100 vjet më parë vdiq Ismail Qemali

Babai i pavarësisë së Shqipërisë ishte një njeri kontradiktor, po pikërisht për atë arsye ishte përfaqësuesi i natyrshëm që i bashkoi të gjithë shqiptarët

 

Nga Ruben Avxhiu

Ismail Qemali njihet në histori si babai i pavarësisë së Shqipërisë. Në 28 Nëntor 1912, ose rreth asaj date, në krye të një grupi të gjerë përfaqësuesish nga të gjitha trojet shqiptare, ai shpalli Shqipërinë të mëvetshme dhe sovrane.
Ishte një akt që ndodhi shumë vonë dhe po edhe disi shpejt. Shumë vonë sepse kishte gati një shekull që Perandoria Otomane po thërrmohej dhe shqiptarët deri në ditët e fundit nuk e vendosnin dot nëse duhej të shkëputeshin tërësisht dhe menjëherë apo të vazhdonin të përdornin mburojën e ndryshkur turke përballë kërcënimeve të fqinjëve agresorë. Ishte gjithësesi e shpejtuar sepse shqiptarët thjesht nuk ishin gati për një shtet kompakt. Ishin të paorganizuar, nuk kishin institucione mbarëkombëtare, nuk ishin të mobilizuar apo të armatosur për të mbrojtur kufijtë e tyre, madje as nuk e kishin të qartë se ku do të ishin kufijtë e tyre. Po ishte një veprim i shpejtë edhe në kuptimin pozitiv të fjalës, sepse me një deklaratë të thjeshtë, u dha një mundësi Fuqive të Mëdha që të hidhnin poshtë pretendimet serbo-greke-bullgaro-malazeze sipas të cilave nuk kishte arsye për të krijuar një shtet me emrin Shqipëri.
Për të vijuar me kontradiktat e asaj kohe, Ismail Qemali gjithashtu erdhi vonë në historinë e Shqipërisë dhe iku shumë shpejt.
Erdhi vonë sepse shndërrimi i tij nga një figurë otomane me potencial historik, në një nacionalist dhe udhëheqës shqiptar kërkoi tepër kohë. Ismail Qemali nuk dyshoi ndonjëherë në identitetin e tij shqiptar dhe ishte shumë krenar për të e për Vlorën. Por ai e shihte veten si një figurë otomane, që e katapultonte në politikat e mëdha globale të kohës. Biografia e tij e papërfunduar është dëshmi e një karriere të shkëlqyer po një në të cilën Shqipëria nuk bënte pjesë, madje deri në fund të saj.
Nga ana tjetër, ai iku shpejt, sepse vdekja e mori në një kohë kur shqiptarët kishin nevojë të dëshpëruar për një udhëheqës me pjekurinë, përvojën dhe përgjegjshmërinë e tij. Shumë nacionalistë të kohës mund të kenë mbajtur mëri për vonesën e shndërrimit të Ismail Qemalit, apo për preferencat, zgjedhjet, e pikëpamjet e tij, po zbrazëtira e krijuar prej largimit të tij të shpejtë u ndje shumë. Ai vdiq pikërisht në ditët që sapo kishte filluar Konferenca e Paqes në Paris, ku më në fund do të çimentoheshin kufijtë e caktuar të Shqipërisë. Do të ribëheshin betejat diplomatike të viteve 1911-1914, e shqiptarët do të rrezikonin dhe një herë tjetër të mbeteshin pa shtet.
Kontradiktat e Ismail Qemalit, të cilat shkojnë më tej sesa përmenda përciptas më lart, nuk e zvogëlojnë figurën e tij. Përkundrazi, askush nuk e përfaqësonte më mirë se ai Shqipërinë e asaj kohe sesa ai. Kontradiktat e tij ishin kontradiktat e Shqipërisë. Pavarësisht nga rishkrimet e shumta optimiste të historisë, e vërteta është se shqiptarët u zgjuan vonë nga gjumi. Të zhytur në varfëri, analfabetizëm e mbyllje ndaj botës, idetë e epokës erdhën më vonë në trojet shqiptare sesa në ato të fqinjëve.
Mungesa e rrugëve të komunikimit, e institucioneve mbarëshqiptare dhe një lokalizëm i thellë sabotonte në mënyrë fatale mundësitë e shqiptarëve për të dalë si komb në betejën e re ballkanike të historisë. Në këto kushte shpëtimi si komb erdhi nga diasporat e kohës, përfshi edhe ato të Stambollit, perandorisë që po ikte dhe asaj të Bostonit, “perandorisë” së ende nuk kishte ardhur.
Shqiptarët ishin të bekuar por edhe të mallkuar me një moazik shumë të pasur identitetesh fetare, krahinore, kulturore, zakonore, gjeografike. Ishte një nga ato kaloidoskopet e mrekullueshme njerëzore të cilat epoka moderne, me prirjet e saj thjeshtëzuese, rrafshuese e integruese nuk i duron dot. U desh kohë që të thurrej një narrativë e bukur kombëtare, e që shqiptarët të mësonin sesi ta vishnin me krenari atë. Deri atëhere, mbizotëronte konfuzioni në një periudhë që lypte qartësi të plotë.
Jo më kot në këtë proces, shqiptarët humbën gjysmën e hapësirës ku jetonin e paguan rëndë për gati një shekull modernitetin që u zbraz “papritur” mbi kokat e tyre.
E vërteta është se në momentin kur Shqipëria kishte nevojë për një akt pavrësie, një shtet formal dhe një qeveri, shqiptarët kishin qindra figura më nacionaliste, më të kulturuara dhe më të lidhura në vite me atdheun, por kishin vetëm një burrë shteti: Ismail Qemalin.
Perandoria në kalbje otomane kishte pasur në shekuj shumë figura, burrash shteti shqiptarë e me origjinë shqiptarë. Një numër i madh funksionarësh ekzistonin edhe në fillim të shekullit 20, po askush nuk krahasohej me Ismail Qemalin për nga gërshetimi i angazhimit për çështjen kombëtare dhe postet e larta të mbajtura. Nëse kishin qenë më aktivë për shqiptarizimin, ata nuk kishin ndonjë përvojë themelore qeverisëse. Nëse kishin qenë në poste të larta të shtetit nuk ishin aty për Shqipërinë kur erdhi momenti historik. Në atë udhëkryq të patriotizmit dhe përvojës, Ismail Qemali qendronte i vetëm.
Një figurë që kishte dekada përvojë në administratë shtetërore. Një figurë që si rrallëkush, edhe mes vetë otomanëve, vërtitetj me lehtësi në qarqet diplomatike. Një figurë që kishte përqafuar herët vizionin dhe frymën europiane, po duke përfaqësuar aq sa duhej edhe lidhjen shqiptare me perandorinë që po ikte. Një bashkues ideal i atyre që kërkonin me ngulm të ardhmen me ata që kishin frikë të largoheshin nga e kaluara.
Ky burrë shteti ishte njeriu që na duhej në momentin e shpalljes së pavarësisë dhe na ngelet vetëm të spekullojmë se çfarë do të kishte ndodhur nëse do të kishte qenë pak më i ri, nëse Lufta e Parë Botërore do të kishte qenë pak më larg, e nëse shqiptarët do të kishin qenë më kompaktë. Njëqind vjet më vonë është lehtë t’u japësh mend shqiptarëve të asaj kohe. Sot, kur kemi të gjithë infomacionin e botës, kur kemi në duar të gjithë interpretimet e historisë, kur dimë më mirë se çfarë ndodh nëpër botë sesa çfarë ndodh pak kilometra nga kryeqyteti, jemi gati po aq konfuzë, të përçarë e të papërgatitur sa shqiptarët e asaj kohe.
Sot, në 100-vjetorin e ikjes të njeriut që shpalli pavarësinë e Shqipërisë, duhet të shprehim mirënjohjen dhe nderimin tonë për të. Imazhi i tij, në ballkon, me flamurin kombëtar, me mjekrrën e bardhë, me momentin solemn, është një nga themelet e kujtesës sonë historike kolektive dhe ndërgjegjes sonë kombëtare. Ismail Qemali, në mënyrën më të natyrshme që mund të ekzistojë, është babai i pavarësisë shqiptare. Mund të diskutojmë momentin, vendin ku ndodhi, mënyrën e organizimit, vizionin, po fakti mbetet që ai qe njeriu i parë që e mblodhi vullnetin dhe përfaqësimin kombëtar, në një dhomë të vetme dhe e zbrazi në një deklaratë të përbashkët. Një shekull më vonë, kur përçarjet e moskuptimet kanë mbetur karakteristikë e pandashme e politikës sonë kombëtare, historia ka treguar se sa e vështirë vazhdon të mbetet kjo arritje. 100 vjet pas shpalljes së pavarësisë, gjysma e politikës shqiptare nuk e dinte nëse do të festonte në Tiranë apo do të festonte në Vlorë. U desh shumë energji e koordinim për t’i mbledhur te këmbët e Monumentit të Pavarësisë. Njëqind vjet pas ikjes së tij nga kjo botë, Ismail Qemali është më pranë nesh se kurrë. Njihet më shumë prej shqiptarëve edhe se në ditën kur e shpalli Shqipërinë shtet. Mbi të gjitha, ndoshta për herë të parë dhe të fundit, në atë 28 Nëntor 1912, patëm një burrë shteti që përfaqësoi të gjithë shqiptarët, pavarësisht se ku jetonin dhe foli në emër të të gjithëve.

Comment

*