25-vjet nga varja në litar e poetit Havzi Nela, i dënuari i fundit i diktaturës

Në Kukës nuk është vendosur asnjë përmendore kushtuar viktimës së fundit të komunizmit. Bashkia e Kukësit thotë se çështja i përket ministrisë, ndërsa vetë bashkia e ka përcaktuar sheshin ku mund të vendosej sëpaku busti

Denion Ndrenika
Ministria e Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve përkujtoi personin e fundit që u dënua me vdekje dhe u ekzekutua nga regjimi diktatorial komunist, Havzi Nela. Ministri Visar Zhiti, një ish-i përndjekur politik, ka qenë dëshmitar i ekzekutimit të poetit nga Kukësi, Havzi Nela 25 vjet më parë, pikërisht në 10 gusht 1988. Ministri Zhiti mori pjesë në ceremoninë përkujtimore të 25-vjetorit të varjes në litar në Kukës të kundërshtarit të diktaturës Havzi Nela. Në ceremoni ishin gjithashtu familjarët, të afërm, miq, publicitsë, veprimtarë dhe të ish-të dënuar dhe të përndjekur politikë. Një ish-i përndjekur, Besim Ndregjoni, sekretar i Bashkimit të të Dënuarve Politikë, tha se Havzi Nela është përjetësuar, sepse me veprimtarinë e tij letrare i shërbeu lirisë së shqiptarëve, pavarësisht se kjo i kushtoi jetën. Në veprimtari u recituan poezi të të ndjerit Nela të shkruara gjatë viteve të burgut.
Mirëpo, në Kukës nuk është vendosur asnjë përmendore kushtuar viktimës së fundit të komunizmit. Bashkia e Kukësit thotë se çështja i përket ministrisë, ndërsa vetë bashkia e ka përcaktuar sheshin ku mund të vendosej sëpaku busti.
Shpesh, në kujtimin e Nelajt thuhet se persekutimi i tij nga sistemi nisi në vitin 1967 kur, si një mësues i ri dhe poet i talentuar, kundërshtoi kolektivizimin si dhe ndalimin e besimit fetar. “Ekzekutimi i disidentit u bë më 10 gushtin e 1988-ës, në orën 02:00 të mëngjesit, në qendër të Kukësit. Pasi u ekspozua gjatë gjithë ditës më 10 gusht, në mesnatë oficerët e komunizmit  morën trupin e tij dhe e futën atë vertikalisht në një vrimë të krijuar nga heqja e një shtylle druri”-kujtojnë bashkëkohësit. Trupi i tij më 20 gusht 1993 u gjet i mbuluar me gurë pranë fshatit Kolsh të Kukësit. Me dekret të ish-Presidentit Sali Berisha, poetit Havzi Nela i është dhënë titulli “Dëshmor i Demokracisë”.
“Dita e mërkurë e 10 gushtit 1988 në qytetin e Kukësit ngjante me një shtet-rrethim: Postblloqe e patrulla me policë e civilë nëpër rrugë… Në mëngjes herët, sapo morëm gazetën lokale në shtypshkronjë, policia na ndaloi veturën në rrugë e pas formaliteteve të rastit, na drejtoi me gisht e mburrje mbi 300 metra më larg, për tek katër rrugët, te agjencia e udhëtarëve, vendi më i populluar i qytetit. Aty, pak orë më parë ishte kryer akti tragjik mesjetar i marrjes së frymës njerëzore nga terrori shtetëror komunist: Varja në trekëmbësh nazisto-komunist e poetit Havzi Nela, i vetmi poet i varur në Shqipëri dhe i fundmi ekzekutim komunist i një disidenti në të gjithë Europën Lindore.
Ende edhe sot më shfaqet ajo skenë tragjike: Mbi trekëmbësh qëndronte e varur një parullë e dizenjuar mjeshtërisht në karton: “Havzi Nela (me ngjyrë laramane) armik (me të zeza) i Partisë e Popullit (me të kuqe)”. Poshtë saj, si në gjallje, tundej e tundej me litar në qafë e trup në ajër poeti atdhetar. I kishte dy sytë të dalë e dukej sikur vështronte. Nga buzët kishte rrjedha gjaku të pandalur e dukej sikur fliste. Kishte një palë pantallona të përdorur me dok të hollë kinez. Këmisha e tij e hollë, e zbërthyer keqas, i valëvitej e valëvitej dhe gjoksi i dalë i jepte atë pamjen e martirit. Mbante, në atë çast, një opingë prej llastiku në këmbën e djathtë… Ekzekutorët e krimit me uniformë e civilë kujdeseshin për parullën e trekëmbëshin dhe, në etjen e tyre për gjak, talleshin me viktimën: me ngritje-ulje të litarit, shtrëngim të rripit të pantallonave, me njërën opingë luanin futboll…(!). Edhe të vdekur nuk e linte të qetë hakmarrja komuniste, urrejtja biologjike e patologjike e diktaturës enveriane kundër kundërshtarëve politikë”-e përshkruante këtë ekzekutim, “proletari.com” me autorësi të Drejtorit Ekzekutiv të Qendrës Shqiptare të Studimeve Amerikane e Britanike, Tiranë.
Në një dokument të publikuar në vazhdimësi nga media, duket firma e ministrit të fundit të diktaturës Hekuran Isai, për vendimin e ekzekutimit të poetit Nela. Ky dokument i datës 9 gusht 1988 i drejtohet Degës së Brendshme të Kukësit, së cilës i kërkohet dënimi me vdekje i poetit. “Ministria njofton degën e zonës se, Presidiumi i Kuvendit Popullor nuk i fali jetën të dënuarit. Vendimi ka dhe emrat e firmëtarëve të Presidiumit, ish-presidenti Ramiz Alia, Rita Marko, Xhafer Spahiu, Emine Guri, Sihat Tozaj, Eleni Selenica, Faik Çinaj, Kristaq Rama, Lumturi Rexha, Petrit Gaçe, Rrahman Hanku, Simon Ballabani, Sotir Koçollari, Stefan Qirjako dhe Terezina Marubi.

“Proletari.com”, me të njejtën autorësi (Drejtori Ekzekutiv i Qendrës Shqiptare të Studimeve Amerikane e Britanike, Tiranë), kujton këtë thënie të shkrimtarit Ismail Kadare për Havzi Nelajn:
Shkrimtari Ismail Kadare, kandidat për çmimin “Nobël”, në 20 vjetorin e varjes tragjike të poetit disident Havzi Nela, jep mesazhin, se kjo është “…një kambanë që ende bie për shoqërinë shqiptare. Të mos e dëgjosh këtë kambanë do të thotë të vazhdosh të shkelësh me këmbë Lirinë e Shqipërisë”.

Comment

*