Hoti e Mustafa e pranojnë humbjen e thellë të LDK-së, paralajmërojnë ndryshime

Prishtinë, 14 shkurt 2021 – Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) është humbësja më e madhe në zgjedhjet e jashtëzakonshme parlamentare. Sipas rezultateve paraprake, ajo e ka marrë besimin e vetëm rreth 13 për qind të votuesve në Kosovë, pa llogaritur votat me kush dhe votat nga jashtë, të cilat mund ta ulin edhe më shumë këtë përqindje.

Kandidati për kryeministër i LDK-së, njëherit kryeministër në detyrë, Avdullah Hoti, në një adresim për medie, ka thënë se ky rezultat është shumë larg pritjeve dhe për këtë e ka marrë mbi vete gjithë përgjegjësinë. Njëkohësisht ka paralajmëruar se kjo disfatë do të diskutohet në strukturat drejtuese të partisë.

“Rezultatet preliminare janë krejt tjera prej atyre që kemi pritur. Prandaj, unë e marrë përgjegjësinë e plotë për këtë rezultat zgjedhor të LDK-së. Në ditët në vijim do të diskutojmë gjerësisht me organet e LDK-së për këtë”, ka thënë Hoti.

Ai ka thënë se LDK do të jetë opozitë konstruktive në periudhën e qeverisjes së Vetëvendosjes.

“Në emër të LDK-së ne do të jemi mbrojtës të pa kompromis të demokracisë dhe të orientimit properëndimor, duke qenë opozitë konstruktive në interes të shtetit të Kosovës“, ka thënë ai.

Ndërkohë, kryetari i LDK-së, Isa Mustafa, në një postim në Facebook, e ka e liruar Hotin nga barra e përgjegjësisë për këtë dështim të LDK-së.

“Z. Hoti ka bërë një punë të shkëlqyeshme si kryeministër, por edhe gjatë fushatës”, ka shkruar Mustafa.

Edhe ai ka paralajmëruar se, në ditët në vijim, LDK do të bëjë një “analizë të thellë“ të rezultatit të partisë në këto zgjedhjeve, si edhe “ndryshime të nevojshme“ për ta rikthyer fuqinë e LDK-së në skenën politike të Kosovës.

“Ne do të bëjmë ndryshimet e nevojshme dhe LDK do të punojë shumë që të rikthehet dhe ta sendërtojë vizionin e saj rugovian për vendin“, ka shkruar Mustafa.

(r.m.)

Comment

*