22 vjet burg për shqiptarin që mbante flamurin e ISIS-it, në shtëpinë e tij, në Bronx

Një emigrant nga Shqipëria që kishte marrë nënshtetësinë amerikane dhe jetonte në Bronx është dënuar dje me 22 vjet burg, pasi pranoi akuzat për terrorizëm, bën të ditur gazeta “Illyria”, në New York.
Sajmir Alimehmeti, 26 vjeç pranoi në shkurtin e vitit të kaluar se kishte dhuruar ndihmë materiale për Shtetin Islamik të Sirisë dhe Irakut.
I lindur në Shqipëri, ai kishte gjetur punë në New York si ndihmës-hidraulik dhe përgatitej për të punuar në një zyrë funerale.
Mirëpo, në maj 2016 u arrestua nga Ekipi i Posaçëm i Përbashkët kundër Terrorizmit në Bronx dhe u padit për ndihmë materiale ndaj ISIS-it. Sipas padisë, ai po koleksiononte thika të ndryshme luftimi që mund të përdoreshin në një sulm të mundshëm terrorist. Ishte përpjekur të udhëtonte edhe vetë drejt Lindjes së Mesme për t’u bërë anëtar i ISIS-it por ishte penguar dy herë nga autoritetet britanike, në 2014.
Në shtëpinë e tij u gjetën një flamur i ISIS-it, video të grupit terrorist e materiale propagandistike.
Edhe në burg, pas arrestimit, Alimehmeti duket se ka vijuar punën e tij për ISIS-in duke përhapur propagandën e ISIS-it mes të burgosurve, në bashkëpunim me të dënuarin për vënien e një bombe në lagjen Chelsea, Ahmad Khan Rahimi.
Gjykatësi i Distriktit, Paul A. Engelmayer, i cili i shqiptoi dënimin me burg, ditën e premte, e quajti shqiptarin “një bombë me sahat”. (Illyria)

Comment

*