90 vjet më parë, u shpik televizori

Ruben Avxhiu

Ruben Avxhiu

“Ma hiqni atë të çmendur nga holli i ndërtesës”, bërtiti kryeredaktori i një gazete të njohur kur i thanë se një person me emrin John Logie Baird, nuk largohej pa u treguar gazetarëve një aparat që shfaqte pamje të transmetuara nga larg

 

Mendohet se pikërisht në këtë ditë, 90 vjet më parë, John Logie Baird eksperimentoi me versionin e parë të “televizorit mekanik”
Në ekranin që ishte shumë i vogël, u shfaq një kokë njeriu që lëvizte. Ishte koka e Daisy Elizabeth Gandy, bashkëpunëtores së John Logie Baird, shkencëtarit skocez që njihet si shpikësi i televizorit.
Kutia që solli për herë të parë figurat lëvizëse në shtëpitë e njerëzve, në versionin e saj të parë eksperimental ngjante më shumë me radion, vetëm se zëri shoqërohej me figurën, që qartësohej duke rrotulluar një buton për “skanim elektronik”. Ekrani ishte tmerrësisht i vogël, dy centimetra i gjatë dhe një centimetër i gjerë.
shpikesi Në fillim aftësia për të transmetuar figurën larg ishte shumë e kufizuar. 90 vjet më parë, kur Baird ua tregoi të tjerëve shpikjen e tij, bashkëpunëtorja e tij ishte nga dhoma tjetër, përpara një lloj kamere, ndërsa pamja e saj shfaqej në ekranin e vogël të prototipit të televizorit.
Ishte 26 janar 1926, në Londër, në lagjen Soho. I ftuar për të parë çudinë ishte edhe një gazetar nga “Times”.
Bairdi u shpjegoi se aparati që kishte shpikur quhej “televizor” dhe se mund të shfaqte në moment lëvizjet dhe veprimet e njerëzve që ndodheshin diku tjetër.
Ishte një shpikje që do të transformonte botën në mënyrë të jashtëzakonshme, që mund të krahasohen vetëm me dukuri si shtypshkronja, apo interneti. Mirëpo, si zakonisht shumëkush e pa me dyshim dhe mospërfillje.
“Se për çfarë mund të përdoret ky aparat në praktikë, mbetet ende e paqartë”, shkroi në atë kohë, gazetari i vetëm që ndoqi eksperimentin, pa e kuptuar se sapo kishte parë lindjen e një mjeti të komunikimit masiv që do t’i shkaktonte krizën e parë madhore gazetave të shtypit, përfshi edhe asaj për të cilën punonte.
Ia vlen të shtosh këtu, se vetëm një vit më parë, Baird ishte përpjekur t’ia tregonte këtë shpikje një gazete tjetër. Por megjithë shpjegimet gjithë pasion, askush nuk kishte dashur t’i hidhte një sy aparatit të tij, në redaksinë e “Daily Express”.
“Ma hiqni atë të çmendur nga holli i ndërtesës”, bërtiti kryeredaktori i gazetës kur i thanë se një person me emrin John Logie Baird, nuk largohej pa u treguar gazetarëve aparatin që shfaqte pamje të transmetuara nga larg.
Megjithë këto dyshime fillestare, u deshën vetëm pak vite që shpikja të çmendte botën. Qysh në 1929, BBC adoptoi përdorimin e televizorëve tashmë të prodhuara në masë nga Baird. Ai do të shpikte edhe televizorin me ngjyra dhe do të mbetej një nga shpikësit më të mëdhenj në këtë fushë për tre dhjetëvjeçarë me radhë.

Skemë e televizorit të parë mekanik.

Skemë e televizorit të parë mekanik.

Djali më i vogël mes katër fëmijëve të një prifti skocez, që mund të ishte vrarë në Luftën e Parë Botërore, kur doli vullnetar për t’iu bashkuar ushtrisë britanike por e refuzuan për shkak të shëndetit të dobët, ishte qysh në moshë të vogël i fiksuar pas elektronikës.
Ai studio inxhinierinë në Universitetin e Glasgout, por i braktisi studimet për t’iu përkushtuar shpikjeve të tij, aventurë që dha fryte të jashtëzakonshme.
Sot, nëse shkoni te Google.Com do të shikoni një grafik që nderon emrin dhe punën e tij, plot 90 vjet pas krijimit të asaj kutie, me dritaren nga shihet e gjithë bota. Është domethënëse që ky nderim i bëhet në internet e e shihet në kompjutera, prodhime të një teknologjie të përparuar që rrezikon ta lërë pas televizorin si dikur ky i fundit radion, në mos të gërshetojë fatin me të, për një epokë të re të medias transmetuese. (Ruben Avxhiu)

John_Logie_Baird_3558707b

One Response to “90 vjet më parë, u shpik televizori”

Read below or add a comment...

  1. MTN says:

    Shumë flm Ruben, leximi tepër interesant. Ta mendosh sot TV e mbajm në xhep (çanta).

Comment

*