5 marsi i vitit 1998 në lajmet e QIK-ut në anglisht

Muhamet Hamiti

Dita e parë e asaj që njihet si Epopeja e UÇK-së (5-7 mars 1998) – e luftës së Komandantit Ademi Jashari me forcat policore e paraushtarake serbe  – ka mbetur pjesërisht e shënuar nga njoftimet e Qendrës për Informim të Kosovës (QIK) në edicionin e saj anglisht, Kosova Daily Raport # 1362, e ruajtur ndërmjetshëm, përmes një faqeje tjetër të internetit, sepse faqja e QIK-ut (www.Kosova.com) është për fatin e keq, dhe për turpin tonë, jofunksionale tash e një kohë. Si redaktor përgjegjës i Informatorit në anglisht e kujtoj edhe sot thirrjen telefonike të Enver Malokut, shef i QIK-ut, kah ora 6 e mëngjesit më 5 mars 1998. “Duhet të vish menjëherë sepse po ndodh luftë në Prekaz”, më kujtohen fjalët e Enverit. Kur mbërriva në QIK gjeta lajmin që Enveri e kishte hartuar dhe botuar tashmë, mbi bazë informacionesh nga terreni. Teksa komunikonte me njerëz nga rrethi atje, Enveri ma ofroi dëgjojsen e telefonit për të më bindur për granatimet serbe në Prekaz që ndodhnin në atë kohë. Për pak minuta unë bëra variantin e lajmit në anglisht, që shënonte edicionin e parë të Informatorit anglisht për atë ditë, aty para orës 7 të mëngjesit. Edhe pesë edicione të tjera lajmesh do të jepeshin në anglisht deri në ora 12:45 të asaj dite, e enjte. Nja dhjetë-dymbëdhjetë deri në fund të ditës. Informatori në anglisht – me emërtimin ‘Kosova Daily Report’ – ka qenë burimi kryesor i lajmeve nga Kosova për botën, për agjencitë e lajmeve dhe qarqet diplomatike. Informatori për një kohë është botuar edhe në gjermanisht dhe frengjisht.

Historia e Kosovës e viteve nëntëdhjetë të shekullit të kaluar – historia e luftës për liri, demokraci e pavarësi e popullit të Kosovës – është e mangët pa arkivin masiv të lajmeve të QIK-ut.

Në këtë vegëz gjeni lajmet në anglisht të QIK-ut deri në mesditën e 5 marsit të vitit 1998:  http://www.hri.org/news/balkans/kosova/1998/98-03-05_1.ksv.html#04

 

(Muhamet Hamiti, profesor i Universitetit të Prishtinës, ka qenë redaktor përgjegjës i edicionit të QIK-ut në gjuhën angleze deri në mars të vitit 1999)

Comment

*