21 vjet nga vrasja e Azem Hajdarit

Tiranë, 12 shtator 2019 – Sot në Shqipëri shënohet 21 vjetori i vrasjes së Heroit të Demokracisë Azem Hajdari.

Presidenti i Republikës, Ilir Meta, në përkujtim të Hajdarit, do të vendosë një kurorë lulesh tek memoriali i tij, në rrugën “Abdi Toptani”, në Tiranë.

Azem Hajdari u ekzekutua mbrëmjen e 12 shtatorit 1998, pak metra larg selisë së PD-së, në Tiranë.

Nga breshëritë e plumbave gjeti vdekjen dhe truproja i tij, Besim Cera nga Dibra.

Më 14 shtator, turma e pjesëmarrësve në funeralin e Hajdarit, e kishte sulmuar ndërtesën e qeverisë, duke kërkuar dorëheqjen e kryeministrit Fatos Nano.

Për vrasjen e ish-liderit të dhjetorit u akuzuan Jaho Mulosmani dhe tre vëllezërit, Izet, Ismet dhe Isamedin Haxhia, të gjithë njerëz që qëndronin shumë pranë ish-kryeministrit Berisha dhe kishte pozita të rëndësishme.

Sipas aktakuzës, ish-truproja i Berishës, Izet Haxhia, i telefonoi Hajdarit dhe e nxori para zyrës së tijj, ku dhjetë minuta më pas u ekzekutua në pritë. Haxhia e ka hedhur poshtë përfshirjen e tij në vrasje.

Në një proces gjyqësor maratonë u shpallën fajtorë Mulosmani, i cili u dënua me burgim të përjetshëm, si edhe vëllezërit Izet e Ismet Haxhia, të cilët u dënuan me 25 dhe me 20 vitet heqje lirie, përkatësisht. I treti i vëllezërve Haxhia, Isamedini, u dënua vetëm për armëmbajtje pa leje. Fatmir Meta, i cili ishte në mesin e të akuzuarve u shpall i pafajshëm.

Gjatë procesit hetimor u vërtetua se mbi deputetin Hajdari kishte qëlluar Fatmir Haklaj, i cili u vra më vonë, në një atentat të organizuar mirë.

Ndonëse dosja e këtij rast u mbyll me dënimin e këtyre tre personave, asnjëherë nuk u nxor në dritë motivi i i vrasjes.

Azem Hajdari ka qenë lideri i lëvizjes studentore të vitit 1990 e cila çoi drejt rënies së regjimit komunist në Shqipëri dhe njëri nga themeluesit e Partisë Demokratike.

Ai është dekoruar me urdhrin  “Nderi i Kombit” dhe me urdhrin “Gjergj Kastrioti Skënderbeu” , dy dekoratat më të larta të Shqipërisë. Në Kosovë është dekoruar me Medaljen e Artë të Lidhjes së Prizrenit.  (r.m.)

Comment

*