107 vjet pavarësi Shqipëria e kujton me dhimbjen e rreth 36 viktimave të tërmetit

Veprimtaritë festive nuk mund të zhvillohen pasi kryeministri Edi Rama tha se 28-a e Pavarësisë dhe 29 Nëntori i çlirimit meritojnë të shihen e të përjetohen si dy ditë solidariteti kombëtar. Presidenti anulloi pritjen festive, kurse kryeopozitari demokrat vizitën tek emigrantët në Greqi

Denion Ndrenika

Shqipëria hyri në përvjetorin e 107-të të pavarësisë në këtë 28 Nëntor plot dhimbje dhe lot për të paktën 35-36 viktimat e tërmetit që goditi rëndë Durrësin, Thumanën në Krujë, Laçin, Mirditën, Tiranën, Lezhën.

Ministria e Mbrojtjes konfirmoi në mesnatë nxjerrjen nga rrënojat në Durrës dhe Thumanë të disa trupave të pajetë.

650 persona u lënduan dhe mbi 40 u nxorën të gjallë nga rrënojat, ndërkohë që ndoshta 10 deri në 20 të tjerë ende kërkohen në operacionet e ekipeve të shpëtimit.

Kryeministrit Edi Rama, kur qeveria shpalli Gjendjen e Jashtëzakonshme në Durrës dhe Tiranë, tha se ditët e pavarësisë 28 Nëntor 1912 dhe çlirimit 29 Nëntor 1944 nuk mund të kenë sot karakter festiv.

Në çastet e para të 28 Nëntorit, zoti Rama në fejsbuk shkruajti se dita e Flamurit Kuqezi hyri në errësirën që na rrethon përkohësisht, përpara daljes së diellit, referuar tragjedisë nga tërmeti:

“28 dhe 29 Nëntori nuk mund të jenë ditë me përmbajtje festive. Meritojnë të shihen dhe të përjetohen si dy ditë solidariteti kombëtar. Respekti për të shkuarën që ato mishërojnë të njehsohet me kontributin e gjithkujt që ka në zemër nevojën e lehtësimit, kurimit dhe shërimit të plagëve të mëdha që ka hapur kjo tragjedi”.

Presidenti Ilir Meta anulloi i pari pritjen festive për 28 Nëntorin.

Kryetari demokrat opozitar Lulzim Basha anulloi gjithashtu një vizitë për të kremtuar festat në Greqi me emigrantët shqiptarë.

Comment

*