28 Nëntori na rindez zjarrin e atdhedashurisë

-Veprimtari kushtuar ditës së Pavarësisë-

 

Nga Fuat Memelli

Të parët që “ndezën“ këtë atmosferë, ishin besimtarët e Kishës “Shën Trinia”. Pas meshës së të dielës që kaloi, besimtarët e kësaj kishe si dhe shqiptarë të tjerë, morën pjesë në veprimtarinë përkujtimore kushtuar ditës së Flamurit. Në emër të bordit të kishës, përshëndeti kryetari Gjergji Nini. Pas lutjes së rastit, Hirësia e tij, Peshkop Ilia Ketri, ftoi pjesëmarrësit të këndojnë së bashku himnin e Amerikës dhe atë të Shqipërisë. Si të ishte një kor i madh, gjithë pjesëmarrësit kënduan dy himnet, duke përjetuar emocione të veçanta. Pastaj Hirësi Ilia tha :” Rroftë Shqiparia!” “Rroftë Amerika”.

Pas këtij “prologu” si të thuash të veprimtarisë, pesë referues mbajtën fjalën e tyre për tema që lidhen me festën e 28 Nëntorit dhe historinë e Shqipërisë. Siç theksuan edhe vetë referuesit, për materialet e tyre ishin bazuar në botime të studjuesve, historianëve, shkrimtarëve, gazetarëve , etj. Ia pari që foli ishte , Jani Plasa. Ai u ndal në historinë e flamurit shqitar, origjinën e tij, idealeve që ai ka shprehur apo mbart në ditët tona , vlerave simbolike që ka ngjyra e tij e kuqe e ndezur dhe që lidhet me karakteristikat thelbësore të popullit shqiptar siç janë : trimëria, qëndresa dhe nderimi ndaj lirisë dhe gjakut që ai ka derdhur ndër shekuj. Me shumë interes pjesëmarrësit dëgjuan informacionet që ai solli rreth lashtësisë së përdorimit të figurës të shqiponjës në stema dhe flamurë që nga koha e shtetit të Arbërit, më tej prej Kastriotëve e princërve të tjerë arbër dhe deri në kohët moderne , ndryshimeve që i janë bërë vizatimit të shqiponjës në periudha dhe sisteme të ndryshëm ekonomiko-politike ,vlerave që ka shprehur dhe sjellë deri sot shqiponja, sic jane : pushteti por edhe guximi e lartësimi i shpirtit shqiptar. Një moment interesant gjatë leximit të shkrimit të vet, ishte kur ai shtroi pyetjen : “Cili ka qënë flamuri që u ngrit në Vlorë më 28 Nëntor 1912 dhe kush ka qënë autori apo “pronari” i tij?” U përgjigj vetë folësi, duke sjellë mendime të ndryshme të studjuesve, disa herë kontradiktore .

Fuat Memelli në referimin e tij u ndal në historikun e himnit tonë Kombëtar. Siç dihet poezia e himnit është shkruar nga Asdreni në vitin 1908 ndërsa muzika është kompozuar nga kompozitori rumun Ciprian Porumbesku. Për herë të parë zyrtarisht himni ynë është pranuar nga Qeveria e Ismail Qemalit në vitin 1912. Siç ka shkruar Lasgush Poradeci “ kjo këngë e ngritur dhe kënduar për të parën herë nga kori i kolonisë shqiptarë të Bukureshtit, do të ishte himni i ardhëshëm”. Më tej Lasgushi duke vazhduar të flasë për himnin tonë, thekson …” kjo ngjau se populli e gjeti të pëlqyer, vetë e dëshiroi ai ashtu , nga gjiri i tij i dha trajtën dhe frymën, vetë e shënjtëroi “. Lidhur me tekstin e poezisë së Asdrenit, Lasgushi thekson:” është një akt e fakt etnikisht shqiptar” ndërsa Migjeni në poezinë kushtuar himnit të Flamurit, shkruan:” U vodh kënga nga zemra e kombit”. Lidhur me regjistrimin me nota të tij , ato ardhën të gatëshme nga Bukureshti në vitin 1908 dhe u kënduan me nota nga Banda e Lirisë së qytetit të Korçës, e përbërë nga 25 muzikantë. Regjistrimi për herë të parë në disk i himnit, është bërë në vitin 1923. Ai është kënduar dhe regjistruar nga muzikanti patriot Spiridon Ilo, së bashku me tenorin arbëresh me famë botërore, Giuseppe Mauro. Folësi u ndal edhe në tentativat e ndryshme që janë bërë për të krijuar një himn të ri me tekst e muzikë tjetër, por ato si të thuash nuk “ngjitën” në popull dhe kështu mbeti himni “Rreth flamurit të përbashkuar”.

Në vazhdim, Niko Dakua mbajti ligjëratën:” Kuptimi i tre fjalëve: Albëri, Albani, Shqipëri. Ai shtroi pyetjen: pse Atdheu ynë ka dy emra, emërtime të dyfishtë. I pari është Shqipëri dhe njerzit e saj quhen shqiptarë. Ky është si të thuash përdorim i brendëshëm , mes vetë shqiptarëve. Emërtimi tjetër është Albania (Allbenia) siç e përdorin të huajt për ne. Këto terma lidhen me lashtësinë e Atdheut dhe popullit tonë. Për këtë problem kanë shkruar dy studjues, Gustav Majer (gjerman) dhe Holger Pedersen (danez). Në mënyrë më të detajuar këtë problem e ka trajtuar Eqerem Çabej, i cili ka argumentuar me forcë dhe shkencërisht se shqiptarët janë pasardhës të ilirëve. Më hershëm e ka trajtuar këtë problem, qysh në shekullin e dytë pas Krishtit, është Ptolemeu, astronom dhe gjeograf i madh grek. Në hartën e botës greko-latine, që ai ka bërë e që njihej deri atëherë, Ptolemeu përmënd për herë të parë fisin ilir të Albanëve (Albanoi) siç e quan ai dhe qendrën e tyre, Albanofilis. Është provuar se ky vend gjendet në juglindje të Krujës. Aty sot ndodhet fshati Zgërdhesh.

Dardhari Sotir Pani, bazuar në librin e Mihal Gramenos “Kryengritja shqiptare” foli për udhëtimet e Mihal Gramenos e Çerçiz Topullit në zonën e Devollit, Korçës e Kolonjës. Ai u ndal në takimet që ata kanë bërë me popullin në fshatrat Çipan, Gjyres, Menkulas, Bozhigrad, Çetë, Qytezë e Sinicë të Devollit. Kur çeta e tyre ndodhej në Sinicë, u njoftuan se nga Bozhigradi po vinin turqit. Aty u ngrit një grua sinicare e tha: “ Le të vijnë turqit ta provojnë si luftojnë e si vdesin gratë e Sinicës”. Në teqenë e Melçanit kishin shkuar për të dëgjuar luftëtarët e lirisë banorë të qytetit të Korçës si dhe të fshatrave të këtij rrethi. Trimat dhe çeta e tyre kanë zhvilluar takime me popullin edhe në zonën e Kolonjës.

Në fund referoi Harallamb Prifti. Ai u ndal në ditën e fundit të jetës së Ismail Qemalit, që i përket vitit 1917. Ismaili ishte ftuar nga ish ministri i Jashtëm dhe kryeministri i asaj kohe të Italisë, por kur ai mbriti ditën e caktuar në Peruxhia, autoritetet i thanë se dy zyrtarët e lartë italianë, nuk kishin mundësi ta prisnin. Sipas tregimit të Ethemit, djalit të Ismailit, thënë ish kryetarit të bashkisë së Vlorës, Ali Asllani, i ati doli të flasë në një konferemcë shtypi me gazetarë, por në moment nuk u ndie mirë, u zverdh dhe shkoi në banjë ku e hipën të vjellat. Më pas ai vdiq në moshën 75 vjeçare. Ishte data 23 janar, në po ajo datë që kishte lindur. Para se të ndronte jetë, i kishte thënë djemve:” Bijtë e mi. Unë nuk bëra pasuri t’ja le trashëgim Shqipërisë. Po ju le një atdhe amanet. Lamtumirë!” Trupi i tij u mbajt dy javë në Itali pastaj u soll në Vlorë dhe u varros në Kaninë, në fshatin e lindjes. Më 1932 trupi i tij u rivarros në qytetin e Vlorës. Është kjo një histori e trishtë për të cilën është folur e shkruar , theksoi Harallamb Prifti.

Në këtë veprimtari pjesëmarrësit vzituan edhe dy ekspozita, atë të filatelistit të njohur, Jani Plasa si dhe atë të piktorit, Sterjo Shkodrani. Të pranishmit panë me kureshtje dhe shijuan vlerat shkencore, historike , estetike te ekspozites “Flamuri dhe shqiponja ” te përgatitur nga Jani Plasa. Ekspozita përmbante rreth 20 fotografi të disa dokumenteve që shënojnë çaste të rëndësishme të shpalljes së Pavarësisë dhe flamureve shqiptarë të përdorur me ndryshime të vizatimit të shqiponjës ndër dekada në 30 panele me rreth 200 pulla poste shqiptare dhe më pak të huaja , 15 F.D.C.( zarfe të ditës së parë) si edhe 2 panele me monedha e kartmonedha shqiptare me figurën e shqiponjës.

Me një fotografi para flamurit shqiptar dhe atij amerikan, u mbyll kjo veprimtari kushtuar ditës së Pavarësisë, nismëtar i të cilës ishte Peshkop Ilia. Ajo do të pasohet me veprimtari të tjera këtu në Boston. Ne emigrantët, sa herë mblidhemi të përkujtojmë ngjarje të shënuara të popullit tonë, mbushemi me emocione, pasi na duket sikur kemi mes nesh një “copëz” Shqipërie, për të cilën na djeg malli. Na duket sikur na rindizet zjarri i atdhedashurisë e patriotizmit.

One Response to “28 Nëntori na rindez zjarrin e atdhedashurisë”

Read below or add a comment...

  1. Sadik Elshani says:

    Vetem nje korrigjim: Ismail Qemali nuk ka vdekur me 1917, por ne vitin 1919.

Comment

*