38: Paraleli i katastrofës globale

Azem Parllaku

Bota është duke debatuar për përgjigjen ndaj provës së fundit bërthamore të Koresë së Veriut të dielën, e gjashtë dhe më e fuqishmja që nga viti 2006. Pheniani ka sfiduar të gjitha paralajmërimet ndërkombëtare duke kryer prova, pavarësisht vënies së një serie të re sanksionesh të miratuara gjithashtu nga Kina, aleatja më e ngushtë dhe më e fuqishme e Koresë së Veriut. Në vitin 1945, Koreja e Veriut dhe Koreja e Jugut u ndanë përgjatë paralelit 38, e që prej asaj kohe paraleli ka shënuar, një nga vijat ndarëse më absolute në botë, nga pikëpamja ideologjike, politike, ushtarake dhe ekonomike. Kur Lufta e Dytë Botërore përfundoi me humbjen e Japonisë në vitin 1945, Bashkimi Sovjetik dërgoi trupat në Kore nga veriu dhe SHBA dërgoi trupat e veta nga jugu. Ata ranë dakord ta ndajnë vendin më dysh përgjatë paralelit 38. Ndarja supozohej që duhej të zgjaste deri kur të ishte eliminuar ndikimi japonez. Por në vitin 1948, nacionalistët koreanë në veri të udhëhequr nga Kim Il Sung, një guerilas me bindje komuniste, shpallën krijimin e Republikës Popullore Demokratike. Me ndihmën e sovjetikëve, Kim ndërtoi një ushtri të fuqishme dhe mori kompetenca diktatoriale. Ngjarjet që rrodhën më pas, kulmuan me atë që njihet si “Lufta Koreane” e viteve 1950, kur trupat e Koresë së Veriut kaluan paralelin 38 në 25 qershor 1950, duke pretenduar se po kundërvepronin pas një sulmi të koreano-jugorëve, një konflikt i armatosur midis Koresë së Veriut e mbështetur nga Kina dhe Bashkimi Sovjetik nga njëra anë, dhe Koresë së Jugut, mbështetur nga SHBA, Britania dhe vendet e tjera të Kombeve të Bashkuara në anën tjetër. Konflikti trevjeçar në të cilin humbën jetën 3,5 milion njerëz, njihet dhe si Lufta e Ftohtë me shumë viktima. Me 27 korrik 1953, pas tre viteve luftë, u firmos një marrëveshje armëpushimi, e cila krijonte një zonë të demilitarizuar dy milje të gjerë përreth paralelit 38. Por, pas vdekjes së 34 mijë amerikanëve, 500 mijë trupave dhe civilëve koreano-jugorë dhe deri në 1.4 milionë koreano-veriorë e kinezë, si dhe disa mijëra ushtarë nga trupat aleate, kufiri mes Koresë së Veriut dhe Koresë së Jugut ishte praktikisht po aty ku kish qenë në kohën kur kish nisur lufta. Shembja e bllokut komunist në fillimin e viteve 1990 e la Korenë e Veriut me shumë pak miq. Që atëherë, Korea e Veriut, një diktaturë e armatosur deri në dhëmbë, por e paaftë të ushqejë popullin e vet pa ndihmën e huaj, është specializuar në provokimin e komunitetit ndërkombëtar për të siguruar mbijetesën. Ndërsa, Koreja e Jugut u zhvillua gradualisht në një demokraci të vërtetë dhe ka arritur kufirin e një vendi të zhvilluar industrial, me një kapacitet në rritje për të konkuruar në tregjet botërore, krejt ndryshe ndodhi me Korenë e Veriut. Ajo u kthye në një karikaturë të një shteti stalinist, duke qenë si shteti më policor në botë. Suksesi i regjimit koreanoverior, ka qenë dhe mbetet ai i izolimit të popullsisë, teksa agjensitë shtetërore të sigurimit, renditen si nga më të ashprat dhe të pamëshirshme. Duke i kushtuar një pjesë të paprecedent të prodhimit të saj kombëtar bruto për qëllime ushtarake, Koreja e Veriut ka krijuar forca të mëdha tankiste dhe shumë artileri, të dislokuara brenda largësisë së qitjes, kundër kryeqitetit të Koresë së Jugut, Seulit, të afta për të shkaktuar shkatërrime shumë të mëdha dhe qindra mijëra viktima pa ndonjë paralajmërim. Ajo e ka kthyer prodhimin e raketave dhe armëve bërthamore në një mjet të suksesshëm për shantazh ndërkombëtar. Në maj të vitit 2009, Koreja e Veriut u tërhoq nga Traktati i Armëpushimit me Korenë e Jugut dhe për këtë arsye ekziston akoma edhe sot “de jure” gjendja e luftes midis dy vendeve. Sot, Koreja e Veriut është një fuqi nukleare dhe përbën një kërcënim serioz për fqinjët tepër të zhvilluar të azisë juglindore. Regjimi i Kim Jong-unit ka arritur të prodhojë 20 koka raketash me përmbajtje bërthamore. Në 2016, Pheniani bëri dy teste shpërthimesh të fuqishme atomike dhe pretendon se ka fuqinë për ti vendosur këto koka në raketa, të gatshme për sulme bërthamore. Rrezet e raketave aktuale bërthamore përfshijnë Korenë e Jugut dhe Japoninë, ndërsa nuk ka të dhëna se, disponon një raketë ndërkontinentale për të qenë kërcënim për Shtetet Bashkuara. Posedimin e armëve nukleare, Koreja e Veriut e konsideron si një “politikë të saj të sigurisë së ekzistencës si shtet”. Por vënia në përdorim e tyre në një konflikt sado të kufizuar në rajon rrezikon jetën e miliona njerëzve. Këtë javë Koreja e Veriut e bëri të qartë vendosmërinë për të avancuar me programin e armëve bërthamore, duke kryer testin e gjashtë dhe më të fuqishëm bërthamor nëntokësor, vetëm pak orë pas deklaratës se tani e ka prodhuar bombën me hidrogjen që mund të arrijë Shtetet e Bashkuara, me potencialin për të vrarë miliona njerëz. Testi i ri bërthamor i Veriut dhe pretendimet se tashmë e kanë bombën janë pjesë e të njëjtës strategji. Që diktatori Kim Jong-un të ketë besim në armët e avancuara bërthamore dhe sistemin raketor të dërgimit të tyre, ai dëshiron që t’i testojë ato, mundësisht disa herë. Deri tani, pavarësisht atyre që na ka thënë Pheniani, Kim nuk ka testuar ndonjë gjë me forcën shkatërruese të një bombe me hidrogjen. Megjithatë, testi i së dielës ishte më i madhi që Koreja e Veriut ka kryer ndonjëherë, rreth tri herë më i fuqishëm se shpërthimi nuklear i një viti më parë dhe më i fuqishëm se bombat atomike që Shtetet e Bashkuara të Amerikës hodhën në Hiroshima e Nagasaki të Japonisë në Luftën II Botërore. Analistët thonë se shteti komunist po përpiqet të tregojë muskujt, tani që po izolohet më shumë ndërkombëtarisht, pas vrasjes së gjysmë-vëllait të Kim Jong-unit në Malajzi në fillim të shkurtit. Por rritja e tensioneve mund të jetë edhe një provokim për presidentin e ri amerikan Donald Tramp, i cili pati thënë se ishte i gatshëm të zgjidhte në mënyrë paqësore dhe me bisedime të drejtpërdrejta me Kim Jong-unin, krizën nukleare me Korenë e Veriut. Por më pas shefi i ri i Shtëpisë së Bardhë paralajmëroi Phenianin se testimi i një rakete ndërkontinentale bërthamore nuk duhej të ndodhte, pasi do të kishte pasoja të rënda. Aktualisht i vetmi mjet presioni si për Shtetet e Bashkuara, por edhe për Kinën sa i përket armëve nukleare koreanoveriore i të njejtës linjë me Kombet e Bashkuara mbeten sanksionet ekonomike, për ta detyruar Phenianin të ulet në negociata. Presidenti Trump ka thënë se Shtetet e Bashkuara janë të përgatitura të veprojnë edhe të vetme përballë kërcënimit bërthamor nga Koreja e Veriut. Kërcënimi numër një në rajon vijon të mbetet Koreja e Veriut, për shkak të programit të pamatur, të papërgjegjshëm dhe destabilizues të testimit raketor dhe kapaciteteve të armëve bërthamore. Presidenti Trump i ka kërkuar Kinës të përdorë ndikimin e saj mbi Phenianin për të frenuar ambicjet e tij bërthamore, por të dielën ai tha përmes Twitterit se Kina ka patur pak sukses dhe se Koreja e Veriut po bëhet një kokëçarje për Pekinin. Trump e ka përmendur se një opsion që po shqyrton, është të ndalë tregtinë me të gjitha vendet që bëjnë biznes me Korenë e Veriut. Kjo padyshim do të përfshijë Kinën, aleaten më të ngushtë të Koresë së Veriut dhe partneren e saj më të madhe tregëtare. Duke dislokuar sistemin e mbrojtjes ajrore në Korenë e Jugut, Amerika ka bërë që populli dhe qeveria kineze të mendojnë se është thyer balanca strategjike. Gjithashtu në këtë proces Koreja e Jugut është në anën e Amerikës dhe kjo ka thelluar ndarjen mes Kinës dhe Koresë së Jugut dhe natyrisht atë mes Kinës dhe Amerikës. Kështu që për Korenë e Veriut ky është një përfitim strategjik. Shumica e udhëheqësve perendimorë thonë se nuk ka asnjë opsion ushtarak për Gadishullin Korean. “Distanca mes Koresë së Veriut dhe Seulit është shumë, shumë e vogël dhe ata mund të zhdukin një pjesë të madhe të popullatës së Koresë së Jugut vetëm me armë konvencionale. Kështu që nuk është shumë e lehtë të kërcënosh dhe ta mbash fjalën”, thotë Boris Johnson, ministër i jashtëm i Britanisë. Udhëheqësit e Bashkimit Evropian po bëjnë thirrje për sanksione më të forta ekonomike kundër Phenianit dhe thonë se Kina dhe Rusia, si partneret më të mëdha tregtare të tij, kanë përgjegjësinë më të madhe për të siguruar zbatimin e tyre. Presidenti rus Vladimir Putin ka paralajmëruar se kriza e së Veriut rrezikon të cojë në një “katastrofë globale” me viktima masive. Putin u tha gazetarëve të martën se edhe pse Rusia dënonte veprimet e fundit të Koresë së Veriut, imponimi i çfarëdo sanksionesh do të ishte “i padobishëm dhe joefektiv”, duke shtuar se Kim do të preferonte më mirë të shikonte popullin e tij tek vdiste urie sesa përmbysjen e regjimit. Testi i fundit i Koresë së Veriut me hedhjen e një rakete mbi Japoninë veriore, ka shtyrë zyrtarët në Tokio të rimendojnë traditën e gjatë të pacifizmit të vendit. Disa udhëheqës japonezë thonë se është koha për një qasje të re ndaj mbrojtjes kombëtare. Të hënën, ambasadorja amerikane në Kombet e Bashkuara, Nikki Haley, tha se Kim po kërkonte luftë dhe i kërkoi Këshillit të Sigurimit të OKB-së të miratojë masat më të forta sanksionuese të mundshme për të ndaluar programin bërthamor të Phenianit. Sekretari i përgjithshëm i OKB-së, Antonio Guterres, e ka dënuar testin e fundit bërthamor, duke e cilësuar si destabilizues për sigurinë rajonale. Programi me raketa bërthamore dhe balistike i Koresë së Veriut është i ndaluar me rezoluta të Kombeve të Bashkuara, por Pheniani vazhdon të bëjë prova, duke sfiduar gati të gjitha fuqitë botërore.

Comment

*