51 viktima dhe mbi 950 të plagosur nga tërmeti i 26 nëntorit

Viktima e fundit është nga Tirana, një vajzë 20 vjeçe, e cila ka ndërruar jetë në spital pas plagëve të marra nga tërmeti

Denion Ndrenika

Në ditën e 75-vjetorit të çlirimit nga pushtuesi nazifashist Shqipëria është e tronditur nga numri 51 i personave që humbën jetën nga tërmeti i 26 nëntorit.

Ka arritur në 51 numri i viktimave nga tërmeti që goditi Shqipërinë të martën e kësaj jave.

Viktima e fundit është nga Tirana, një vajzë 20 vjeçe, e cila ka ndërruar jetë në spital pas plagëve të marra nga tërmeti.

Statistikisht 24 viktima janë në Durrës, 24 në Thumanë të Krujës, 1 në Tiranë dy në Laç. 8 pjesëtarë të familjes Lala humbën jetën në Durrës.

Ndërkaq ka rreth 10 familje pothuajse tërësishët të humbura. Numri i të plagosurve kalon shifrën 750. Operacionet e kërkim-shpëtimit vazhdojnë ende, ndonëse nuk ka shumë raportime për të pasur persona nën rrënoja.

Qeveria shpalli Gjendje të Jashtëzakonshme në mbledhjen e mëngjesit edhe në Laç.

Kryeministri Edi Rama caktoi ministrat Bledi Çuçi drejtues të operacionit të gjendjes së jashtëzakonshme, Pandeli Majko për komunikimin ndërkombëtar dhe Gent Cakaj për botën shqiptare. Qytetarët e mbetur pa strehë janë vendosur nëpër hotele dhe qendra të tjera si dhe familje në mbarë Shqipërinë, përfshi Kosovën dhe Tetovën:

“Qoftë çadrat në Thumanë, qoftë çadrat në Laç do të ngrihen. Të gjithë banorët do të spostohen në hotele. Jjanë dy kategori. Natyrisht, kategoria e atyre që janë të perqendruar në këto zonat e prekura rëndë urbane dhe të atyre që janë në zonat rurale”.

Lëkundjet kanë vazhduar në kufijtë 2.9 deri në 4.8 shkallë Rihter, përfshi mëngjesin e sotëm dhe në tërësi thuajse janë 900 pasgoditje tërmeti. Të gjitha në Tiranë, Durrës, detin Adriatik, Kepin e Rodonit në largësi 30 deri në 40 kilometra nga kryeqyteti. Deri tani janë mbledhur mbi 6 milionë euro dhurime dhe 1,5 milionë dollarë.

Comment

*