1992: Takim me Zv-Presidentin Amerikan në Aeroportin “LaGuardia”

Ruben Avxhiu

Ruben Avxhiu

Zv-Presidenti Quayle tregoi interes për kopjet e gazetës “Illyria” dhe i premtoi aktivistit Harry Bajraktari, se Administrata Bush do ta ndiqte situatën e shqiptarëve në Kosovë

 

Prilli i vitit 1992, solli Jugosllavinë e bashkë me të edhe Kosovën në qendër të vëmendjes të opinionit politik amerikan.
Ndërsa në Kongresin amerikan, çështja e Kosovës ishte tashmë e njohur, administrata Bush ishte më e kujdesshme.
Sekretari i Shtetit James Baker e kishte thënë copë se SHBA nuk do të merrte anën e askujt në përleshjet brenda ish-Jugosllavisë.
Mirëpo, në prillin e vitit 1992, SHBA njohu njëkohësisht Slloveninë, Kroacinë dhe Bosnjen, ndërsa një rezolutë e Senatorit Bob Dole në Senat ndikoi administratën Bush duke kërkuar kushtëzimin e njohjes së Serbisë, apo të Jugosllavisë së Mbetur me paqen në Bosnje dhe të drejtën e vetëvendosjes në Kosovë.
Lidhjet e drejtpërdrejta me administratën mbeteshin një nevojë e komunitetit shqiptar që po përjetonte një dekadë të madhe.
Në 30 prill, 1992, aktivisti i njohur Harry Bajraktari siguroi një takim të shkurtër me Zv-Presidentin e Shteteve të Bashkuara Dan Quayle, kur ky i fundit udhëtoi nga Washington në Neë York.
Bush and Quayle do të përplaseshin atë vit me Clinton dhe Gore për zgjedhjet e bujshme të vitit 1992. Por nëntori ishte larg dhe administrata amerikane kishte kthyer (ndonëse me vonesë vëmendjen e saj nga Ballkani).
Si u sigurua takimi? Ndërmjetës u bë Dennis Shea, republikani konservator që po kandidonte për Kongres në Nju Jork, në Distriktin e 7 që përfshinte pjesë të Bronx dhe Queens dhe shpresonte në mbështetjen e shqiptarëve.
Distrikti 7 kishte shumicë demokrate, që me kalimin e viteve vetëm sa është thelluar, po në vitin e largët 1992, një republikan ende mund të shpresonte.
Shea ka qenë gjatë karrierës së tij edhe shef i stafit të për Senatorin Bob Dole. Ai donte mbështetjen e shqiptarëve për kandidaturën e tij dhe ofroi të siguronte këtë shkëmbim me zv-Presidentin Quayle.
Në letrën e Bajraktarit, i cili dy vjet më parë kishte themeluar gazetën “Illyria”, përshkruhej gjendja e rëndë dhe e pasigurtë në Kosovë. Shuajtja e çdo grime të demokracisë nga regjimi serb si dhe vullneti i pastër i 90% të popullsisë së Kosovës për vetëvendosje si republikë.
Në letër nënvizohej mbështetja e shqiptaro-amerikanëve për kandidatët republikanë por edhe kontrasti mes kësaj mbështetjeje dhe mungesës së interesit të duhur të Administratës Bush për shqiptarët e Kosovës, në një kohë kur shumë anëtarë të Senatit dhe Dhomës së Përfaqësuesve kishin vizituar Kosovën dhe kishin vërtetuar dëshmitë e shqiptarëve për persekutimin nga Serbia.
Zv-Presidenti Quayle u shpreh se administrata tani e njeh çështjen e Kosovës dhe se do të vijojë ta ndjekë nga afër, Ai tregoi gjithashtu interes për kopjet e gazetës “Illyria”.
Është vështirë të matet ndikimi konkret i çdo takimi dhe bisede që kryenin shqiptarët me politikanë, diplomat dhe ekpertë amerikanë. George HW Bush ishte njohës shumë i mirë i marrëdhënieve ndërkombëtare dhe nuk dihet sesa ndikim kishte zëvendësi i tij Quayle. Mirëpo, është fakt, që në vitin 1992, edhe Shtëpia e Bardhë “zbuloi” rëndësinë e çështjes së Kosovës, duke kulmuar angazhimin e saj me Paralajmërimin e famshëm të Krishtlindjeve, në të cilin Presidenti Bush e quajti Kosovën, një “vijë të kuqe” të cilën Millosheviçi nuk duhej ta shkelte. Nëse lufta zbriste aty Amerika nuk do të qendronte më mënjanë.
Bush dhe Quayle do të humbisnin në zgjedhjet e nëntorit të atij viti. As Dennis Shea nuk do të mund të zgjidhej në Kongres. Një administratë më pak e interesuar për zhvillimet botërore do të vinte në pushtet. Mirëpo, do të ishte kjo administratë e drejtuar nga Presidenti Clinton që do të mbyllte luftën në Bosnje me paqen e Dejtonit dhe do të përmbushte kërcënimin e Presidentit Bush për vijën e kuqe duke hyrë në luftë për Kosovën shtatë vjet më vonë e duke marrë me vete të gjithë aleatët e NATO-s.

Zv-Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Dan Quayle, (1992) dhe Harry Bajraktari, pas themelimit të gazetës "Illyria" (1991)

Zv-Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Dan Quayle, (1992) dhe Harry Bajraktari, pas themelimit të gazetës “Illyria” (1991)

 

Comment

*