27 vjet nga themelimi i Lidhjes Demokratike të Kosovës

Prishtinë, 23 dhjetor 2016 – Sot (e premte, 23 dhjetor 2016) u mbushën 27-vjet prej themelimit të Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), partisë së parë politike që ia hapi dyert pluralizmit politik në hapësirat shqiptare pas sundimit komunist pesëdhjetë e pesë vjeçar.

Lidhja Demokratike të Kosovës, e cila ishte shndërruar në një lëvizje të gjerë politike për lirinë e pavarësinë e Kosovës, ishte bërë model për të gjitha forcat e reja demokratike në hapësirat shqiptare. Ajo kishte arritur të ndërtojë unitetin e të gjithë faktorëve, brenda dhe jashtë atdheut, për lirinë e pavarësinë e Kosovës dhe për demokratiuzimin e Shqipërisë.

Një përvjetor si ky është gjithmonë një rast i mirë për të kujtuar figurat e rëndësishme të lëvizjes politike për liri e pavarësi, që u sublimua në akronimin e famshëm LDK.

Në krye të këtyre figurave, pa dyshim, është shkrimtari e studiuesi i madh i letërsisë, Ibrahim Rugova. Krahas tij renditen figura të tjera të rëndësishme të botës shkencore, arsimore, kulturore e publike, shumë prej të cilëve kanë shkuar në amshim.

Ja një histori e shkurtër e LDK-së, e publikuarnga Qendra për Informim e Kosovës, e para agjenci e pavarur e lajmeve në hapësirën shqiptare.

***

Në shtator dhe tetor të vitit 1989, një grup shkrimtarësh dhe intelektualësh, në kohën e shqetësimeve më të mëdha politike dhe shoqërore te ne, u pajtua, gati spontanisht, që të themelonte një parti politike, e cila do t’i artikulonte kërkesat politike të shqiptarëve dhe do të bëhej nismëtare e proceseve të pluralizmit, që ishin në nismë në vendet e bllokut të atëhershëm socialist.

Iniciativa për themelimin e një partie që do të pagëzohet Lidhja Demokratike e Kosovës, doli nga shkrimtarët Jusuf buxhovi, Ibrahim Berisha, Mehmet Kraja dhe Xhemail Mustafa. Pas shumë bisedash, ata angazhuan koordinator të Këshillit nismëtar Jusuf Buxhovin, i cili mori përsipër kontaktimin me intelektualët e tjerë dhe hartimin e programit dhe statutit të partisë.

Nisma për themelimin e Partisë u përkrah menjëherë pa rezervë nga dr.Ibrahim Rugova, dr.Ali Aliu, Ajri Begu, Basri Çapriqi e Ramiz Kelmendi, të cilët me nënshkrimet e tyre, pranuan të bëhen anëtarë të Këshillit nismëtar për themelimin e LDK-së.

I kompletuar, Këshilli nismëtar takohej herë pas here dhe bisedonte për konturat e ardhshme të partisë. Pa marrë parasysh vështirësitë e fillimit dhe ato të kohës, u vendos që në punën e mëtutjeshme të themelimit të partisë të përfshiheshin edhe intelektualë të tjerë, të profileve të ndryshme.

Kështu, në listën e nismëtarëve u gjendën edhe dr.Fehmi Agani (që dha ndihmesë të konsiderueshme për versionin përfundimtar të tekstit të Programit të partisë), pastaj aktivistët e palodhshëm dr.Bujar Bukoshi, dr.Zenel Kelmendi, Zenun Çelaj, dr.Jusuf Bajraktari, Mustafë Radoniqi, Hysen Matoshi e Neshet Nushi, për t’u forcuar, më në fund, me akademikët dhe shkencëtart tanë të nderuar: prof.dr.Idriz ajeti, prof.Mark Krasniqi, prof.Dervish Rozhaja, Anton Çetta dhe Zekiria Cana.

Bërthama e Këshillit nismëtar, e përbërë prej njëmbëdhjetë vetash (sa parashihej edhe me ligjin e atëhershëm federativ për shoqatat e qytetarëve), u mblodh disa herë gjatë tetorit dhe nëntorit. Takimet duhej të dukeshin “spontane”, andaj shumica e tyre mbaheshin në kafenenë “Elida” në qendrën e rinisë e sporteve “Boro-Ramizi”.

Ndërkohë, nga gjysma e nëntorit dhe fillimi i dhjetorit po krijoheshin konturat e qarta të Programit të partisë si dhe statuti. Koordinatori Jusuf Buxhovi disa herë ua parashtroi anëtarëve të bërthamës të Këshillit nismëtar përmbajtjen e Programit dhe të Statutit, duke e plotësuar atë me vërejtjet dhe propozimet që i jepeshin nga njëmbëdhjetëshja, si dhe të tjerët që konsultoheshin. Në javët e para të dhjetorit versioni i programit ishte i gatshëm dhe ai u miratua. Mbetej për t’u caktuar dita dhe vendi i mbajtjes së kuvendit themelues të Lidhjes Demokratike të Kosovës.

Kishte propozime të ndryshme, nga ato se kuvendi duhej mbajtur menjëherë në heshtje, deri tek ata që duhej shtyrë pas vitit të ri. Rrethanat përnjëmend ishin të tensionuara, ngase nuk dihej se si do të reagonte pushteti i atëhershëm partiak, i cili ishte në shkatërrim e sipër. Pas shumë shqyrtimesh, u caktua data – 23 dhjetor 1989, pra, dita e shtunë.

Kuvendi themelues u vendos të mbahej në lokalet e Shoqatës së Shkrimtarëve të Kosovës, ku rëndom asokohe zhvilloheshin që të gjitha vlimet shoqërore dhe politike. Koordinatori i grupit u angazhua ta bënte paraqitjen ligjore të mbajtjes së kuvendit themelues në polici, me tërë dokumentacionin, ashtu si e kërkonte ligji i atëhershëm për mbajtjen e manifestimeve dhe tubimeve publike. Policia nuk njoftoi se do ta ndalonte kuvendin themelues të Lidhjes Demokratike të Kosovës, por as nuk dha pëlqim për të. Gjendja, pra, mbahej e tensionuar.

Duhet cekur se shtypi i atëhershëm në gjuhën shqipe nuk botoi kurrfarë lajmi për ditën dhe vendin e mbajtjes së kuvendit themelues të LDK-së, anipse Këshilli nismëtar kërkoi që kjo të bëhej. Megjithatë, informimi u bë në mënyrë fare interne, gojë me gojë, duke njoftuar ata që dëshironin të vinin në kuvendin themelues.

Të shtunën, në mëngjes, diku rreth orës 9, në lokalet e Shoqatës së Shkrimtarëve të Kosovës, u mblodh tash në përbërje të zgjeruar Këshilli nismëtar për themelimin e Lidhjes Demokratike të Kosovës. Të gjithë u pajtuan me Programin dhe Statutin e saj. U bisedua bukur shumë për strukturën udhëheqëse të partisë.

Që të gjithë ishin të mendimit se kryetar i saj duhej të bëhej dr.Ibrahim Rugova, ndërsa sekretar Jusuf Buxhovi.

Grupi nismëtar nguli këmbë që dr.Rugova duhej të propozohej për kryetar dhe u deklarua që këtë ta parashtronte Kuvendi themelues, me çka ai u pajtua.

Diku para orës dhjetë të paraditës filluan të vinin, heshtazi, të interesuarit për Kuvendin themelues.

Pikërisht në orën dhjetë, lokali i vogël i Shoqatës së Shkrimtarëve të Kosovës mezi i zuri ata që kishin vendosur të merrnin pjesë në mbledhjen e Kuvendit themelues të LDK-së. Ata ishin gjithsej 96 veta, të cilët me nënshkrimet e veta dhe me deklarim të lirë u përcaktuan t’ia vinin themelet partisë së parë politike shqiptare të pagëzuar Lidhja Demokratike e Kosovës.

Këshilli nismëtar, që më parë u pat marrë vesh se mbledhjen duhej ta hapte dr.Zenel Kelmendi, i cili, pasi do të përshëndeste të pranishmit, do të propozonte rendin e ditës, kryesinë e punës, si dhe komisionet e domosdoshme të Kuvendit. Dr.Zenel Kelmendi e hapi kuvendin me pak fjalë dhe propozoi kryesinë e punës në këtë përbërje: dr.Ibrahim Rugova, Jusuf Buxhovi, Ali Aliu, Fehmi Agani dhe Zenel Kelmendi, gjë që të pranishmit u pajtuan. Pastaj, ai propozoi komisionin kandidues në krye me Milazim Krasniqin, si dhe procesmbajtës Hysen Matoshin.

Në emër të Këshillit nismëtar dhe të Kryesisë së punës, Programin e Lidhjes Demokratike të Kosovës dhe Statutin e saj e lexoi Jusuf Buxhovi.

Të pranishmit dëgjuan me vëmendje Programin dhe Statutin e LDK-së dhe miratuan me duartrokitje të gjatë përmbajtjet e tyre. Askush nuk ishte kundër.

Kryesuesi ia dha fjalën Milazim Krasniqi, që në emër të Këshillit kandidues të propozonte udhëheqësinë e parë të Lidhjes Demokratike të Kosovës. Ai bëri këto propozime:

  1. Kryetar i Lidhjes Demokratike të Kosovës – dr.Ibrahim Rugova,
  2. Sekretar- Jusuf Buxhovi,
  3. Anëtarë të Kryesisë: dr.Fehmi Agani, dr.Bujar Bukoshi, dr.Ali Aliu, Nekibe Kelmendi, Mehmet Kraja.

Propozimet u miratuan me duartrokitje të gjata nga të pranishmit.

Pastaj, fjalën e mori dr.Ibrahim Rugova, i cili falenderoi për besimin e dhënë dhe u zotua se do t’i kryente detyrat që dilnin nga Programi i Lidhjes Demokratike të Kosovës.

Mbledhja e Kuvendit themelues të Lidhjes Demokratike të Kosovës, e cila filloi në orën 10:5 minuta, përfundoi në orën 11:10 minuta.

Mbledhjen e ndoqën korrespodentët dhe gazetarët e këtyre gazetave: “Rilindja”, Tanjugu, Radiotelevizioni i Prishtinës, “Oslobogjenje”, “Vjesniku” dhe Radio-Lubjana. Nga të dhënat e sakta del se informata për themelimin e Lidhjes Demokratike të Kosovës dhanë “Rilindja” (një lajm të gjymtuar keqas), Tanjugu dhe Radio-Lubjana. Dy ditë më vonë për themelimin e LDK-së njoftoi RTV i Beogradit, “Vjesniku”, ndërsa nga agjencitë e huaja njoftuan: AFT, AP dhe DPA. TV Prishtina e dha lajmin shkurtimisht në ditarin e natës së Vitit të Ri, pra, me një javë vonesë.

Programi i Lidhjes Demokratike të Kosovës, qysh të hënën, pra, më 25 dhjetor 1989, iu dërgua, ashtu siç e kërkonte ligji, organeve policore krahinore e gjykatës (që të bëhej regjistrimi në regjistrin e shoqatave të pavarura, anipse në vend atëherë ende nuk kishte ligj federativ për partitë politike), pastaj Ambasadës së SHBA-ve në Beograd, Ambasadës së Anglisë në Beograd, si dhe Ambasadës së Gjermanisë në Beograd, si dhe Ambasadës së Francës në Beograd. I përkthyer në gjuhën angleze, Programi i Lidhjes Demokratike iu dërgua për atë ditë të gjitha agjencive më të mëdha botërore edhe Tanjugut.

***

 

Image may contain: 12 people, people sitting

Deklarata e parë programore e LDK-së më 1989

 

Është e drejtë imanente e Kosovës dhe e popullsisë së saj që për rirregullimin dhe ridefinimin e marrëdhënieve të popujve të Jugosllavisë të shprehet lirisht, për pozitën dhe interesat e veta të vendosë i lirë dhe i barabartë me të gjithë popujt e tjerë.

Lidhja Demokratike e Kosovës, si parti politike e qytetarëve të lirë, angazhohet për reformat ekonomike e shoqërore, që synojnë daljen sa më të shpejtë nga kriza e tashme dhe zhvillim demokratik të proceseve politike.

Lidhja Demokratike e Kosovës angazhohet për ekonomi të tregut, për forma të ndryshme të pronësisë dhe barazinë e tyre, për treg modern dhe për përjashtimin e ndërhyrjes jokompetente të politikës në çështje ekonomike, (duke filluar nga orientimi pa kriter i investimeve, e deri te caktimi i kuadrit drejtues në ekonomi).

LDK-ja është kundër arbitraritetit administrativo-politik dhe kundër kufizimeve shtetërore të pronës dhe të iniciativës private, kundër bllokimit të kësaj veprimtarie me taksa, ngarkesa dhe pengesa të papërballueshme.

LDK-ja do të përpiqet për stimulimin e punës, të kreativitetit për vlerësimin meritor dhe për ngritjen e dinjitetit të punës e të punëtorit, për stimulimin e iniciativave dhe të angazhimeve investive, për racionalizimin dhe për modernizimin e prodhimit, për rikonstruksione dhe orientime moderne prodhuese dhe jo për falimentime dhe shuarje të nxituara të organizatave ekonomike.

LDK-ja angazhohet kundër privilegjeve në baza rajonale, kombëtare ose të tjera dhe kundër çdo tendence të rrënimit të potencialeve ekonomike të Kosovës.

Respektimi dhe kultivimi i ideve, i vlerave dhe i parimeve progresive evropiane dhe botërore, i lirive dhe i të drejtave të njeriut, të dinjitetit të individit, të barazisë, të tolerancës e të mirëkuptimit, të sovranitetit të popullit, të shtetit juridik dhe të judikaturës së pavarur, të solidaritetit, të rezistencës ndaj shtypjes, ndaj dhunës dhe ndaj terrorit të çdo forme B janë këto orientimet dhe vlerat themelore të veprimit politik të Lidhjes Demokratike të Kosovës.

Lidhja Demokratike e Kosovës angazhohet për demokraci, e cila do të sigurojë barazinë e plotë juridike e politike të të gjithë qytetarëve, pavarësisht nga përkatësia kombëtare, gjinore apo fetare. Për shtet të mirëfilltë juridik, që respekton kushtetutën dhe ligjet demokratike të miratuara me procedurë demokratike, që përjashtojnë arbitraritetin politik e partiak të pushtetmbajtësve.

Lidhja Demokratike e Kosovës përqafon pluralizmin politik që shpreh struktura dhe interesa të ndryshme, që mundëson garën e koncepcioneve dhe të opcioneve të ndryshme politike përmes sistemit parlamentar dhe shumpëpartiak; angazhohet për mbrojtjen e plotë dhe për zgjerimin e të drejtave dhe të lirive të njeriut, për të drejtën e mendimit dhe të shprehjes së lirë, për lirinë e organizimit politik.

LDK-ja lufton kundër çfo forme të urrejtjes, të dhunës e jotolerancës kombëtare e fetare, kundër çdo forme të diskriminimit dhe gjenocidit, kundër çdo tentative të ndryshimit të dhunshëm të strukturave ekzistuese etnike. Angazhohet kundër çdo monopoli politik dhe ekskluziviteti ideologjik, për lirinë e ndërgjegjës dhe të bindjeve politike. Është kundër çdo ndjekjeje dhe kërkon lirimin e të gjithë të burgosurve politikë. Angazhohet për pavarësi të gjyqeve dhe të gjyqtarëve.

LDK-ja angazhohet për zhvillimin e gjithanshëm shpirtëror të të gjithëve, për arsim të plotë në gjuhën amtare në të gjitha shkallët e shkollimit, për ruajtjen e pozitës dhe të dinjitetit moral e material të shkollës e të arsimtarit, për kultivimin e gjuhës amtare dhe për barazinë e saj në komunikim publik dhe në administratë, për përdorimin e lirë të simboleve kombëtare dhe për kremtimin me dinjitet të festave dhe për kultivimin e vlerave kombëtare.

LDK-ja përshëndet dhe përkrah proceset integruese në Evropën e sotme.

LDK-ja është kundër gjendjes dhe masave të jashtëzakonshme, kundër izolimeve dhe diferencimeve, kundër diskualifikimeve dhe etiketimeve.

Përpiqet për dialog dhe mirëkuptim në procesin e bashkëpunimit me partitë politike, veçmas ato që kanë orientime të ngjashme programore.

LDK-ja përkrah organizimin dhe aktivitetin e lirë sindikal.

LDK-ja angazhohet për ruajtjen e mjedisit, të natyrës dhe resurseve të saj. Asnjë gjeneratë nuk ka të drejtë të shfrytëzojë në mënyrë të papërgjegjësi vlerat dhe begatitë që duhet t’u takojnë edhe gjeneratave të ardhshme.

(Pjesë nga Deklarata Programore e LDK-së, e miratuar në tubimin themelues të partisë, më 23 dhjetor 1989, në Prishtinë).

***

Image may contain: 4 people, people sitting

Lista e anëtarëve të Këshillit nismëtar për themelimin e Lidhjes Demokratike të Kosovës:

  1. Jusuf Buxhovi,
  2. Zekiria Cana,
  3. Milazim Krasniqi,
  4. Ajri Begu,
  5. Ibrahim Rugova,
  6. Bujar Bukoshi,
  7. Fehmi Agani,
  8. Ibrahim Berisha,
  9. Mehmet Kraja,
  10. Ali Aliu,
  11. Zenel Kelmendi,
  12. Ramiz Kelmendi,
  13. Akademik Idriz Ajeti,
  14. Akademik Dervish Rozhaja,
  15. Akademik Mark Krasniqi,
  16. Anton Çetta,
  17. Zenun Çelaj,
  18. Mustafa Radoniqi,
  19. Basri Çapriqi,
  20. Jusuf Bajraktari,
  21. Xhemail Mustafa,
  22. Hysen Matoshi,
  23. Nexhet Nushi.

***

Lista e pjesëmarrësve të Kuvendit Themelues të Lidhjes Demokratike të Kosovës:

1 .Dr Ibrahim Rugova,

  1. Jusuf Buxhovi.
  2. Akademik Idriz Ajeti,
  3. Akademik Dervish Rozhaja,
  4. Fehmi Agani,
  5. Zenel Kelmendi,
  6. Ali Aliu,
  7. Ymer Jaka,
  8. Nekibe Kelmendi,
  9. Xhemail Mustafa,
  1. Arbër Xhaferi,
  2. Mehmet Kraja,
  3. Milazim Krasniqi,
  4. Abdyl Krasniqi,
  5. Sylejman Syla,
  6. Hysen Matoshi,
  7. Neshet Nushi,
  8. Hysen Zhekra,
  9. Agni Ilir Dika,
  10. Luljeta Buxhovi,
  11. Evliana Bajqinovci,
  12. Vesta Nura,
  13. Ajri Begu,
  14. Hasan Hajzeri,
  15. Fatmir Sejdiu,
  16. Fehmi Rexhepi
  17. Sejdullah Hoxha,
  18. Muharrem Ramabaja,
  19. Fetah Ademi,
  20. Suzana Hajzeri,
  21. Sylejman Aliu,
  22. Ilaz Bylykbashi,
  23. Ali Mehmetaj,
  24. Sali Sefaj,
  25. Ahmet Kelmendi,
  26. Florent Neka,
  27. Ismail Gashi,
  28. Ramadan Sejdiu,
  29. Ibrahim Berisha,
  30. Rami Hoxha,
  31. Jusuf Rexhepi,
  32. Bahrije Krasniqi,
  33. Shefqet Gashi,
  34. Mon Muliqi,
  35. Ejup Kolica,
  36. Milaim Kadriu,
  37. Sadi Bexheti,
  38. Luan Pula,
  39. Daut Blakaj,
  40. Ylber Hysa,
  41. Haxhi Mehmetaj,
  42. Rexh Mehmetaj,
  43. Nehat S. Hoxha,
  44. Demë Topalli,
  45. Hamdi Gërguri,
  46. Sali Zekaj,
  47. Qamil Batalli,
  48. Rexhep Hajdari,
  49. Shemsi Sh. Gërguri,
  50. Ejup Latifi,
  51. Bajrush Plakaj,
  52. Ali Krasniqi,
  53. Petrit Dushi,
  54. Abit Asllani,
  55. Lutfi Bilalli,
  56. Selman Mehaj,
  57. Isak Murati,
  58. Nehat Krasniqi,
  59. Ragip Veseli,
  60. Abdyl Ramaj,
  61. Xhafer Xhaferi,
  62. Binak Kelmendi,
  63. Islam Veliu,
  64. Halil Matoshi,
  65. Mentor Jakupi,
  66. Bejtush Isufi,
  67. Lutfi Dervishi,
  68. Salih Krasniqi,
  69. Skënder Kada,
  70. Isuf Hakaj,
  71. Faik Polloshka,
  72. Abdyl Kadolli,
  73. Gani Mehmetaj,
  74. Islam Ejupi,
  75. Agron Haxhosaj,
  76. Ndue Kurti,
  77. Mehmet Gashi,
  78. Skënder Zogaj,
  79. Ibrahim Kelmendi,
  80. Selajdin Krasniqi,
  81. Bujar Mirsini,
  82. Zenun Çelaj,
  83. Fikrije Mirsini,
  84. Behram Krasniqi,
  85. Abdullah Osmani,
  86. Xhafer Hyseni,
  87. Mehedin Rexhepi,
  88. Munish Hyseni,
  89. Abdyl Mustafa,

100, Adem Hasanaj,

  1. Rrahman Bislimi,
  2. Milaim Kelmendi,
  3. Flamur Keqa,
  4. Fatos Aliu,
  5. Rizah Krasniqi,
  6. Rifat Krasniqi,
  7. Musa Tullari,
  8. Haqif Sh. Mulliqi,
  9. Ali N.Duli,
  10. Haki Mulliqi,
  11. Abdyl Zhaveli.
  12. Basri Gojani,
  13. Zaim Istrefi,
  14. Kadri Zhuta,
  15. Mizhait Pollozhani,
  16. Ramadan Muharrem Maloku,
  17. Rexhep Sahit Osmani,
  18. Rihan Ismaili,
  19. Ramiz Fazliu dhe
  20. Hazir Reka.

 

(Marrë  nga “Histori e shkrtër e LDK-së”, publikuar në web-faqen e Qendrës për Inform të Kosovës, QIK)

04ibrahim-rugova_rexhep-ismajli_fehmi-agani

One Response to “27 vjet nga themelimi i Lidhjes Demokratike të Kosovës”

Read below or add a comment...

  1. Ismail says:

    Stafi aktual i LDK, do ishte mire te na jepin sqarime te drejta e te verteta,Ku jane aktualisht, kur u larguan dhe pse u larguan, ish “Themeluesit”,tash 120, vitin e kaluar 119. Kush dhe sa ishin Kuvendaret e Kuvendit te Pare, te 1990 mbajtur ne Medresen “Alaudin”.

Comment

*