Në Tiranë u prezantua “Historia e përbashkët, larg steriotipeve, nacionalizmave dhe politizimit”

Dy botime për Historinë e Përbashkët për Europën përfshijnë periudhën pas Luftës së Dytë Botërore nga vitet 1944-1990-2008

Denion Ndrenika

Historianë, politikanë vendas dhe europianë, pedagogë dhe studentë ishin të pranishëm në prezantimin e projektit “Historia e përbashkët, larg steriotipeve, nacionalizmave, politizimit”.

Projekti 18-vjeçar u paraqit mbrëmjen e së hënës në sallën e kryeministrisë në Tiranë, pas Brukselit më 15 nëntor nga Qendra për Demokraci dhe Pajtim në Europën Juglindore, CDRSEE, mbështetur nga Parlamenti Europian.

Dy botime për Historinë e Përbashkët për Europën përfshijnë periudhën pas Luftës së Dytë Botërore nga vitet 1944-1990-2008. Librat mësimorë u hartuan nga ekspertë të vendeve pjesëmarrëse.

Hartuesit e projektit, thanë se janë katër drejtime ardhmërie edukative historike në 11 gjuhë. Ish-eurodeputeti austriak Hanes Svoboda, kryetar i bordit të projektit, e ka porosinë për popujt dhe shtetet ballkanike:

“Lind pyetja a mund të mësojmë ne popujt e Ballkanit nga historia? Nëse duam ne mund të mësojmë nga historia. Historia e Ballkanit nuk duhet parë si burim konfliktesh që i shfrytëzojnë fuqi të tjera sa herë i shohin të dobët këta popuj. Prandaj duhet bashkëpunim”.

Historiania Valentina Duka, pjesëtare e ekipit projektues vërejti se “ne mësojmë shumë histori Europe, bote por histori Ballkani në kurrikulat zyrtare të nivelit parauniversitar nuk mësohet në asnjë prej vendeve të Ballkanit Perëndimor”.

Kurse, ministrja e Arsimit dhe Sportit, Lindita Nikolla, theksoi se “objektivat e këtyre projekteve të jenë të realizuara, sepse fitojnë shumë shoqëritë tona, por më shumë fiton e ardhmja jonë e përbashkët e integrimit europian”.

Projekti i “Historisë së Përbashkët për Europën” do të prezantohet në të gjithë kryeqytetet e vendeve të Ballkanit Perëndimor.

Comment

*