Promovohen dy librat më të rinj të Sabri Hamitit

Prishtinë, 11 prill 2019 – Të enjten, në Prishtinë, në Bibliotekën Kombëtare të Kosovës “Pjetër Bogdani, u bë promovimi solemn i dy librave më të reja shkrimtarit, kritikut e studjuesit të letërsisë, Sabri Hamitit:  përmbledhjes së shkrimeve diskursive për letërsinë “Testamenti” dhe përmbledhjes së poezive “Kukuta e Sokratit”.

Ali Aliu foli për tipologjinë dhe tematologjinë e poezisë së Hamitit dhe të shkrimeve të tij për letërsinë. Ai vuri në pah tiparet identitare të poezisë së Hamitit dhe tonin liridashës e atdhedashës të poezive të përmbledhura në vëllimin “Kukuta e Sokratit”.

Ndër të tjera, Aliu i veçoi katër poezi të vëllimit më të ri poetik, dy poezive për Kosovën dhe dy poezive për Prishtinën, për qytetin për të cilin flet dhe për qytetin të cilit i flet. Ai tha se këto poezi i përshkon një ndjenjë e thellë simpatie e dashurie,

Rexhep Ismajli iquajti të veçanta dy librat më të reja të Hamitit – të parin (Testamenti) për trajtimin shumështresor të shkrimit letrar, kurse të dytin (Kukuta e Sokratit) për veçantitë shprehëse e stilistike. Profesor Ismajli u ndal më shumë te gjuha e poezive dhe te dimensionet kuptimore të saj. Ai theksoi se Hamiti në këto poezi përdor trajta e variacione të ndryshme gjuhësore që e zgjerojnë horizontin kuptimor të shprehjeve.

Muhamet Hamiti foli për kredon e Sabri Hamiti si poet dhe si kritik apo, siç e quajti ai, si “poet-kritik”.

“Sabri Hamiti është poeti i moçëm, që i bjen i hershëm, në të dyja fushat e letërsisë. Shkrimtari përthyen jetën e dijen e vet në letërsinë e vet”, tha ai.

“Edhe në poezi edhe në kritikë letrare, Hamiti e ka krijuar idiomin e vet duke kapur në rrjedhë të kohës ato çaste të gjithëkohshme, të pamatshme”, shtoi Muhamet Hamiti.

Ai theksoi se Sabri Hamiti, me shkrimet e tij për letërsinë, krijon “rend vlerash”.

“E veçanta e shkrimit të tij për letërsinë është analiza, interpretimi, vlerësimi, por edhe ligjësimi përgjithësues në fund. Ai krijon rend vlerash, por këtë e bën mbas analizash e interpretimesh, mbas rileximesh, për të dëshmuar se veprat u qëndrojnë kohëve, janë përtej shijeve e modave kalimtare”, u shpreh ai.

Nysret Krasniqi bëri një analizë sintetike të letërsisë së Sabri Hamitit, me theks në letërsinë diskursive. Ai nxori në pah horizonte të gjera të botës letrare të Hamitit dhe tipare të veçanta të leximit dhe interpretimit të letërsisë prej tij.

Krasniqi e vuri Hamitin në një rrafsh me autorë, studjues e teoricientë të letërsisë të gjithëpranuar në botë, si me Ëtin, bie fjala.

Vetë autori, Sabri Hamiti, nuk foli për librat e tij. Ai tha se “nuk i takon autorit të flasë për krijimet e veta dhe as për mënyrën e leximit të tyre”, por u shprehu mirënjohje të thellë të gjithë lexuesve, sidomos atyre që “e dashurojnë letërsinë”, atyre që ndjesinë e tyre për atë që e lexojnë e shprehin me klithjet “ah, oh, uh”.

Hamiti foli më shumë për ambientin letrar e kulturor në Kosovë, duke theksuar se do të dëshironte që çdo vepër e re letrare të trajtohet si festë letrare e kulturore e letrare, siç ndodhte dikur në Kosovë.

Libri “Testamenti” u botua nga Akademia e Shkencave dhe e Arteve e Kosovës, ndërsa libri “Kukuta e Sokratit” është botuar nga Shtëpia Botuese “Albas” në Tiranë.

Drejtori i Bibliotekës Kombëtare të Kosovës “Pjetër Bogdani”, Fazli Gajraku, foli me fjalët më të zgjedhura për Sabri Hamitin si shkrimtar dhe si studiues e kritik të letërsisë. Ai e quajti privilegj për Bibliotekën Kombëtare që dy librat e Hamitit u promovuan në këtë bibliotekë, dhe atë në Javën e Bibliotekarisë së Kosovës.

(Ramadan Muçolli)

Image may contain: 2 people, indoorImage may contain: 4 people

 

One Response to “Promovohen dy librat më të rinj të Sabri Hamitit”

Read below or add a comment...

  1. Sadik Elshani says:

    Kujdes me gjuhen: jo, “dy librat me te reja”, por “dy librat me te rinj”.

Comment

*