100 fotografi të koleksionit “Marubi” shfaqen për herë të parë në SHBA

Sami Repishti, PhD

Sami Repishti, PhD

Ekspozita është hapur me nismën e GR Art Gallery, të çiftit Pali, në Stamford, CT dhe bashkëpunim me Muzeumin “Marubi” dhe Ministrinë e Kulturës, Tiranë

 

Stamford, CT – Te premte mbas dreke, në Galerinë e Arteve, pronë dhe inisiativë e bashkadhetarëve tonë, çiftit Z. dhe Zja George Pali, u hap ekspozita e fotografisë së mjeshtrave të mëdhaj Pietro dhe Kel Marubi, dhe e pasardhësit të tyne Gegë Marubi, pronë e “Fototekës Marubi” Shkodër, dhe e huazueme nga Galeria e Arteve të Stamfordit. Galeria hapi dyert për publikun –shqiptar dhe të huej-, me 17 mars 2017, dhe është ende në proçesin e organizimit edhe më profesional.

Kjo ekspozite “Life in Images” permban mbi 100 fotografi te koleksionit Marubi dhe shfaqet per te paren here ne SHBA. Ndermarrja ashte rezultati i një bashkepunimi ne mes te Museumit Marubi, Ministria e Kultures, Tirane, Shqiperi dhe GR Art Gallery ne Stamford, CT. GR LogoEkspozita ashte një sukses qe mundeson pamjen e nji bote fantastike te gjanave, e pame nga lenset e tre gjeneracioneve te fotografeve te familjes Marubi. Galleria GR Art Gallery ashte e vendosur ne adresen: 1086 Long Ridge Road, Stamford, CT. 06903.
Pa dyshim, ky gjest i kulturuar i çiftit Pali na mbush me gëzim dhe plotëson një nevojë të madhe: gjetjen e një lokali të përshtatshëm për njohjen e elementit shqiptar artdashës, kudo që banon ai, e që kontribuon në fushën e arteve vizuale, njeni nga të cilët ashtë edhe fotografia. Megjithëse ekspozita nuk ka ba reklamimin e zakonshëm për këte ngjarje me randësi për bashkësinë tonë shqiptaro-amerikane, vizituesit ishin të shumtë dhe pa asnjë përjashtim, entuziastë për një punë të këtillë. Për pjesëmarrësit u shtrua edhe nji buffet i pasur. Ceremonia u regjistrue nga sherbimi i Zërit të Ameriks¨ dhe u transmetue në emisionin e mbramjes të ditës së shtunë.

***
Kush ashtë “Marubi” (tashti Marubi) firma ma e njohun e fotografisë shqiptare?
Themeluesi i saj, Pietro Marubi (1834-1903) arkitekt, amator fotograf nga Piacenza e Italisë, me orientim garibaldin, emigroi në Shkodër,(1850), ku ushtroi mjeshtrinë e fotografit.
Punimet e para i shohim rreth viteve 1858-1859, vite të turbullta në Shqipëri të karakterizueme me lëvizje e kryengritje të vazhdueshme anti-otomane. Piero Marubi rregjistroi në film fazat ma të randësishme të kohës së tij: kryengritjen e Mirditës (1876-77), ngjarjet e viteve 1878-81 të Lidhjes së Prizrenit; viteve 1912 dhe pavarësinë e Shqipërisë etj. Fotografitë e tij u përhapën në gazeta të Europës, dhe ndihmuen fuqimisht me terheqë vemendjen e botës së jashtëme mbi gjendjen e mjerueme të vendit tonë, dhe forcimin e idesë së nji shteti autonom në katër vilajete me shumicë popullsie shqiptare –Shkodër, Shkup, Manastir dhe Janinë- si hapi i parë drejt çlirimit të plotë të Shqipërisë dhe themelimit të shtetit të pavarun shqiptar, të njohun ndërkombëtarisht..
Në Shkodër, italiani Pietro Marubi zuni vend të përhershëm, dhe themeloi familjen e tij. Nga miqësia me familjen e Rrok Kodhelit, i Zadrimës,Shkodër, ai i bindi prindët dhe mori pranë vetes dy djelmtë e Kodhelit: Matia dhe Mikeli (shqip Kel) që ma vonë mori emnin Marubi, dhe që ashtë personi krysor. Kel Marubi (1870-1940) mbas vdekjes së plakut Pietro, themeloi dhe drejtoi “Studio Marubi” që luejti rolin e saj historik për ma shumë se 100 vjet.
Ska dyshim që Kel Marubi ka ushqye ndjenja atdhetarie të forta për nji Shqipëri të lirë, sepse vetëm nji qendrim i këtill hapë atij rrugën për kontakte dhe bashkëpunim me udhëheqsit e Rilindjes sonë kombëtare, në përpjekje të përbashkët me luftue planet dhe aksionet anti-shqiptare të otomanëve, serbëve, grekëve, dhe klikave shqiptare pro-turke.
Kel Marubi kishte nji armë të fuqishme: fotografinë! Me kameran e tij dhe me profesionalizmin që e karakterizonte, ai rregjistroi personazhe e ngjarje tashma historike, si dhe i vuni ata në dispozicion të shtypit të huej, dhe perfaqsive të hueja në Shqipëri. Ky dokumentacion vizual i Kel Marubit ka ndergjegjsue shumë personalitete konsullore të vendeve europiane në raportet e tyne pranë qeverive përkatëse. U krijue kështu nji opinion ma i saktë në këto Qeveri për gjendjen e vertetë në vendin tonë, dhe që ndihmoi denoncimin e propagandës otomane për keqtrajtimin e popullsisë shqiptare. Kjo vlen edhe ma shumë sidomos mbas firmimit të marrëveshjes “Kultus-protektorat”, kur qeveria austriake e Vjenës fitoi të drejtën e njohun ndërkombëtarisht per mbrojtjen e hapun të popullsive të besimit të krishtenë. Në nji atmosferë të këtill u sigurue mbrojtja e klerit katolik shqiptar, dhe filloi hapja e shkollave shqipe pa pengesa qeveritare, sidomos nga urdhënat fetare jezuit dhe françeskan, krysisht ne qytetin e Shkodrës (nga e cila përfituen edhe shumë studentë të familjeve myslimane).
“Me aparat në dorë e pa iu trembur syri,” shkruen studjuesi shkodran Prof. Kaheman Ulqini,” ndoqi e fotografoi ngjarje të randësishme të figurave të tyre të shquara”. Njerëz dhe akte që do të kishin humbë për jetë sikur të mos kishte qenë puna e vullneti atdhetar i të ndjerit Kel Marubi: “kryengritja e Mirdites,(1877-78), Lidhja e Prizrenit (1878-81), ngritja flamurit në Deçiq (6 prill 1911) ngritja flamurit në Vlorë (28 nandor 1912) nga patriotë shqiptarë si Pashko Vasa, Abdyl Bej Frashëri, Dedë Gjo Luli, Ismail Qemal Bej Vlora e të tjerë, si dhe pamje të jetës së përditëshme të qyteteve tona në ato vite.
Merita e të ndjerit Kel Marubi ashtë edhe aftësia e tij me ngritë nivelin e fotografisë në nivel artistik që përjetëson vepren e tij. Kjo aftësi e ban artin e tij nji vepër klasike. Edhe aty ku ka vuejtje e mjerim e dhimbje ai gjenë elementin thelbësor, dhe me dritë-hijet e rreshtueme me mjeshtri, ai ngren figurën, ose skenën në nivel të së përherëshmes. E na, e nderojmë!
Fotografia e nji cilësie të këtill nuk ashtë thjeshtë nji kopjim i realitetit. Arti krijohet kur i nisun nga objektivi real, krijon nji realitet të ri, saktësisht objekte artistike, të aftë me dhanë në nji mënyrë ose nji tjetër që quejmë “kenaqesi” (fr. delectation). Fotografia ashtë njena nga lamijet ku krijohet “realiteti i ri” që bahet, me kalimin e kohës, klasik. Filozofi anglez Francis Bacon shkruente: “arti, ashtë njeriu që i bashkohet natyrës”. Dhe: “Objektet reale, natyra, nuk kanë vlera preçize. Arti ashte përgjigjja e nevojës sonë me gjetë për objektin nji vlerë preçise”.
Prof. Ulqini ka të drejtë kur shkruen:” Me veprimtarinë e Kel Marubit fotografia shqiptare u ngrit në nivelin e artit”! Ajo përjetësohet!
Arti (latin: ars-artis) në parim ashtë nji nevojë esthetike “me zbulue” ate që na rrethon. Ashtë nji veprimtari e jona që synon vetëm krijimin e së bukurës, pa asnji qellim tjetër politik ose ekonomik; përndryshe, ashtë “bastardhim” ose “shitje për fitim” (nji orientim shumë i theksuem në botën tonë materialiste). Kjo nevojë për të bukurën plotësohet me krijimtari nga artisti i pakënaqun me mos-persosmëninë e realitetit që jeton; atëherë, artisti gjen frymëzimin me transfigurue realitetin në nji ‘krijim’ që i qëndron kohës, dhe merr përmasat e randësisë klasike.
Vepra e të ndjerit Kel Marubi u vazhdue nga djali i tij i ndjeri Gegë Marubi, i cli ruejti me shumë kujdes “pasurinë” prej rreth 150.000 negativave me vepra të shqueme. Në vitin 1970, familja ia “dhuroi” Shtetit…ashtu si këshillonte koha! Kjo “pasuri” së bashku me koleksione të tjera, formoi “Fototekën e Shkodrës” “sot nji institucion i posaçëm, e qendër e randësishme dokumentacioni për historinë, kulturën, dhe artet tona.”
Shprehja “talent” për aftësinë e Kel Marubit nuk ashtë e drejtë, sepse “talenti” ashtë zakonisht inteligjenca e nji mjeshtrie. Per Marubin duhet përdorë shprehja “gjeni”, naltësia e sentimenteve dhe e mendimeve tona që arrijnë pikën e revelimit, zbulimit të së panjohunës, me nji akt të njiherëshëm dhe të fuqishëm, që nuk përfill pa-aftësinë që e rrethon, dhe pengesat që e kundërshtojnë!
Profesori francez, François Germain, e përmbledh kështu: “…Njeriu nuk ashtë kurrë me të vertetë i kënaqun nga bota e realitetit; dëshirohet nji farë kompensimi, ndjehet nevoja me korrigjue botën, ose me imagjinue nji univers tjetër që të ushqej nji prirje ose nji personalitet me dispozicion të kënaqshëm, në se ka mundësi, për nderpremje , dhe për të gjith njerëzimin”.
Fatmirësisht, kjo veprimtari u zhvillue në të njajtën kohë me ate të arkitektit dhe fotografit-piktor Kolë Idromeno (1860-1939), shkodran ashtu si Kel Marubi, dhe si ai, refugjat i ikun nga qyteti shqiptar i Artës (sot në Greqi) i persekutuem nga autoritetet otomane. Nga Marubi, ai kultivoi prirjen e tij për art. Ai ka meritën e organizimit të së parës ekspozitë kombëtare të “Arteve të thjeshta (Tiranë,1931). Idromeno ka ekspozue edhe në Budapest (1900)) dhe në Neë York (1939) e vende tjera. Kompozimi “Dasma Shkodrane” dhe portreti “Motra Tone” jane dy kryevepra të verteta arti në pikturë, dhe njihen mirë si në Shqipëri ashtu edhe në disa qarqe artistike të jashtëme.
E gjith kjo veprimari tregon edhe nivelin e zhvillimit kulturor të qytetit të veriut në vitet kur Shqipëria flinte gjumin e randë të mbrapambetjes së shkaktueme nga shkëputja me Europën. Fatkeqsisht, kjo Shkodër, qendër kulture e arti, u shtyp keqas nga nji rregjim që nuk çmonte vlerat dhe meritat e ktij qyteti të civilizuem.
Urojmë që çifti Pali, organizatorët e GR Art Gallery-Stamford, të vazhdojnë traditën e tyne të përkahjes së artit shqiptar në Amerikë, edhe në vitet e ardhme. sidomos me përkrahjen e artistëve të rij e premtues. Amen!

 

Fotografitë në hapjen e ekspozitës nga LUCIAN BEDENI, Drejtor i Muzeut Kombëtar të Fotografisë “Marubi”, Shkodër

17311297_387239094990256_4840484495132133222_o 17311368_387239178323581_4302159818178857383_o 17311383_387238908323608_2667506074442499079_o 17358580_387238988323600_759679992667565085_o 17358663_387238914990274_6407504695118209329_o 17359092_387238898323609_9065190280777771760_o 17359331_387239081656924_6302124073776341811_o 17390832_387239121656920_3476642054117094919_o

Comment

*