65 milionë dollarë për të drejtat botuese të dy librave nga çifti Obama

Shtëpia botuese Penguin Random House ka arritur të sigurojë të drejtat për të publikuar dy libra të ardhshëm nga ish-presidenti amerikan Barack Obama dhe ish-zonja e parë, Michelle Obama. Secili prej tyre do të shkruajë një vëllim, tha shtëpia botuese të martën.

Sipas gazetës Financial Times, marrëveshja është për 65 milionë dollarë, duke thyer rekorde të mëparshëm të botimeve të librave të ish-presidentëve të tjerë.

Financial Times tha se shuma për librat e çiftit Obama është 6 herë më e lartë se ajo që siguroi ish-presidenti George W. Bush me librin e tij “Decision Points”. Ai u pagua 10 milionë dollarë për librin.

Ndërsa për librin “My Life” të ish-presidentit Clinton, shuma ishte 15 milionë dollarë.

Por, në përputhje me praktikën e tyre të mëparshme, çifti Obama kanë në plan të dhurojnë një “pjesë të konsiderueshme të të ardhurave të tyre autoriale për bamirësi”, duke përfshirë Fondacionin Obama, tha shtëpia botuese në deklaratën ku u njoftua për marrëveshjen.

Penguin Random House më parë ka botuar tre libra të ish-presidentit Obama: “Ëndrrat e Atit Tim”, “Guximi i Shpresës”, “Për ju këndoj: Një Letër Vajzave të Mia”.

Shtëpia botuese nuk e bëri të ditur se kur do të dalin në treg librat. (VOA)

Comment

*