20 vjet më parë shqiptarët tundën Uashingtonin

Ruben Avxhiu

Suksesi ishte i madh sepse kontributi ishte shumëpalësh – ndaj edhe kujtesa jonë historike duhet të jetë bujare e gjithëpërfshirëse

 

Në 25 mars 1998, shqiptarët organizuan një miting madhështor në Washington DC, për të sensibilizuar opinionin publik e politik në SHBA për luftën në Kosovë.
Shumë emocione të asaj dite u ringjallën me filmimet e ruajtura me kujdes nga bashkatdhetari Xheladin Zeneli që i postoi në Facebook. Po përshkrimi i ngjarjes ka mungesa dhe brezat e ardhshëm meritojnë ta njohin historinë pa njëanshmëri.
Pa ia hequr asnjë presje lavdërimeve për rolin e LQSHA-së dhe ish-kongresistit DioGuardi, manifestimi i 25 marsit 1998, ashtu si mbarë veprimtaria atdhetare e komunitetit shqiptar në SHBA ka qenë shumëpalëshe, me shumë faktorë që ndikuan e ndihmuan.
Do t’i përmend disa këtu, i ndërgjegjshëm që ka edhe plot të tjerë. Radha e përmendjes nuk nënkupton medoemos rëndësinë e tyre. Nëse ndonjë faktor e konsideron veten “primus inter pares”, nuk kam ndonjë problem me atë punë. Në fund, historia dhe kujtesa kolektive do të distilojë vlerën e kujtdo.
Që ajo në Kosovë nuk ishte një luftë fetare, shqiptarët e vërtetuan me larminë e pjesëmarres dhe bujarinë e vendosmërinë e udhëheqësve shpirtërorë të komunitetit si Imam Isa Hoxha e Dom Anton Kçira, ky i fundit, madje instrumental i organizimit të patriotëve nga Michigan.
Kçira i cilësoi krimet monstruoze të Millosheviqit, në Drenicë, ashtu si në Bosnje, asgjë më pak sesa “terrorizëm shtetëror, me synim spastrimin etnik”.
Imam Isa Hoxha e bekoi manifetimin në emër të komunitetit mysliman në SHBA e Kanada. “Pushtuesi mund të vizatojë kufij në tokën e një populli, por kurrë në zemrën e tij”, tha Imam Isa Hoxha. “Shqiptarët e Kosovës janë koshientë për të ardhmen e tyre, lirinë e tyre, po aq sa është regjimi serb i ndërgjegjshëm për humbjen e tij të madhe e të pashmangshme në Kosovë”.
Fjalë që mbetën në histori.
Si ata kishte udhëtuar në Washington edhe At Michael Soter.
Kur shikon masivitetin në pjesëmarrje, nuk mund të shprehësh mirënjohjen edhe për Lidhjen Demokratike të Kosovës, pasha historike e të cilës ndoshta nuk do të shihte më ndriçimin e dikurshëm, por që mbetej e vetmja organizatë shqiptaro-amerikane me një rrjet të pabesueshëm degësh në çdo xhep të komunitetit të shpërndarë shqiptar në SHBA.
LDK kishte një përvojë disavjetore në sigurimin e autobusëve, e transportit masiv nga shumë qytete drejt pikës së manifestimit, me një rast kulmor, atë të protestave në Dayton, Ohio.
Vështirë të gjenden njerëz me aq dinamikë dhe energji, për të drejtuar një protestë me mikrofon në dorë sa ish-kongresisti Joe DioGuardi, po për hir të të vërtetës ia vlen të kujtojmë se manifestimin e drejtuan bukur së bashku edhe Rustem Ibraj, Agron Gashi dhe Arta Haxhaj. Një komision që përfshinte shumë organizata shqiptaro-amerikane ishin pjesë e punës për këtë veprimtari.
Jo më pak edhe Këshilli Kombëtar Shqiptaro Amerikan, e vetmja organizatë shqiptare me zyrë në Washington DC. E vetmja me ndikim të drejtpërdrejtë në vendimarrësit e politikës së jashtme e të sigurisë amerikane.
Drejtoresha e Komunikimit të KKSHA-së, Afërdita Rakipi kishte siguruar lejen për manifestimin. Anëtari i Bordit të KKSHA-së, Harry Bajraktari kishte sponsorizuar autobusët që sollën demonstruesit nga Nju Jorku e më tej, nënkryetari i KKSHA-së, Ekrem Bardha kishte sjellë At Michael Soter, përfaqësues nga Kryepeshkopata Ortodokse Shqiptare e Amerikës, një prani e rëndësishme në miting, ndërsa Ilir Zherka që së shpejti do të bëhej drejtori i ri ekzekutiv, siguroi një takim në Shtëpinë e Bardhë të një përfaqësie shqiptare nga manifestimi.
Pa i hequr asnjë presje prezantimit të Joe DioGuardit në Kongresin Amerikan, fjalën e të cilit e ruaj edhe sot e kësaj dite dhe që është botuar e plotë në gazetën “Illyria” të kohës, ishte në Shtëpinë e Bardhë dhe në Departamentin e Shtetit që në fund të fundit përcaktoheshin veprimet e politikës së jashtme dhe sigurisë së Shteteve të Bashkuara të Amerikës.
Në fund, puna e shqiptarëve në Kongresin Amerikan do të dëshmonte frytet e saj, kur kundërshtarët e ndërhyrjes ushtarake në Kosovë nuk arritën ta sabotonin e ta thanin nga fondet, në votime që shkuan edhe 50%-50%, e që u zgjidhën sipas Kushtetutës amerikane me votën e zv-Presidentit Al Gore, po seria e bisedimeve në Shtëpinë e Bardhë që nisi dhe vazhdoi me KKSHA është një faktor i pashoq deri atëhere e madje edhe që atëhere në komunitetin shqiptar në SHBA.
Që të arrihej deri aty, shqiptarët kishin kaluar në disa faza përkryerje të aftësive dhe mënyrave të tyre të ndikimit politik. Ato u modernizuan me LQSHA-në në fund të viteve 1980. Ishte domethënëse që LQSHA në 1989 dhe NAAC 1998 kishin të njëjtin President Ekzekutiv, Prof Sami Repishtin.
Synimi i këtij shënimi dhe i shkrimit të historisë së punës së komunitetit shqiptar në SHBA nuk është gjetja se kush organizatë apo kush individ ka qenë më i rëndësishëm se tjetri, por për të kuptuar se sit ë gjithë bashkë , në drejtime dhe aspekte në ndryshme, në bashkëpunim ose në mënyrë të vetmuar, duke pasuar stafetën apo duke sabotuar njëri-tjetrin, në konkurrencë ose në pajtim të plotë, e çuan përpara kauzën shqiptare në mënyra që harrohen se sa të pamundura janë për një komunitet kaq të vogël në numër e në mjete.
Në takimin në Shtëpinë e Bardhë , morën pjesë veç Ilir Zherkës (që në atë kohë ishte ende zyrtar në Departamentin e Punës, në Administratën Clinton, Afërdita Rakipit (NAAC) dhe Harry Bajraktarit (Illyria) edhe Agim Karagjozi (kryetar i Federatës Vatra), Imam Isa Hoxha, At Michael Soter, si dhe Arta Haxhaj (përfaqësuese e Organizatës së Studentëve Shqiptaro-Amerikanë).
Ata u pritën nga Steven Flanagan, drejtor për Çështje të Europës Qendrore në Këshillin për Siguri Kombëtare (aty ku sot drejton McMaster për t’u zëvendësuar në prill nga John Bolton) dhe Eileen Malloy, zv-Ndihmës-Sekretare për Çështje të Europës dhe Kanadasë.
Në dokumentin që paraqitën në këtë takim shqiptaro-amerikanët, ishte një thirrje formale për Presidentin Bill Clinton që të respektonte “vijën e kuqe” që kishte vendosur ndaj Serbisë për të mos e çuar luftën në Kosovë. Një vijë e kuqe e vendosur fillimisht nga ish-Presidenti George HW Bush, në Krishtlindjen e vitit 1992, e të përsëritur në mënyrë rigoroze, nga vetë Bill Clinton, kur u vendos në Shtëpinë e Bardhë, në janar 1993.
Argumente për ligjshmërinë e pavarësisë së Kosovës, në bazë të referenedumit për pavarësi dhe kushtetutës së saj që nga vitet 1991-1992, të zgjedhjeve demokratike të institucioneve të Kosovës dhe të drejtës universal për vetëvendosje ishin gjithashtu në kërkesat me shkrim të shqiptarëve.
Ndërkohë jashtë në foltoret e improvizuara të manifestimit që lëvizi nga Lafajet Park, përpara Shtëpisë së Bardhë dhe në fund në platonë e Kongresit Amerikan, në Kodrën e Kapitolit, folën edhe shumë bashkatdhetarë, si Ramazan Bekteshi, koordinator i Degëve të LDK-së për SHBA dhe Kanada, veteran i sa e sa mitingjeve e aktiviteteve gjatë një dekade të shqiptaro-amerikanëve. Foli Agim Karagjozi, kryetari i Federatës Panshqiptare Vatra, Dashamir Marku në emër të Shoqatës së re Vendlindja Thërret, Ilir Zherka, At Michael Sote, poetja amerikane Cassandra O’Neil, aktivistja nga Chicago Karen Gashi, bashkëshortin e saj dyshohej se e vranë serbët në Chicago, një tjetër histori e harruar shqiptaro-amerikane, Nesim Gashi foli në emër të shqiptarëve të Kanadasë, Franz Llesh Grishaj dhe Prekë Ivezaj nga Detroiti, kurse Nazmi Sejdiu, nxënësi nga Prekazi i Drenicës i emocionoi shumë pjesëmarrësit.
Me telefon drejtpërdrejt nga Prishtina, foli Presidenti Dr. Ibrahim Rugova. Çfarë dite që ka qenë për pjesëmarrësit. Sa ua dimë për nder njerëzve si Xheladin Zeneli që kanë ruajtur filmime e fotografi nga ajo kohë.
Nga foltoret kumbuan edhe zërat e miqve tanë amerikanë. Një respekt të veçantë për mikun tonë, Ambasadorin Bill Ryerson, një bashkëthemelues i heshtur i Këshillit Kombëtar Shqiptaro Amerikan, që duke lënë mënjanë formalitetet diplomatike tha nga foltorja, “President Clinton ka ardhur koha të dëgjoni Sekretaren Albright, që e ka deklaruar se në Kosovë po bëhet gjenocid, dhe spastrim etnik. “Kujtoni Bosnjen!” tha ai.
Ryerson kujtoi kohën kur në 1990, si punonjës i Ambasadës Amerikane në Beograd, vendosi të udhëtojë në Prishtinë për të parë gjendjen atje. “Na trajtuan si fëmijë, na poshtëruan. Delefacionin e të Drejtave të Njeriut nuk e lanë as të hynte”. Ai i bëri thirrje Amerikës të ndërhynte në Kosovë e t’i jepte fund pushtimit serb.
Si ai foli edhe Ambasadori i Shqipërisë në atë kohë, Petrit Bushati.
Ligjvënësit amerikanë folën nga platoja në shkallët e Kongresit, aty ku zakonisht betohen Presidentët Amerikanë.
“Ndodheni përpara institucionit më të fuqishëm të demokracisë botërore, para Kongresit Amerikan, i cili gjithmonë ka personifikuar shpresën e popujve të shtypur dhe sot Kosova është një nga vendet më të shtypura në botë”, tha Joe DioGuardi, dikur vetë kongresist në atë ndërtesë, përpara se të prezantonte me radhë para mikrofonit senatorët dhe kongresistët që folën.
Mes tyre, Senatorët Amerikanë Alphonse D’Amato, Larry Pressler, kongresistët Tom Lantos, Eliot Engel, Peter King, Benjamin Gilman, Jim Maloney, Sander Levin, Jim Moran, Sue Kelly dhe Dana Rohrabacher.
Brezat më të rinj dinë pak për Senatorin D’Amato, po ai udhëtoi me Bob Dole në Kosovën e vitit 1990 dhe mbeti një mbështetës i madh i çështjes shqiptare.
Mund të ishin 20,000 shqiptarë atë ditë në Washington, po D’Amato u kujtoi 20,000 shqiptarë shumë më trima që kishin udhëtuar nga Prishtina për në Drenicë, pas vrasjes së Adem Jasharit dhe familjes së tij për të dëshmuar solidaritetin e tyre të madh, duke sfiduar kërcënimin e vdekjes nga makina ushtarake e policore e Millosheviçit.
“Vetëm një javë më parë, provova të hyj në Kosovë, Millosheviçi nuk më lejoi”, tha kongresisti Engel. “Po kur të çlirohet Kosova, nuk do ta lejojmë ne Millosheviçin që të hyjë më në Kosovë”.
Në atë udhëtim me Engelin kishte qenë edhe bashkëkryetarja e Kaukusit të Çështjeve Shqiptare në Washington. “Kosova nuk është më pjesë e Serbisë”, tha ajo. Ajo kohë ka ikur pas shkatërrimit të Jugosllavisë, tha kongresistja republikane. “Vullneti i popullit të Kosovës duhet dëgjuar”.
Një ngjarje kaq masive, në SHBA pati kostot e saj të paparashikueshme duke e sjellë njfarësoj luftën në Amerikë. Ndërsa një çift shqiptarësh protestuan në Washington për Kosovën, në Nju Jork, humbi jetën fëmija e tyre dyvjeçar, së abshku me xhaxhain dhe një shqiptar tjetër, në një aksident automobilistik. Disa raste të ngjashme në komunitetin shqiptar. Udhëtimet e gjata për aktivitetet kombëtare kishin sjellë disa tragjedi në rrugë.
Dyvjeçari Arbnor Hysenaj u varros si dëshmor i Kosovës, mbuluar me flamurin kombëtar.
Demonstrata të ngjashme paralele, po më të vogla në numër, u zhvilluan në një numër qendrash të komunitetit shqiptar të kohës, që nuk mundën të udhëtonin në kryeqytet.
Uroj që ky shënim në fund, të mos fillojë një betejë se kush kishte më shumë merita e kontribute, po për të nxitur bashkatdhetarët që të freskojnë kujtimet e tyre e të na kujtojnë ata që kemi harruar që t’ua përmendim emrat e veprat e të kujtohemi se koha për të punuar për të mirën e kauzës nuk ka skaduar në SHBA.
Në fund, një falenderim shkon edhe për kolegët e mi të gazetës “Illyria”, që kanë punuar përpara meje në ato vite themelore, e që ruajtën kujtime e fotografi, që ndoqën këto demonstratë e ruajtën shënimet e fotografitë që përdor sot këtu. Mes tyre Isuf Hajrizi që atë ditë ishte duke prezantuar çështjen e Kosovës në Columbia University, me Sulejman Gashin që mbulonte aktivitetin. I ndjeri Xhevat Krasniqi dhe Sinan Kamberaj që ndoqën e mbuluan protestën në Washington, e Dervish Jahjagën dhe Sadik Galimunën që bënë fotografitë.

Nga e majta, Arta Haxhaj, Afërdita Rakipi, Ilir Zherka, e Dërguara Speciale e Departamentit të Shtetit, Eileen Malloy, zyrtari i Këshillitarit të Sigurisë Kombëtare, Stephen Flanagan, Imam Isa Hoxha, At Michael Soter, Afrim Karagjozi dhe Harry Bajraktari.


Ekrem Bardha, At Michael Soter dhe Ambasadori William Ryerson.


 

 

Comment

*