75 vjet më parë u themelua AFP-ja

Agjensia Franceze e Shtypit u krijua si sot 75 vjet më parë, pak ditë para çlirimit të Parisit.
Ishte në fakt, një akt rebelimi i një “çete” gazetarësh që thyen dyert e një zyre propaganda pro-naziste dhe e pushtuan.
Shoqëroheshin nga dy policë francezë të dërguar nga një grup i rezistencës për t’i ndihmuar.
E njohur si OFI, Zyra Franceze e Informacionit, në Place de la Bourse, ne zemër të Parisit, ku kishte pasur selinë Havasi, agjensia e parë ndërkombëtare e lajmeve sipas të cilës do të modelohej më vonë AFP (Agence France-Presse/ndoshta fjalë për fjalë, Agjensia Francë e Shtypit).
Dëgjoheshin të shtëna dhe një tank gjerman ndodhej ende në lagje, ndonëse shumica e rrugëve ishin të zbrazura. Ardhja në kryeqytet e aleatëve pritej në çdo moment.
Të shoqëruar nga dy policët, gazetarët rebelë hynë me forcë dhe bërtitën: “Mos lëvizni!” Dhjetë koka u ngritën të habitur nga makinat e daktilografimit.
Mirëpo askush nuk lëvizi. Një “censor nazist” u lidh dhe u vendos poshtë në bodrum.
“Askush të mos lëvizë e askush të mos dalë”, bërtiti Martial Bourgeon, më i moshuari nga ish-redaktorët e Havasit. “Që nga ky moment punoni për Francën dhe jo për gjermanët”.
Ai mori menjëherë drejtimin e zyrës dhe caktoi Gilles Martinet si kryeredaktor.
Menjëherë filluan punën duke marrë kontakt me gazetat ilegale si “Combat”, “Defense de la France”, “Le Parisien Libere” dhe “L’Humanite”.
Shumë shpejt doli transmetimi i parë: “Në shërbim të të gjitha gazetave të lira, Agjensia Franceze e Lajmeve do të sigurojë, me një objektivitet rigoroz që është detyrë e një organizate lajmesh, botimin e lajmeve që janë kontrolluar dhe vërtetuar në mënyrë shumë të kujdesshme”.
Një homazh i veçantë pasoi për kolegët që “janë zhdukur, burgosur e deportuar, dhe në veçanti të 21 shokëve të rënë në duart e Gestapos”.
Lajmet e para shpërndaheshin me biçikleta në zyrat e gazetave të kohës.
Pak ditë më vonë, u dha lajmi për hyrjen e trupave franceze. Një prej gazetarëve të parë, Basile Tesselin qe i pari që kapi lajmin, nga pozicioni strategjik, që kishte zënë duke instaluar një linjë telefonike në banjon e shefit të policisë së qytetit.
AFP vijoi të rritet pas luftës po në formën dhe standartet e larta profesionale që e njohim, sot filloi të punojë vetëm pas vitit 1957, kur parlamenti francez aprovoi “Statutin e AFP-së” që garanton pavarësinë redaksionale dhe autonominë financiare të agjensisë.
Me korrespondentë në 150 vende të botës ajo njihet si një ndër tre agjensitë më të njohura ndërkombëtare të lajmeve, bashkë “Reuters” dhe “Associated Press”. (Ruben Avxhiu/Illyria/Sipas materialit me këtë rast të AFP-së)

Comment

*