105 vite më parë, 28 qershori 1914, “Atentati i Sarajevës” dhe “atentati ndaj Shqipërisë”

Studiuesi Plaka ka postuar disa fotografi në “Facebook”, ndërsa e shoqëron me një mesazh të gjatë. Ndër të tjera, ai shkruan se Shqipëria në atë kohë ishte e vogël dhe e brishtë, por ndodhej tërësisht në kaos, pasi merrej me sfida që nuk i kishte njohur më parë

Armand Plaka

Sot e 105 vite më parë, më 28 qershor 1914, ndodhi “Atentanti i Sarajevës”, ku “Dora e Zezë”, një organizatë nacionaliste serbo-boshnjake me pikëpamje terroriste, me vrasjen e mëtonjësit Nr. 1 të fronit perandorak austro-hungarez, Arkidukës Franc Ferdinand, bëri që pas një sërë zhvillimesh shumë të shpejta e reagimesh që vijnë në lidhjen shkak-pasojë, të shpërthente një luftë që njerëzimi s’e kishte njohur kurrë më parë.
Për rreth tre dekada u quajt “Lufta e Madhe”, sepse askush nuk mendonte se vetëm 25 vite më vonë do të niste një tjetër edhe më e madhe në tmerre e viktima.

Ndërkaq, Shqipëria e vogël, e brishtë, ndodhej tërësisht në kaos, e trazuar nga kryengritjet e konfliktet e brendshme, duke u përballur me sfida që s’i kish njohur më parë, si shtetformimi, ruajtja e unitetit kombëtar, ruajtja e pacenueshmëria e kufijve, si dhe besueshmëria në institucione.

Ishte koha kur zyrtarisht Shqipëria ishte një Principatë e Trashëgueshme, udhëhequr nga një princ gjerman, sipas vendimnit të Fuqive të Mëdha, fenomen që në fakt kish ndodhur më parë edhe me shtete të tjera në rajon. Populli dhe paria shqiptare në shumicën e saj në fillim u munduan ta respektojnë këtë zgjidhje, por më pas nisën përçarjet e nostaligjitë për regjime e ndikime të vjetra, të cilave u kishte ikur përfundimisht koha.

Misioni i Vidit ishte megjithatë i destinuar të dështonte, më shumë jo për faj të tij se sa të rrethanave e kushteve në të cilat u thirr të ushtronte mandatin e tij.

 Tri foto që po botoj, marrë nga arkiva e shtypit austriak të kohës, vijnë pikërisht nga kjo datë, ndërsa në njërën syresh shihet Isa Boletini, teksa i zgjat një mesazh të shkruar personalisht Princ Vidit në lidhje me ofensivën kundër kryengritësve islamikë që kishin rrethuar qytetin. Në foton e dytë shihen anëtarë të Komisionit Ndërkombëtar të Kontrollit ( KNK) gjatë një këshillimi rreth gjendjes në të cilën ndodhej “Mbretëria” në ato ditë. Në foton e tretë, diçitura shënon: Princesha (Sofia) duke shkuar në barakën e spitalit, për të vizituar të plagosurit.

Në një foto tjetër, të botuar në një të përditshme austriake të datës 19 qershor 1914, shohim vullnetarë rumunë që ishin nisur drejt Durrësit, ndërsa po prisnin në stacionin hekurudhor të Budapestit nën komandën e Kapiten Kristeskut.

Ndërsa në faqet e shtypit francez, duket qartazi një reportazh botuar pikërisht më 28 qershor 1914 me titull “Çështja Shqiptare”, ku shihen në foto edhe përpjekjet e Ushtrisë Shqiptare dhe të vullnëtarëve për të mbrojtur qytetin nga rebelët.
Ndërkaq, ja se ç’shkruan pikërisht për 28 qershorin e 1914-tës, autori gjerman, Peter Marxheimer në librin e tij ”Për në Shqipëri, Karl!” ( origjinali në gjermanisht: Nach Albanien, Karl!) , libër të cilin sapo e kam përfundur së përkthyeri.

***
Dita tjetër u mbulua nga një lajm i keq dhe e çoi Karlin edhe një herë të besonte, se sa kontradiktore mund të jenë aleancat. Pasi Kristo Meksi, një patriot shqiptar me origjinë arumune, i cili ishte ngarkuar nga Mbreti për të udhëtuar drejt Bukureshtit për të kërkuar ndihmë nga Mbreti i atjeshëm në formën e katër mijë ushtarëve rumunë, i ktheu gjërat mbrapsht. Xhaxha Karoli qysh muaj më parë ishte angazhuar fort për marrjen e fronit nga nipi i së shoqes së tij në Shqipëri, por tashmë kishte refuzuar dërgimin e trupave të rregullta si ndihmë e domosdoshme.

Vetëm një kontingjent i vogël trupash vullnetare dhe një njësi e Kryqit të Kuq Rumun ishin premtuar se do vinin në fillimqershori. “A mos është kjo pra pasojë e vizitës së Carit para dy javëve?, mendoi Karli me çehre të zymtë. Nadolni e kishte profetizuar dikur se do ishte vetëm një çështje kohe, kur edhe Rumania do të rreshtohej në kampin e orthodoksëve dhe kësisoj do t’i bashkëngjitej Antantës, por – kaq shpejt?

Fatkeqësisht ky lajm i keq nuk ishte i vetmi në këtë ditë. Sigurisht se edhe anijet luftarake nën flamurin gjerman e atë rus ishin ankoruar në gji, duke përfaqësuar të gjitha fuqitë dhe përkohësisht të ngjallej një ndjenjë sigurie, mirëpo lajmet alarmante që po vinin nga rrethinat, do rrënonin shumë shpejt gjithçka. Këto lajme në mënyrë të përmbledhur bënin fjalë për: Rrethimi i Durrësit nuk do hiqet, lëvizja e rebelëve po fiton gjithnjë e më shumë mbështetës dhe kësisoj edhe më shumë terren. Njoftimi më i keq prej tyre erdhi nga Veriu: lidhja veriore nën udhëheqjen e Prenk Bib Dodës, i ishte afruar me sukses kryengritësve, por duke djegur e përcëlluar çfarë gjente përpara, në një moment të caktuar pastaj nga një arsye që s ‘u mor vesh, kishte ndalur së funksionuari dhe ishte urdhëruar tërheqja drejt Lezhës.

Vetëm një trupë e vogël rreth topit, ndër ta europianë si Princi Sturdza dhe Jack Heaton-Armstrong, kishte guxuar në mënyrë aventureske të bënte përpara, sidoqoftë duke mos arritur fundja kurrgjë. Ndërkaq, po vlonin spekulimet: përse kreu i mirditorëve, Prenk Bib Doda, një burrë i moçëm tip kapadai që nuk i dridhej qerpiku, dhe që deri para pak kohëve kish qenë Ministër i Jashtëm në kabinetin e dytë qeveritar, e paskësh ndërprerë marshimin?!

A mos këtë radhë ndjekësit e liderit karizmatik fisnor, e kishin lënë atë në baltë? Apo mos Prenka, i njohur edhe si mik i italianëve, e kishte përdorur këtë si shkak që pjesëmarrja e tij të mbulohej me gjoja tradhëtinë e mirditorëve të tij? Kush e di?!.

Gjithsesi, kazani i thashethemeve vlonte fort. Se tek e fundit, edhe Kruja – qyteti i Skënderbeut, të cilin Ahmed beu me matjanët e tij e kishin marrë thuajse pa luftuar fare, papritur dhe nga arsye të panjohura, ishte dorëzuar sërish në duar të rebelëve, ndërsa matjanët ishin zhdukur maleve. Më të keqin nga të gjitha lajmet në këtë të dielë aspak të varfër në lajme, të 28 qershorit Karli e mori vesh sikurse shumica e banorëve të kryeqytetit shqiptar, vetëm paraditen tjetër, kur u bë e ditur zyrtarisht se trashëgimtari i fronit mbretëror, Arkiduka Franc Ferdinand, nipi jo i preferuar i Kajzerit, dhe bashkëshortja e tij, Sofia, kishin mbetur viktima të një atentati në kryeqytetin e Bosnjes, Sarajevë – vetëm 300 km. larg Durrësit: të dy ishin qëlluar nga një student serb.

  • foto galeri
  • foto galeri
  • foto galeri
  • foto galeri

Comment

*