30 vjet më parë u themelua Lidhja Demokratike e Malit të Zi

Xheladin Zeneli

Nga Xheladin Zeneli
Fillimisht , dëshiroj që me këte rast të falenderoj LD në MZ, për Mirënjohjen që më dhanë vite më parë, (me rastin e 25 vjetorit të themelimit të saj ), në veçanti prof. Mehmet Bardhin (ish-kryetar) dhe z. Saubih Mehmedin (kryetar i tanishëm), i cili përsonalisht m’a dorëzoi këtë mirënjohje me rastin e vizitës së tij në Nju Jork para disa viteve.
30 vite më parë, bashkë me shumë të tjerë, kam pasur nderin që të jem pjesë e këtij evenimenti historik , si anëtar i Kuvendit themelues në Tuz me 9 shtator 1990 ku muarën pjesë përfaqësues nga të gjitha trojet etnike shqiptare në Mal të Zi ( Tuzi – Malësia, Ulqini, Ana e Malit, Kraja, Plavë-Guci dhe Rozhaja) . Duhet theksuar se ish deputeti i Parlamentit të Malit të Zi, z. Lekë Lulgjuraj ka meritën kryesore në themelimin e partisë së parë shqiptare në Mal të Zi,i cili njëherit ishte dhe kryetari i Këshillit inicues dhe kryetar i Kuvendit themelues në Tuz me 9 shtator 1990.
Me rënien e sistemit monist dhe vendosjes së pluralizmit politik, shqiptarët në trevat e tyre etnike nën Jugosllavi , themeluan partitë e tyre si mjet politik i arritjes së të drejtave të tyre kombëtare dhe njerëzore. Pas themelimit të Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), me 23 Janar 1989, përkatësisht gjatë vitit 1990 do të themelohen partitë e tjera si ajo e shqiptarëve në Maqedoni, ( Partia e Prosperitetit Demokratik), partia e shqiptarëve të Luginës së Preshevës (Partia e Veprimit Demokratik) kurse te shqiptarët në Mal të Zi, Lidhja Demokratike në Mal të Zi.
Roli dhe veprimtaria e LD në MZ në at kohë, do të vlerësohet dhe karakterizohet nga shumëkush si LËVIZJE POPULLORE E SHQIPTARËVE NË MAL TË ZI, duke marrë parasysh përkrahjen e gjërë dhe masive që kjo parti kishte atëherë në popull. Prandaj 9 Shtatori 1990 është një datë e rëndësishme historike për gjithë shqiptarët në Mal të Zi .
Gjatë tre dekadave të kaluara, spektri politik shqiptar në Mal të Zi ka evoluar dukshëm dhe ka pësuar një ndryshim të madh në disa aspekte, veçanërisht në aspektin e rritjes së numrit të partive politike. Ashtu si edhe me partitë e tjera politike në hapësirën shqiptare që konsiderohen pionerët e pluralizmit politik shqiptar, edhe LD në MZ nuk ka mundur të qëndroi imun ndaj ndarjeve dhe fraksioneve që kjo parti ka pësuar kohë pas kohe, ndarje këto që kanë përfunduar në formimin e partive të reja.
Megjithate, jo me të njëjtën fuqi politike që kishte në fillim , pra me një fuqi në rënie e sipër si pasojë e formimit të partive të tjera rivale, duke përfshirë edhe ato që kanë dalur nga gjiri i saj, LD në MZ edhe pas tre dekadave ka arritur të mbijetoi si subjekt politik dhe ti qendroi provës së kohës dhe sot vazhdon gjithënjë të jetë pjesë aktive e spektrit politik shqiptar në MZ.
Në këtë përvjetor jubilar, uroj që LD në MZ të vazhdojnë rrugëtimin e saj të metejshëm dhe bashkë me subjektet e tjera politike shqiptare dhe si pjesë e një faktori të unifikuar shqiptar, të kontribojë me sukses në avancimin e statusit dhe përmirësimin e të drejtave të kombëtare të shqiptarëve në Mal të Zi.
Xheladin Zeneli
9 Shtator 2020
Për më shumë lidhur me historikun e shkurtër të kësaj partie:

S’ka dyshim se rënien e sistemit monist dhe vendosjen e pluralizmit politik në shtetin e atëhershëm të Jugosllavisë, shqiptarët e mirëpriten me shpresë dhe besim në ndryshimin pozitiv të së ardhmës së tyre, duke pasur parasysh represionin, ndjekjet,persekutimet,burgosjtet ,por edhe vrasjet, që ata kishin përjetuar me degada të tëra, gjatë kohës së komunizmit.Kështu që vendosja e sistemit shumëpartiak lejonte formimin e partive politike si mjet për realizimin e të drejtave kolektive dhe kombëtare të shqiptarëve.
Partia e parë shqiptare që u themelu në hapësirën e ish- Jugosllavisë ishte Lidhja Demokratike e Kosovës ( LDK) e cila u themelu me 23 Dhjetor 1989. Themelimi i saj ndikoi që edhe në trevat e tjera shqiptare në ish-Jugosllavi të themelohen partitë e tjera nacionale shqiptare. Kështu që shqiptarët e Maqedonisë formuan dy parti politike brenda një kohe të shkurtë:Partinë e Prosperitetit Demokratik, me 16 Prill 1990, dhe Partinë Demokratike Popullore (PDP) , më 23 qershor 1990. Kurse partia e parë politike që rreth vehtes tuboi shqiptarët e Luginës së Preshevës ishte Partia e Veprimit Demokratik ( PVD) e cila u themelu me 19 gusht 1990.
Edhe shqiptarët në Mal të Zi do të ndjekin shembullin e bashkëkombasve të tyre dhe me 9 shtator 1990 themeluan partinë e parë të tyre nacionale me emrin Lidhja Demokratike në Mal të Zi (LD në MZ) e cila në at kohë do të vlerësohet dhe karakterizohet nga shumëkush si lëvizje popullore e shqiptarëve në Mal të Zi duke marrë parasysh përkrahjen e gjërë dhe të përgjithëshme që kjo parti kishte atëherë në masë . Vlen të përmendet se formimit të LD në MZ i parapriu themelimi i Forumit Demokratik të Shqiptarëve në Mal të ZI, në muajin gusht të të njëjtit vit, si subjet jo partiak, por që ka meritat për përpilimin dhe shpalljen e Memorandumit Special të Shqiptarëve në Mal të Zi, Memorandum ky të cilin më vonë LD në MZ do t’a bëjë pjesë të platformës dhe programit të vet politik.
Në zgjedhjet e para pluraliste në Mal të Zi, me 9 dhjetor 1990 LD në MZ korri një sukses i cili nuk u arrit ndonjëherë nga asnjë subjekt i vetëm politik ,gjatë këtyre 25 viteve të kaluara dhe vështirë se do të arrihet edhe në të ardhmen duke pasur parasysh faktin se gjatë kësai periudhe janë krijuar me dhjetra parti të tjera politike të cilat kanë ndikuar në shpërndarjen dhe shkrirjen e votës shqiptare. LD në MZ në zgjedhjet e para të vitit 1990 fitoi katër mandate deputetësh në Parlamentin Republikan, fitoi pushtetin lokal në Komunën e Ulqinit ( 30 këshilltarë nga 45 të mundshëm) dhe një numër të konsiderueshëm të këshilltarësh në kuvendet e qeverisjes lokale në komunat ku gravitojnë shqiptarët ( Komunën e Tivarit, Komunën e Podgoricës, Komunën e Plavës e Gucisë si dhe në Komunën e Rozhajës).

Si u zgjodh kryetari i LD në MZ në Kuvendin themelues të saj ?

Duhet theksuar që në fillim se ish deputeti i Parlametit të Malit të Zi, z. Lekë Lulgjuraj ka meritën kryesore në themelimin e partisë së parë shqiptare në Mal të Zi,i cili njëherit ishte dhe kryetari i Këshillit inicues dhe kryetar i Kuvendit themelues në Tuz me 9 shtator 1990.
Kam pasur nderin që të jem pjesë e këtij evinimenti historik , si anëtar i Kuvendit themelues në Tuz me 9 shtator ku muarën pjesë përfaqësues nga të gjitha trojet etnike shqiptare në Mal të Zi ( Tuzi – Malësia, Ulqini, Ana e Malit, Kraja, Plavë-Guci, Rozhaja) . Si dëshmitar i kësai ngjarjeje të rëndësishme të pluralizmit të shqiptarëve në Mal të Zi, lidhur me zgjedhjen e kryetarit të LD në MZ, mund të konstatoi sa vijon:
Mbledhjen e ka drejtuar z. Lekë Lulgjuraj si kryetar i Këshillit Inicues dhe Këshillit themelues të partisë.
Duke mos hyrë në detale ( sepse ato egzistojnë në proçes-verbalin e mbledhjes ), procedura e propozimit të kryetarit, (sipas kujtesës time) u zhvillu në at mënyrë që ,propozimi i parë për kryetar të partisë nga shumica e anëtarëve të Kuvendit, ishte për z. Lekë Lulgjuraj. Pra ky ishte një propozm i logjikshëm sepse, siç u cek më lartë, z, Lulgjuraj kishte meritën kryesore për themelimin e LD në MZ dhe si kryetar i Kuvendit themelues, detyra e udhëheqjes së partisë, i takonte atij. Po jo vetëm kaq. Z. Lulgjuraj si deputet i atëhershëm i Kuvendit të Malit të Zi, ishte një politikan me eksperiencë dhe i njohur me qendrimet e tij në mbrojtje të çështjes kombëtare shqiptare. Por, at ditë z. Lulgjuaraj bëri një gjest të papritur dhe që më vonë do të shihet se ishte edhe një gjest i rrallë dhe i paprecedent në politikën shqiptare: Ai refuzoi kategorikisht ( edhe pas insistimit të vazhdueshëm nga anëtarët e Kuvendit),që të marrë mbi sipër detyrën e kryetarit të partisë duke i ofruar këtë detyrë të tjerëve.
Pasi z. Lulgjuraj nuk pranoi pozitën e kryetarit të LD në MZ, propozimi i dytë ishte për të ndjerin profesor Bajram Rexha, ish i burgosur politik dhe personalitet i njohur i arsimit nga Ulqini. Gjithashtu, edhe profesor Rexha refuzoi pranimin e detyrës së kryetarit të partisë edhe përkundër insistimeve të vazhdueshme të anëtarëve të Kuvendit që t’a pranojë drejtimin e partisë.Propozimi i tretë dhe i fundit ishte për profesor Mehmet Bardhin, gjithashtu ish i burgosur politik i cili në fillim refuzoi pranimin e pozitës së kryetarit, por më në fund e pranoi ,me ç’rast edhe u zgjodh kryetar i LD në MZ . Z. Bardhi edhe pas 25 vieteve të themelimit të partisë, gjithënjë vazhdon që të jetë kryetar i këtij subjekti politik.

LD në MZ, përvjetorin e vet jubilar e pret e përçarë!

Që në fillim, pra menjëherë pas themelimit të LD në MZ filluan mospajtimet, konfliktet dhe përçarjet e para brenda këtij subjekti politik të cilat më vonë ( në vitin 1993) do të çojnë në ndarjen e një fraksioni të saj dhe themelimin e partisë së re e cila do të quhet Unioni Demokratik i Shqiptarëve (UDSH). Së paku edhe dy subjekte të tjera politike do të dalin drejtë për së drejti nga LD në MZ : Partia e Prosperitetit Demokratik ( në vitin 2001) dhe Bashkimit Demokratik i Shqiptarëve( në vitin 2005). Kurse shumica e udhëheqëve ( liderëve) dhe aktivistëve të sotshëm politik, hapat e tyre të parë i bënë në LD në MZ. Fatkeqësisht, dukuria e konflikteve, mospajtimeve dhe përçarjeve është bërë karakteristikë pothuajse e të gjitha subjekteve të tjera politike që pasuan pas LD në MZ dhe e cila fatkeqësisht vazhdon gjithënjë edhe sot, mospajtime dhe konflikte këto që shpeshëherë përfundojnë në ndarje dhe në formimin e subjekteve të rinj politik dhe si pasojë e kësaj sot kemi me dhjetra parti politike në Mal të Zi, me siglën ” parti nacionale shqiptare”.
Megjthate, gjatë periudhës 25 vjeçare ,LD në MZ ka arritur që të mbijetojë në skenën politike por me degradim të dukshëm të fuqisë së saj politike, prej zgjedhjeve në zgjedhje dhe sot ballafaqohet me sfidën e rradhës: ndarja apo shkëputja e disa dëgëve të saja . Bëhët fjalë për letrën e hapur të tre kryetarëve të degëve të LD në MZ – Dega e Malësisë, Dega e Plavë e Gucisë dhe Dega e Rozhajës, të cilët iu drejtuan Kryetarit të partisë, z. Mehmet Bardhi në prag në 25 vjetorit të themelimit të partisë ( 4 shtator 2015). Ata në letrën e tyre publike, e njoftojë z. Bardhi se tani e tutje “nuk e njohin si kryetar legal të partisë” dhe e akuzojnë për mosrespektimin e statusit dhe aktet e tjera ligjore të partisë si dhe për “mos mbajtjen e Kuvendit zgjedhor me vite të tëra” si dhe shprehin pakënaqësinë e tyre me mënyrën drejtuese të partisë nga z. Bardhi.
A është letra e hapur e përfaqësuesve të tre degëve të LD në MZ paralajmërim i shkëputjes së një krahu tjetër nga partia dhe formimin i një subjekti tjetër politik, mbetet të shihet,por një gjë është e sigurtë: LD në MZ pa Degën e Malësisë, Plavë-Gucisë dhe të Rozhajës, nuk do të jetë asnjëherë e njëjtë dhe do të jetë në kundërshtim me parimet e saja programore si dhe në kundërshtim me misionin e vet për përfaqësimin e të gjitha trevave shqiptare në përbërjen e vet,mision ky që u vendos që në Kuvendin themelues të saj me 9 shtator 1990. Me fjalë tjera, LD në MZ nuk mund të paramendohet pa përfaqësuesit e pjesës vitale të trevave shqiptare në Mal të Zi siç janë Malësia,Plavë e Gucia dhe Rozhaja.
Andaj, një ndër sfidat më kryesore e subjektit të parë politik shqiptar,që paraqitet pas 25 viteve të themelimit të saj, është se sa është në gjendje apo ka vullnet dhe aftësi që të transformohet, riorganizohet dhe të rivitalizohet me anëtarë dhe me vizion të ri dhe t’i nënshtrohet një demokratizimi të mirëfilltë dhe ndryshimeve organizative dhe udhëheqëse në parti si e vetmja mënyrë e vazhdimit të rrugëgimit të vet në kontributin për realizimin e të drejtave të shqiptarëve në Mal të Zi me qëllim që të vazhdojë të jetë faktor serioz e spektrit politik shqiptar në Mal të Zi.
Do të ishte tepër për keqardhje sikurse partia e cila e filloi pluralizmin politik të shqiptarëve në Mal të Zi , dhe e cila ishte prezent për një çerek shekulli në skenën politike në këtë republikë, të vendos në pikëpyetje egzistenën e vet duke mos iu përgjigjur ndryshimeve të domosdoshme të kohës .

Xheladin Zeneli
Ish Deputet në Parlamentin e MZ dhe anëtar i Kuvendit themelues të LD në MZ ,në vitin 1990

Shtator 2015
New York

Comment

*