“Princi i buzëqeshjes” i Zija Çelës promovohet në 70-vjetorin e lindjes

Në 70-vjetorin e lindjes së shkrimtarit Zija Çela, shtëpia botuese ‘Toena’ do të përzgjidhte për të promovuar librin e tij më të fundit  “Princi i buzëqeshjes”.

Në ceremoninë e promovimit, zhvilluar sot në ambientet e Muzeut Historik Kombëtar , poeti Bardhyl Londo vlerësoi stilin e Çelës si një ndër më të veçantit në letërsinë shqipe.

“Unë dua të them se Zijai hyri në historinë e tregimit shqiptar vërtet si një princ. Me origjinalitetin e pashoq dhe ndjeshmërinë më të lartë, me radiografinë e shpirt njerëzor ai jo vetëm që tërhoqi vëmendjen por u shpall  si nëj ndër princat e ksaj gjinie”, tha poeti Bardhyl Londo.

Autori Zija Çela që ka kaluar një fëmijëri të vështirë në Shkodër, tregon se lidhja e tij me letërsinë ka qenë si një thirrje hyjnore..

Shkrimtari Zija Çela vlerësohet nga studiues dhe kritikët e letërsisë si një vijim i pandërprerë i themeltarëve të prozës shqipe.

Shkrimtari shkodran meritoi çmimin “Penda e Argjendtë”, për romanin “Las Varrezas”, si vepra më e mirë në prozë për vitin 2005, akorduar nga Ministria e Kulturës së Shqipërisë, më 27 dhjetor 2006, në konkursin letrar më të rëndësishëm që zhvillohet në harkun kohor të çdo viti në vendin tonë.zija cela

Lindur më 25 mars 1946 në qytetin e Shkodrës, diplomuar në Universitetin e Tiranës për letërsi më 1968, ai ia kushtoi jetën e vet arsimit dhe letërsisë. Që prej vitit 1969 e në vazhdim ai punoi si mësues në fshatrat e Kukësit, pastaj në gazetën e radion lokale, më 1977 u transferua në kryeqytet ku punoi si redaktor i prozës në revistën “Nëntori”, e më pas për disa vjet si kryeredaktor i gazetës letrare “Drita”.

Që nga viti 2000 mban rubrikën e tij kulturore javore në gazetën e përditshme “Albania” dhe sigurisht vazhdon të shkruajë dhe të botojë veprat e tij letrare.

Nga krijimtaria e tij e pasur ndër vite do të përmendnim që në krye tregimet e tij, me të cilat ai u bë i njohur, dramën “Shtëpia e lepujve” (1989) dhe romanet, veçanërisht triptikun “Gjaku i dallëndyshes” (1990), “Gjysma e Xhokondës” (1992) dhe “Banketi i hijeve” (1998).

Krijimtaria e tij jo vetëm zë një vend të rëndësishëm e të veçantë në letërsinë tonë, por edhe është vlerësuar si e tillë nga konkurse të ndryshme të organizuara në Shqipëri dhe jashtë kufijve të saj si dhe ka marrë  vlerësimet më të mira të kritikës letrare kudo ku është botuar.

ATSH

Comment

*