj njëri- tjetrit për këtë datë të shënuar të kombit tonë.

Filadelfia , 17 Shkurt 2018

Comment

*