65 milionë USD borxhe, “CEZ” nis aksionin e ndaljes së rrymës

Në listën e 140 borxhlinjve të kompanisë së shpërndarjes së energjisë elektrike “CEZ”-i më i rëndësishmi është “Albpetroli” dhe mandje n jë numër zyrash të ujësjellësve, Shërbimi Informativ i Ushtrisë, Qendra Spitalore Universitare “Nënë Tereza” dhe çuditshëm Koorporata Elektroenergjetike Shqiptare në Fier dhe në Tiranë

 

Denion Ndrenika
Kompania “CEZ” Shpërndarje” thotë se filloi ndërprerjen e furnizimit me rrymë elektrike duke u mbështetur në planin e paralajmëruar kundrejt të gjithë borxhlinjve. Nën administrimin shtetëror qëkurse u larguan pronarët nga republika Çeke për keqmenaxhim, “CEZ”-i arsyeton se askush nuk mund të përfitojë e të mos paguiaj, qoftë edhe ent apo institucion. Koha e fundme e lënë nga “CEZ”-i për të shlyer detyrimet borxhlinjtë, ishte 7 gushti. Meqë kjo kohë shkoi e kaloi, “CEZ” që ka administrator Sahit Dollapin, tha se ia nisi aksionit të ndërprerjes së energjisë për institucionet buxhetore dhe jobuxhetore, si dhe për zyrat administrative të ujësjellësve që nuk kanë paguar energjinë.
Shuma që nuk është arkëtuar në “CEZ”, pra borxhi i papaguar sipas kompanisë, shkon dikund të 65 milionë dollarë amerikanë. Por, “CEZ”-i saktëson se në këtë shifër nuk janë përfshirë pagesat e kamatë-vonesave të detyrimeve të pashlyera prej kohësh. E kthyer në monedhën vendase (lek) “CEZ”-i thotë se shuma e papaguar është 3.194.110.831 lekë, pra borxhe të institucioneve buxhetore dhe 3.543.436.820 lekë nga institucionet jobuxhetore. Sipas “CEZ”-it këto shifra llogariten që nga viti 2007.
Në listën e borxhlinjve, më i rëndësishmi është “Albpetroli”, kompania e nxjerrjes së naftës, që dështoi të privatizohej vitin e kaluar, ndonëse oferta e një grupi dhe shoqërie nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës “Vetro Energy” dhe pjesëtar biznesmenin Rezeart Taçi ishte më e madhje në historinë e privatizimeve në Shqipëri, 800 milionë euro në monedhën e Bashkimit Europian. Sipas “CEZ”-it, “Albpetroli” ka 652.042.642 lekë të pashlyera e mandej pasohet nga Ujësjellësi i Durrësit dhe Ujësjellësi i Vlorës me 468.000.718 lekë dhe 395.577.650 pagesa të mbetura të pakryera.
Në listën me 140 borxhlinj, është edhe Shërbimi Informativ i Ushtrisë (SHIU) si dhe ujësjellësit që janë me shumicë. Por, nuk ka pasur ndonjë njoftim nga “CEZ”-i nëse këtu përfshihen edhe depozitat e ujit, stacionet e pompimit, filtrimit apo tjetërçka, përpos zyrave apo drejtorive administrative. Vitin e kaluar kur kompania çeke “CEZ” ua ndali furnizimin me rrymë ujësjellësve, shpërthyen protesta deri të dhunshme në shumë zona të Shqipërisë. Qeveria e kryeministrit Sali Berisha mbështeti menjëherë Policinë e Shtetit që ta pengonte këtë hap të “CEZ”-it duke arsyetuar se ishte një sektor strategjik që nuk mund të mos furnizohej me rrymë. Çuditshëm në listën e borxhlinjve të “CEZ”-it është edhe KESH-i, Koorporata Elektroenergjetike Shqiptare në Qarkun e Fierit dhe në Qarkun e Tiranës.
Po ashtu “të krimbur në borxhe” ndaj “CEZ”-it janë disa njesi vendore, bashki apo komuna si dhe Qendra Spitalore Universitare “Nënë Tereza” apo spitale të tjerë, që në tërësi arrijnë shumën e pashlyer 5.950.288 lekë.

Comment

*