13 vjet nga vizita historike e Presidentit Bush në Shqipëri

Tiranë, 10 qershor 2020 – Sot bëhen 13 vjet nga vizita e Presidentit të Sheteteve të Bashkuara të Amerikës, më parë Xhorxh W. Bush, në Shqipëri. Kjo ka hyrë në histori si vizita e parë e një presidenti amerikan në Shqipëri.

Më 10 qershor të vitit 2007 ai dhe bashkëshortja e tij, Laura, u pritën në aeroportin e Rinasit nga ministri i Jashtëm i vendit në atë kohë, Lulzim Basha.

Më pas presidenti Bush u takua në Pallatin e Brigadave me presidentin e Shqipërisë, Aleksandër Moisiu. Moisiu i akordoi presidentit Bush dekoratën më të lartë “Urdhrin e Flamurit”, për kontributin e tij në mbështetje të çështjes shqiptare.

Në një konferencë të përbashkët me kryeministrin e asaj kohe, Sali Berisha, Bush vlerësoi nivelin e lartë të marrëdhënieve midis Shqipërisë dhe SHBA-së.

Bush tha se SHBA-ja përkrahte dëshirën e Shqipërisë për t’u anëtarësuar në NATO. Ai vlerësoi lart tolerancën fetare në Shqipëri.

“Shpreha dëshirën që Shqipëria të hyjë në NATO, unë jam përkrahës i kësaj dëshire,” tha presidenti amerikan.

Bush vlerësoi kontributin e trupave shqiptare ushtarake në Afganistan dhe Irak. Ai inkurajoi politikanët shqiptarë të punojnë së bashku për të plotësuar standardet e anëtarësimit në NATO.

“U thashë trupave se ju respektoheni nga ushtarakët tanë si ushtarë të stërvitur mirë dhe kurajozë. Politikanët duhet të punojnë së bashku për të arritur këto standarde, të lënë mënjanë ndryshimet politike,” tha ai.

Bush takoi në Fushë-Krujë një grup biznesmenësh shqiptarë që kishin marrë mbështetje financiare nga agjenci amerikane zhvillimi.

Pas takimit, Bush doli në rrugën kryesore të Fushë-Krujës dhe takoi shumë qytetarë entuziastë.

(abcnews.al)

Comment

*