30 vjet eksod i ambasadave 2 Korrik 1990, tronditja më e madhe e diktaturës komuniste

Ambasada e Gjermanisë i priu vendosmërisë për të mos lejuar kthim pas duke shtyrë përpara përpjekjet mbarëpopullore për rrëzimin e diktaturës

Knid Ndrenika

Trimëria kundër diktaturës komuniste u shpërfaq në 2 Korrik 1990 kur mijëra qytetarë hynë në ambasadat perëndimore.

Eksodi i Ambasadave ishte kundërshtimi më i madh qytetar i diktaturës për ta çuar Shqipërinë në rrugën euroatlantike.

Mijëra qytetarë u strehuan dhe u morën në mbrojtje nga ambasadat përkundër diktaturës komuniste që vazhdoi raprezaljet përfshi vrasjet në kufi ndonëse në grahmat e fundit që nga vendosja pas 29 Nëntorit 1944.

Regjimi komunist u trondit në themele kur demokracitë perëndimore refuzuan të dorëzonin mbi 5 mijë qytetarët dhe detyruan autoritetet të pranonin largimin e tyre nga Shqipëria.

Ambasada e Gjermanisë i priu vendosmërisë për të mos lejuar kthim pas duke shtyrë përpara përpjekjet mbarëpopullore për rrëzimin e diktaturës.

Në 30-vjetorin e 2 Korrikut 1990 u zhvillua ceremonia përkujtimore dhe vendosja e memorialit te Rruga e Ambasadave ku foli ministri i Diasporës, Pandeli Majko:

“Ishte tronditja më serioze për një nga regjimet më të kontrolluara të lindjes komuniste. Qytetarët qëndruan nëpër ambasada për 11 ditë dhe netë duke u ndihmuar nga Trupi Diplomatik të rrethuar nga forca të shumta policie”.

Ministri Majko shtoi se në ambasada hynë jo më shumë se 5 mijë vetë, por sot numri i shtetasve shqiptarë me pasaporta të Bashkimit Europian po shkon në 500 mijë vetë.

“Ata ndryshuan Shqipërinë”, – tha zoti Majko pasi kujtoi se menjëhërë pas largimit nga vendi në 13 korrik të qytetarëve të futur në ambasada, diktatura organizoi një miting në sheshin “Skënderbej” që do të ishte e fundit shfaqje publike e udhëheqësisë së saj.

2 Korriku u pasua nga Lëvizja Studentore e Dhjetorit ‘90 dhe rrëzimi i regjimit, themelimi i partive opozitare si dhe të ndryshimit të emrit të Partisë së Punës së Shqipërisë në Partia Socialiste e Shqipërisë në 10-12 qershor 1991 me Kongresin e 10-të të Vazhdimësisë, referuar jetës dhe veprës së diktatorit Enver Hoxha.

Comment

*