35 vjet burg të akuzuarve për sulmin e planifikuar ndaj futbollistëve të Izraelit

Prishtinë, 18 maj 2018 – Gjykata Themelore në Prishtinë ka shpallur fajtorë nëntë persona të cilët kishin planifikuar të sulmonin përfaqësuesen në futboll të Izraelit, në Shqipëri, në vitin 2016.

Visar Ibishi, është dënuar me 10 vjet burg, Lulzim Gashi me 6 vjet, Burim Istrefi me 3 vjet, Leotrim Vojvoda dhe Flamur Gashi me nga 5 vjet, Kenan Plakaj dhe Arton Ahmeti me nga 1 vit e gjysmë, Leotrim Musliu me 3 vjet e gjysmë dhe Besart Peci u xhobit me 2500 euro.

Ndeshja kualifikuese për Kampionatin Botëror të Futbollit midis kombëtareve të Izraelit dhe Shqipërisë ishte planifikuar të zhvillohej në qytetin e Shkodrës. Por, pas paralajmërimeve të shërbimeve sekrete për planifikim të sulmeve, ndeshja ishte zhvilluar në Elbasan.

Gjykata ka vërtetuar se disa nga pandehurit kanë udhëtuar në qytetin e Shkodrës ku e kanë fotografuar stadiumin e qytetit, ku më vonë planifikonin të kryenin sulme ndaj ekipit izraelit të futbollit dhe ndaj tifozëve të tyre.

Sipas gjykatës, të pandehurit planifikonin të përdornin eksploziv dhe armë të tipit kallashnikov.

Në bodrumin e shtëpisë së njërit nga të pandehurit policia ka gjetur eksploziv të llojit Triaceton Triperoksid (TATP). Eksploziv i njëjtë është përdorur edhe në sulme të tjera, në Paris dhe në Bruksel.

Sipas gjykatës, disa nga të dënuarit kanë pasur lidhje me Lavdrim Muhaxherin, ish-udhëheqësin e vullnetarëve shqiptarë në grupin militant Shteti Islamik,  dhe nga ai kanë marrë instruksione për të sulmuar lojtarët dhe tifozët e Izraelit.

Policia ka thënë se të pandehurit planifikonin të kryenin sulme edhe ndaj institucioneve vendore dhe ndërkombëtare në Kosovë.

Policia e Kosovës i kishte arrestuar fillimisht 19 persona, por vetëm ndaj nëntë prej tyre është ngritur aktakuzë. (r.m.)

Comment

*