17 vite nga tragjedia e 9 janarit, me 28 jetët e humbura në detin Jon

U dhanë 1 mijë e 500 euro skafistëve me shpresën se bregu tjetër do t’u ndryshonte jetën, por shumica e tyre nuk e dinin se po paguanin vdekjen

Pamjet e largimeve masive të shqiptarëve në vitet ’90 në anijet e mbushura do të mbahen mend gjatë, një histori që nisi 30 vite më parë e që gjatë këtyre viteve ka marrë dhe jetë njerëzish.

E tillë ishte tragjedia e 9 janarit të 17 viteve më parë, ku në ujërat e Jonit humbën jetën 28 vetë të moshave nga 15 deri në 33 vjeç.

U dhanë 1 mijë e 500 euro skafistëve me shpresën se bregu tjetër do t’u ndryshonte jetën, por shumica e tyre nuk e dinin se po paguanin vdekjen.

Dallgët, rreth pesë metra të larta, paralajmëruan se nuk ishte koha e duhur për të udhëtuar, por për trafikantët kjo ishte mundësia e artë për t’i shpëtuar mbikqyrjes së dy policive, asaj shqiptare dhe asaj italiane.

Gomonia 12 metra e gjatë që u nis nga Vlora i dorëzohet stuhisë detare. Pasojat? 18 burra e tre gra gjenden të pajetë në agimin e 10 janarit nga një helikopter i NATO-s së ushtrisë italiane. 7 rezultojnë të zhdukur edhe pas 17 vjetësh. Njëmbëdhjetë të tjerët mundën të shpëtonin, mes tyre edhe skafistët.

Ngjarja u përjetua nga të gjithë shqiptarët, nga telefonata për ndihmë drejtuar një televizioni privat e deri në përcjelljen mortore të shqiptarëve që bënë atë që bënin shumica në atë kohë, të zgjidhnin të ishin klandestinë.

Presidenti Ilir Meta ka reaguar përmes një postimi në facebook lidhur tragjedinë e 9 janarit 2004, ku 28 shqiptarë u mbytën në ujrat e detit Jon.

“Mendimet dhe lutjet e mia janë sot për familjarët e viktimave të pafajshme të tragjedisë së 9 janarit 2004, të cilët humbën jetën në përpjekje për të gjetur një ardhme më të mirë.” -shkruan Meta në postimin e tij ndërsa apelon për të bërë gjithcka duke u krijuar të gjitha mundësitë, në veçanti të rinjve, për të ndërtuar të ardhmen e sigurtë në Atdheun e tyre.

 “Të bëjmë gjithçka për të mos lejuar më të tilla tragjedi, që të përsëriten, duke u krijuar të gjitha mundësitë, në veçanti të rinjve, për të ndërtuar të ardhmen e sigurtë në Atdheun e tyre!” – vijon me tej Meta.
diasporashqiptare/Ilir Meta

Comment

*