Liri e rregulluar

Astrit Lulushi

Njeriu nuk plaket. Plakja duhet të jetë nocion i krijuar nga njerëz të këqinj që marrin pushtet e prona, duke përndjekur të tjerët, për të fshehur dobësitë e veta. Jeta është plot trazira, dhe vetëm fundi është bilanci i saj. George Orwell ka thënë se 50 vjeç njeriu merr pamjen që meriton. Ai vdiq 46 vjeç. Njeriu është bërë për të vepruar dhe për të nxituar. Gjithmonë i pakënaqur. Leonardo da Vinçi ishte tepër modest, duke thënë: Vdes i trishtuar; kam fyer Perëndinë dhe njerëzimin, sepse puna ime nuk ka arritur cilësinë që duhet të ketë. Qetësia nuk është e dëshirueshme në asnjë situatë, veçanërisht kur njeriu ndjehet i shtypur. Duke qenë nga natyra i lirë, i barabartë dhe i pavarur, askush nuk mund të nxirret nga prona e tij apo t’i nënshtrohet pushtetit politik të një tjetri pa pëlqimin e vet. Kjo i bën njerëzit të bashkohen në komunitete për një jetesë të sigurt në gëzim të sigurt të pronave të tyre, pa humbur individualitetin. Gardhi i mirë bën fqinj të mirë. Suksesi mund të shpjegohet kryesisht me një fjalë që është karakteri. Jo karakter të përkohshëm, por të durueshëm, të qëndrueshëm, të ndershëm, dhe në të cilën e tërë Zemra është e vendosur. Karakteri është më i lartë se intelekti. Një shpirt i madh do të jetë i fortë për të jetuar dhe për të menduar. Njeriu sigurisht, nuk mohon se ka disa njerëz superiorë, por ai mohon se kushdo ka të drejtë të vendosë se kush janë këta njerëz. Rregullat që bazohen në forcë dhe frikë, minojnë bazën morale të marrëdhënieve. Në një ekonomi të kontrolluar, bëhet më e lehtë për të marrë ryshfet nga një inspektor ndërtimi se sa për të përmbushur standardet e ndërtimit. Biznesmeni do të duhet të kalojë disa vite për të krijuar reputacionin e tij para se të fitojë një pozicion besimi të mjaftueshëm për të nxitur investitorët për të dhënë fonde. Prandaj, mbrojtja e konsumatorit me rregullore është iluzore. Integriteti nuk ka nevojë për rregulla. Njeriu gjithmonë ka jetuar një botë si e tashmja, ku asgjë nuk është e lidhur sëbashku, megjithë rregullat e shumta, ku virtyti është pa madhështi, dhe madhështia pa nder; ku dashuria e rendit është me prirje për shtypje dhe ndjenjat e lirisë me një shije të hidhur për ligjin; ku drita e hedhur nga ndërgjegjja për veprimet njerëzore është e zbehtë dhe ku asgjë nuk duket më e ndaluar apo e lejuar, e ndershme apo e turpshme, e rreme apo e vërtetë.

Comment

*