15,000 amerikanë hedhin në gjyq Partinë Komuniste Kineze për vdekjet nga virusi

Duhet të paguajë triliona dëmshpërblime për familjet e viktimave – si shkaktare e vdekjes së tyre me papërgjegjshmërinë dhe fshehjen e qëllimshme të rrezikut

 

Një familje në Long Island, babai i të cilës vdiq nga virusi Korona, kanë hedhur në gjyq “Kinën” për vdekjen e tij.
Richard Guasto ishte vetëm 58 vjeç dhe si thotë i biri, “Është e padrejtë se ishte tepër i ri për të vdekur”.
Pronar i një kompanie pastrimi, ai ishte shtuar pas një aksidenti me makinë, në një shtëpi kovaleshence për të rifituar ecjen dhe ripërtëritur fizikisht. Aty u infektua me virusin që i ori jetën.
Guasto është tani një nga 15,000 paditësit që kanë hedhur në gjyq Qeverinë e Kinës dhe Partinë Komuniste të Kinës, në një gjykatë federale në Florida. Padia i akuzon për mbulim të papërgjegjshëm, të qëllimshëm dhe egoist të rrezikut nga virusi që po përhapej në Ëuhan.
Kjo është një nga dy paditë në grup që janë regjistruar nga firma avokatore “Berman Laë Group”, që kërkon triliona dollarë nga Kina si dëmshpërblim për amerikanët e vdekur dhe familjet e tyre.
“Dikush duhet t’i detyrojë të mbajnë përgjegjësi”, tha për median, Jeremy Alters, avokati kryesor në këto padi.
Padia e dytë përfaqëson një grup punonjësish të vijës së parë të frontit, mjekë, infermierë etj.
Padi të ngjashme janë regjistruar edhe në shtete të tjera si California, Pennsylvania dhe Texas. Muajin e kaluar Prokurori i Përgjithshëm i shtetit Missouri, Eric Schmitt, hodhi në gjyq qeverinë kineze me akuzën se nuk ka bërë asgjë për të ndaluar pengimin e virusit që doli nga një laborator qeveritar, ku shkencëtarët bënin eksperimente me lakuriqë nate.

A ka bazë ligore një padi e tillë?
Nuk ka hapësirë ligjore për të hedhur në gjyq një shtet. Prandaj, këto dy padi të fundit, nga “Berman Laë Group” janë më interesante sepse specifikojnë Partinë Komuniste të Kinës.

Çfarë ndodh nëse fitojnë?
Për momentin kjo mund të zgjidhet në një gjykatë federale. Nëse pranohet, bëhet gjyqi dhe fitojnë paditësit, përsëri nuk është e lehtë të marrësh miliarda dollar.
Ka precedentë edhe këtu. Në 1988, familjet e viktimave të avionit Pan Am 103 të rrëzuar në Skoci hodhën në gjyq qeverinë e Libisë. Beteja ligjore vazhdoi 20 vjet, porn ë fund, familjet morën 1,5 miliard dollarë.
Një tjetër padi e ngjashme që ende vijon betejën ligjore me Arabinë Saudite për 11 Shtatorin ende vijon.
Vetëm një përfshirje e Kongresit Amerikan dhe pastaj e qeverisë amerikane mund të detyrojë humbësin e gjyqit të paguajë. Ndërlikimet diplomatike e politike janë të panumërta.
Avokati Alters ka besim. Vitin e kaluar, ai detyroi një kompani kineze të paguajë në tavolinë 248 milionë dollar për shkak se kishte shitur veshje muresh me helm në mbarë Shtetet e Bashkuara, duke shkaktuar dëmtime të shëndetit. Ai beson se ka hapësira në ligjin amerikan që mund të ndëshkojë institucionet kineze ashtu si ndëshkon papërgjegjësitë e firmave, individëve dhe institucioneve amerikane.
Ndërkohë, disa kongresistë republikanë po qarkullojnë projekt-ligje që ia heqin imunitetin që gëzon prej sovranitetit Kina në gjyqet amerikane.
Guastoja, nga Long Island, u detyrua ta kremojë babain e tij në Connecticut se të gjitha zyrat funerale rreth tij ishin të stërngarkuara me varrime.
“Isha shumë u mërzitur dhe qaja”, tregon ai. “Ai ishte njeri i mirë, një italo-amerikan që pëlqente futbollin dhe bejzbollin, që mbante fotografitë e nipërve afër shtratit. Nuk e meritonte të vdiste kështu”. (Ruben Avxhiu/sipas shtypit local)

Comment

*