1937, AHMET ZOGU PLANIFIKON NË TIRANË NGRITJEN E MONUMENTIT TË TIJ (DHE TË SKËNDERBEUT)

Ylli Polovina
(Fotografi nga Qerim Vrioni, tetor 2017)

Pjesa e tretë e “Ahmet Zogu e fsheh imazhin e Gjergj Kastriotit, Enver Hoxha e nxjerr në pah”.

 

(Shkrimi i tridhjetë e katërt i ciklit për Vitin e Skënderbeut)

Në dy numra kemi rrëfyer se, referuar katalogut “Gjergj Kastriot Skënderbeu në pullat shqiptare 1913-2017”, me autor studiuesin dhe koleksionistin Hysen Dizdari, “Gjatë viteve të qeverisjes së Monarkisë Shqiptare, figura e Skënderbeut pothuaj u harrua”. Sipas tij po ashtu, “Në historinë e pullës shqiptare gjatë 14 viteve të sundimit të Monarkisë Shqiptare janë emetuar 12 emisione me pulla, të cilat kanë vetëm portretin e A. Zogut dhe asnjë emision të veçantë kushtuar Heroit tonë Kombëtar, Gjergj Kastriotit-Skënderbeut”.

Në plotësim të kësaj të vërtete të dokumentuar nëpërmjet këtij katalogu që me këtë temë botohet për herë të parë (me rastin e 105 vjetorit të Pullës Shqiptare dhe 550 vjetorit të vdekjes së Skënderbeut), në këto dy shkrime paraqitëm edhe prova të tjera për këtë kult individi të Zogut.

Në këtë shkrim të tretë po shkojmë nëpër këtë hulli edhe pak më tej.

Nga 4 deri në 18 prill 1936 ekziston një korrespondencë e konsullatës shqiptare në Bari të Italisë me Ministrinë e Punëve të Jashtme dhe Kryeministrinë në Tiranë. Objekti i saj: kërkesa e kryetarit të Bashkisë së Barit për dhënien e emrit të “Gjergj Kastriotit” një rruge të këtij qyteti”. Në 14 prill në Itali, në “Gazetën Zyrtare (“Gazzetta Ufficiale del Regno d’Italia N. 087) qe shpallur dekorimi nga autoritetet vendase i një pasardhësi të familjes Kastrioti, markezit Francesco Castriota Scanderbeg.

Ndërkaq është moti 1937 kur tendencës së qartë të Ahmet Zogut për ta censuruar imazhin e Skënderbeut për llogari të hegjemonisë së pamjes së tij, me sa duket i pati ardhur çasti të rishikohej. Mbreti i Shqipërisë mund më në fund ta bënte një lëshim. Si përfaqësim dhe simbol i Shqipërisë dhe madje i tërë shqiptarëve tashmë brenda dhe jashtë vendit ia kishte dalë të qe absolutisht ai. Pamja e tij ndodhej tashmë kudo, e pakonkurueshme nga bashkëkombës tjetër. Prandaj le të lëshonte pak hapësirë për Gjergj Kastriotin, ca më tepër që biografët e tij zyrtarë kishin bërë gjithçka që ta quanin monarkun e gjithëpushtetshëm si paasdhës të Kastriotëve në vijë gjenealogjike. Tanimë tek çdo pamje e dukshme e fytyrës dhe e bustit të Skënderbeut shqiptarët do të nënkuptonin vetë Zogun.

Kështu lindi ideja dhe në 1937 nisi veprimi për ngritjen në qendër të Tiranës të një shtatoreje të Gjergj Kastriotit.

Por jemi të shtrënguar që në këtë moment të shkrimit të bëjmë një saktësim. Në arkivin e qytetit të Barit në Itali, kur përfshihet edhe “Zyra për Shqipërinë”, në lëndën për vitin 1937 përfshihen “qarkore ndërmjet ministrive të Tiranës, lista regjistrimesh, orendi, libra dhe revista etj., të hartuara nga konsulli Tahir Shtylla para se të mbërrinte konsulli i ri Maliq Libohova; pulla festive të 25 vjetorit të Pavarësisë shqiptare, shpallja e konkursit për realizimin e dy monumenteve festues (kushtuar Gjergj Kastriot Skënderbeut dhe mbretit Zog) në qendër të Tiranës; materiale ilustrues të pjesëmarrjes së Shqipërisë në edicionin e VIII të Panairit të Levantes; relacione të nënkonsullit të Brindisit; shënime dhe fatura tregtare; çertifikata lindjesh, për dhënie qytetarie dhe rezidence”. (1937. Fascicolo contenente le pratiche dal n. 1 al n. 100” Circolari ministeriali; elenchi di registri, arredi, libri e riviste ecc. compilati dal console Tahir Shtylla prima dell‟arrivo del nuovo console Malik Libohova; francobolli celebrativi del 25° anniversario dell‟Indipendenza albanese; bando di concorso per la realizzazione di due monumenti celebrativi (dedicati a Giorgio Castriota Scanderberg e re Zog) nel centro di Tirana; materiali illustrativi della partecipazione dell‟Albania alla VIII edizione della Fiera del Levante; relazioni del viceconsole di Brindisi; note e fatture commerciali; certificati di nascita, cittadinanza e residenza).

Pra, edhe pse nuk e pati shprehur publikisht Ahmet Zogu zyrat e tij i pati vënë në lëvizje për të mundësuar një konkurse dhe krijim të monumentit të tij në sheshin qendror të Tiranës, përballë atij të Skënderbeut. Mbi këtë përpjekje u hesht për opinionin dhe nuk mund ta dimë se çfarë përparësish do të kish monumenti i Gjergj Kastriotit apo projektohej e kundërta, epërsitë e dukshmërisë në të njëjtën hapësirë të sheshit do t’i kish Zogu.

Sidoqoftë gjurmët e planit për dy monumentet pak nga pak firuan prej lëndës së korrespodencës së qeverisë dhe më në fund me rastin e 25 vjetorit të Vetëqeverimit dhe Pavarësisë u projektuan tre vepra të mëdha: ndërtimi i radiostacionit, ngritja e një muzeu kombëtar dhe bashkë me emërtimin e sheshit qendror të Tiranës si “Gjergj Kastriot Skënderbe”, edhe lartimin aty të një monument të tij.

Për këtë të fundit, siç tregon në kujtimet e tij “Gjurmë jete” skulptori filozof Odise Paskali, duke qënë se nuk kishte shumë kohë në dispozicion ky i propozoi ministrit të arsimit Musa Juka që për shtatoren e heroit kombëtar i përshtatshëm ishte viti 1943, saktësisht 500 vjetori i ikjes së Kastriotit nga shërbimi pranë sulltanit dhe i kthimit në atdhe për të çliruar tokat e veta dhe të gjithë princërve të tjerë shqiptarë.

Por ideja e Paskalit nuk u pranua. Me sa dukej Mbreti ngutej për të grumbullonte propagandë në favor të vetes.

Arsyet e vërteta të refuzimit nuk i gjen dot të shkruara nëpër dokumentet e kohës, por të gjitha arsyetimet të çojnë tek prirja e monarkut që të mos i çelte vend të posaçëm Skënderbeut dhe në rast se ekspozohej ai, kjo duhej të bëhej në përfitim imazhi të Ahmet Zogut.

Në pamundësi t’i fiksohej bindshëm një ditë lindjeje, ajo e mbërritjes në Arbëri, çasti i çlirimit të Krujës dhe momenti i ngritjes së flamurit princëror të Kastriotëve, ishte më e shënuara e jetës fitimtare të Skënderbeut për t’u shndërruar në ditën e ceremonive nderuese.

Artisti i talentuar Odise Paskali me këtë rast e kishte treguar veten mjaft vizionar. Dëshironte një festim të madh gjithkombëtar për vetëm Skënderbeun. Po të bëhej do të qe edhe një çlirim nga makthi i Zogut për të qënë vetëm ai thelbi i historisë së shqiptarëve.

Në rrjedhën e ngjarjeve të vitit 1937, 25-vjetorit të Vetëqeverimit dhe të Pavarësisë, e informojmë lexuesin se Mbreti kishte vendosur që të shpallej një konkurs ndërkombëtar në vetëm pesë muaj kohë, deri më 28 nëntor. Kështu administrata e tij mobilizoi jo vetëm skulptorë shqiptarë, por edhe të huaj.

Në mbyllje të afatit u paraqitën dyzetë bocete. Mes autorëve të tyre kishte edhe jugosllavë, bullgarë, italianë, hungarezë dhe belgjianë.

Ndër fituesit çmimi i parë iu dha skulptorit kroat Antun Augustinçiç. I dyti doli hungarezi me nënshtetësi italiane Amerigo Tot. I treti u shkoi në barazi italianit De Marchis dhe bullgarit me banim në Itali Peikoff.

Çmimet fituese u paguan, por megjithatë nuk u autorizua ekzekutimi i monumentit.

Sipas Odise Paskalit, në këtë ballafaqim “Italianët humbën prestigjin si popull artistësh dhe filluan të lëvizin. Mbas disa javësh erdhi në Tiranë skulptori italian Romano Romaneli, i ngarkuar për monumentin e Skënderbeut. Me sa duket ishte porosi e Zogut”.

Pas dy muajsh nga kjo ngjarje Paskalin e thirri në zyrën e tij ministri Musa Juka dhe i tregoi një fotografi me një bocet shtatoreje të Gjergj Kastriotit mbi kalë. Skulptori i ri shqiptar e kuptoi që ishte punë e Romanelit dhe kur Juka i kërkoi mendim, iu përgjigj: ”Maketi i monumentit të Skënderbeut në tanësinë e tij, aq nga pikëpamja e idesë sa nga ajo e plastikës, paraqitet me një vlerë mediokre dhe pa asnjë cilësi të posaçme”.

Pastaj e pati vijuar arsyetimin e tij qortues: “Mediokre nga pikëpamja e idesë, sepse nuk është interpretuar aspak Fatosi ynë, vigan edhe i pathyeshëm nga trupi dhe nga shpirti, si na e dëfton historia dhe gojëdhënat dhe që çdo shqiptar e përfytyron. Mediokre nga pikëpamja artistike, sesa i zakonshëm dhe ordiner kompozimi i përgjithshëm, pa asnjë cilësi plastike të shënueshme. Për shëmbull si fytyra, si qëndrimi i kalorësit janë konvencionale dhe pa gjallëri”.

Fjalia e fundit e Odise Paskalit pati qenë e prerë: “Nuk ndryshon nga shumica e maketeve të përjashtuara me këqyrjen e parë në konkursin e monumentit të Skënderbeut”.

Një vit më pas nga kjo ngjarje, në 1939, ende pa u pushtuar vendi dhe ikur përtej kufirit Ahmet Zogu, në qendër të Tiranës, në sheshin me emrin e tij, ende Gjergj Kastriotit nuk i qe vendosur shtatorja. Si qe e vërteta do ta rrëfejmë në një shkrim të ardhshëm. Tani le të rikthehemi në vitin 1937.

Sipas shtypit italian, “Në orën 11.00 të 25 nëntorit në shëtitoren “Musolini” që të çon për në Durrës ishin rreshtuar forcat e armatosura, organizatat rinore, përfaqësuesit e provincave si edhe një turmë shumë e madhe”.

Prej qeverisë italiane i dërguar i posaçëm qe admirali dhe njëkohësisht markezi Thaon di Revel, një personalitet i njohur i vendit të vet, lidhur me Musolinin, por më tepër me mbretin Viktor Emanuelin.

Në orën 13.20, nën melodinë e Himnit Kombëtar, në radion me valë të shkurtra të porsa instaluar kishte folur Ahmet Zogu. U qe drejtuar të rinjve duke u shpjeguar rëndësinë e ditës së 28 nëntorit. Pastaj kishte theksuar se tre shtyllat e kombit shqiptar qenë raca, gjuha dhe atdheu. Në fund të fjalës së tij pati kujtuar sakrificat e të rënëve për atdhe.

Pasi e përfundoi fjalën e vet, e cila në të njëjtën kohë, për t’u dëgjuar jashtë vendit ishte lidhur me Radio Barin, e cila e trasmentonte atë në valë të mesme, topa ushtarakë shtinë 101 predha festive.

(Vijon)

Ylli Polovina

Tiranë, më 28 maj 2018

(Fotografia lart: Monumenti i Skenderbeut nga skulptori italian, Romano Romaneli.)

Zyra Shqiptare, në Bari: Dy monumente, Skënderbeu dhe Zogu.

Comment

*