75, VJET MË PARË, NJË AVION BOMBARDUES AMERIKAN U PËRPLAS ME EMPIRE STATE BUILDING, NË NEW YORK

Ruben Avxhiu
Një tragjedi e ngjashme me atë të 11 Shtatorit, por në këtë rast bëhej fjalë për një aksident.
Në vitin 1945, në ditën kur Senati Amerikan miratoi themelimin e Organizatës së Kombeve të Bashkuara, një avion bombardues amerikan goditi Empire State Building, ndërtesën më të lartë në New York.
Piloti i hutuar nga një mjegull e tmerrshme ishte ulur gabimisht mbi Manhattan duke u përplasur me ndërtesën e famshme, në orën 9:49 të mëngjesit, të shtunën në 28 korrik 1945.
Nga përplasja mori flakë kati i 79 i ndërtesës. Në total, humbën jetën 13 vetë, kurse 26 u plagosën.
Dy gra që ishin në ashensorin që u rrëzua shpëtuan për mrekulli.
Po mrekullia më e madhe ishte se struktura e ndërtesës kishte mbetur solide, sipas një inspektimi të parë prej specialistëve të ndërtimit.
Avioni ishte një B-25 me dy motorë, piloti i të cilit ishte nisur nga Bedford, Massachusetts për në aeroportin LaGuardia, në New York, si pjesë e një turi kombëtar. I humbur mes mjegullës, ai kishte injoruar edhe udhëzimet nga pika e vrojtimit në tokë, në LaGuardia që e kishin ftuar të ulej dhe ishte kthyer për t’u ulur në Newark, New Jersey.
Një prej pilotëve ishte dekoruar për trimëri, gjatë Luftës së Dytë Botërore.

Comment

*