A do ta ndalë stina e nxehtë virusin?

Ruben Avxhiu

Nga Ruben Avxhiu

Në periudhën e Krishtlindjes së fundit, gjeta një mundësi për të blerë shumë lirë, disa volume me klasikë të letërsisë, të cilët i lexoj nganjëherë përpara se të fle. Shumë prej tyre në fakt, më lidhen thjesht më fëmininë. Libra si “Robinson Kruzo” apo “Kushtrimi i të parëve” që i lexoj më shumë me kuriozitetin se si tingëllojnë në anglisht. (U shtanga kur pashë se “Baku” ishte “Buck”. Nuk ndryshonte ndonjë gjë themelore, por i pari është thjesht një emër, që nuk do të thotë asgjë për lexuesin, kurse i dyti menjëherë të ka transmetuar një imazh. Po kjo është temë për një shkrim tjetër.)
Duke i lexuar disa herë më ka kapur një mall për një kohë tjetër shumë më të ndryshme se jeta që jemi mësuar të jetojmë, po me ngjashmërira të periudhës së sotme: pasditet e gjata të verës, gjatë adoleshencës, që dukeshin sikur nuk do të mbaronin kurrë. Me një libër në dorë, ende i parrezikuar nga epoka kohëngrënëse e trutharëse e revolucionit teknologjik e internetit dhe rrjeteve sociale. Një vapë e thatë me pluhur, rrugët e zbrazura të Tiranës, të dielave mbasdreke, një bizcikletë e vetme që çante mes një bote ku makinat personale nuk ishin “shpikur” ende, me një radio Illyria të lidhur me tel, pas kurrizit, që kumbonte “Bella d’Estate” të Mangos, me volumin në kupë të qiellit, përpara se të kthehej përsëri qetësia.
Malli e nevoja për verën dhe stinën e nxehtë është e natyrshme në këtë periudhë, edhe për një si unë, që i shmangem diellit.
Të ngujuar e të çakërdisur nga kërcënimi i gogolit të koronavirusit prej kohësh ushqejmë të gjithë shpresën se në mos prej izolimit, prej ilaçeve të provuara, prej ndonjë shpikje e mrekullie, apo të shumëpërmendurësh iluzives vaksinë, koha e nxehtë do ta dobësojë në mos do ta dëbojë virusin.
Koronavirusi është një dukuri e re që ka vetëm disa muaj mes nesh. Ne nuk e dimë se sa do të rrijë e çfarë do të bëjë ky mysafir i paftuar. Nuk kemi kaluar ndonjë verë së bashku që ta dimë se si i pëlqen të kalojë pushimet, po ndonëse i ri, ai i përket natyrës së viruseve që godasin rrugët e frymëmarrjes e ne e dimë që gripi i llojeve të ndryshme dhe e ftohura janë më të zakonshme në dimër e më të rralla në verë. Ndonëse vera është larg, është e pamundur që të mos kapemi pas çdo gjëje që na jep shpresë.
Nj shkrim që lexova sot më çdoi në bloëgun e një epidemologjisti nga Harvardi,
Marc Lipsitch, që diskuton nëse virusi, emri shkencor i të cilit është SARS-CoV-2, mund të jetë stinor.
Leximi i ekspertëve është thikë me dy presa. Sa më shumë di njeriu aq më shumë dyshon te ato që thotë.
Idenë se me verën do të ikë edhe rreziku nga koronavirusi e tha në publik, edhe Presidenti Trump. Një nga ato gjërat për të cilat nganjherë betohet se nuk i ka thënë kurrë. Presidenti ka zakonin e keq që flet kodra mbas bregut dhe kjo është me rrezik në kohë si këto.
Nuk u vë faj specialistëve të shëndetit që vënë duart në kokë kur e dëgjojnë. Po as nuk e përmbaj dot përbuzjen kur rrotullohen e stërrrotullohen se nuk duan t’i japin ndonjëherë të drejtë. Koha e pandemisë nuk është kohë për të bërë politikë partizane, por ajo nuk ka ndalur në asnjë moment. Kur të vinë të këqiat të vijnë bashkë dhe kjo vlen mesa duket edhe për Amerikën.
Trump mund të ketë të drejtë për punën e verës dhe përsëri të jetë president i keq. Ose mund ta ketë gabim për punën e verës dhe përsëri të jetë president i mirë. (Nejse edhe kjo është temë për shkrim tjetër.)
Tani që të rikthehemi te shpresa se vera mund të japë lirinë edhe nëse nuk është gjetur ende ndonjë ilaç vendimtar apo ndonjë vaksinë, apo që paralizimi të ketë mjaftuar për të ndarë të infektuarit nga pjesa ende e paprekur e popullsisë.
Nxehtësia mbase do të na shpëtojë. Kam lexuar tjetërkund se temperaturat e larta ia humbin zhdërvjelltësinë virusit duke e përtharë, plasaritur, e ngurtësuar siparfaqen e aftësinë për t’iu përngjitur proteinave që e transmetojnë nëpër trup. Kur del nga trupi i infektuar në formë të lëngët, sa më shpejt thahet aq më pak veprues është. (Për këto mos merrni asnjëherë fjalën time si përfundimtare. Nuk jam specialist.)
Mirëpo, sipas Dr. Lipsitch nuk është thjesht punë stine. Ai numëron disa faktorë që ndikojnë te sëmundjet e ngjashme si fjala vjen gripi i zakonshëm.
Mjedisi, sepse viruset shpesh preferojnë temperature te ulëta e të thata. Në laboratore bioteknologjike viruset i ruajnë në temperatura shumë më poshtë asaj të ngrirjes. Mund të ruhen mbase me shekuj ashtu. Faktori i dytë është sjellja njerëzore, njerëzit nuk rrijnë të mbyllur në mjedise që nuk ajrisen sa duhet në verë. Shkollat mbyllen dhe këtu virologjisti nga Harvardi gjen një mjet kyç për përhapjen e një tufë sëmundjesh infektive. Faktori i tretë është imuniteti i njeriut. Koronavirusi përleshet me imunitetin tonë kur na godet. Ky imunitet është shumë më i fortë në verë sesa në dimër. Rrezet ultraviolet, shtimi i vitaminës D në trup, nivelet e melatoninës, ndikojnë drejtpërdrejt në aftësinë e trupit për t’iu përgjigjur sulmeve virale e infeksioneve të rrugëve të frymëmarrjes. Faktori i katërt është sjellja e vetë virusit, që me pakësimin e rasteve me infektim i bie edhe mundësia e përhapjes në pritje të një stine më të mirë e më active.
Pra është mëse e mundshmeqë të kemi një çlirim me ardhjen e stinës së ngrohtë, por mos prisni t’i dalë një fjalë e mirë nga goja apo nga tastiera specialistit, që ndryshe nga Presidenti Trump ka frikë se mos gabojë.
Të them të drejtën, shumica e njerëzve do të preferonte një fjalë të mirë sesa një fjalë të saktë. Një fjalë e mirë na bën mirë për imunitetin e shpirtit e qetësisë së nevojshme mendore për t’u përballur me situatën.
Dyshimet e specialistëve nuk janë pa bazë. Ne dimë se si sillet gripi dhe të ftohurit po këto janë sëmundje që kanë qenë rrotull për një kohë të gjatë. Ato janë transformuar me kalimin e viteve duke u dobësuar e duke iu përshtatur ndryshimeve të temperaturave, stinëve dhe sjelljes njerëzore. Dhe e vërteta ështe se ne nuk duam të dimë për momentin se do të sillet në vite koronavirusi. Ne duam të dimë për këtë verë të parë, për këtë qershor e korrik. Këtu në New York, shtetrrethimi u shty edhe për deri në 15 maj. Ne duam të dimë tani të paktën për 15 qershorin.
Ne shqiptarët historikisht kemi bërë gjykime në bazë familjare. “Vjen nga familje e mirë”, “nuk bie molla larg nga pema” etj etj. Kështu që edhe për kornavirusin SARS-CoV2 ia vlen të shohim se çfarë ka ndodhur me kushërinjtë e tij më të afërt. SARS-CoV (gripi që shpërtheu në Hong Kong në 2003) u venit në stinën e verës. Kjo duhet të na japë zemër. Po nga ana tjetër, ne nuk e dimë se deri në çfarë mase kjo u përshpejtua nga masat drastike të izolimit, mbajtjes së maskave në fytyrë, kujdesit për të mos dëmtuar ata më të rrezikuarit, përmirësimit të kujdesit mjekësor etj. Sarsi i parë e kishte ritmin e vdekjes 10%, shumë më të lartë nga ky që kemi. Nga ana tjetër ishte më i ngadalshëm në përhapje.
“Sezonaliteti është motori universal i sëmundjeve infektive”, sipas një specialiste të cituar në shkrimin që lexova. Poezi për sytë tanë që plasëm të lexojmë diçka që jep shpresë për të dalë nga shtetrrethimi.
Lexova edhe një interpretim interesant për transformimin gjenetik të virusit që është përmendur shpesh së fundi. Gripet që ndryshojnë gjenetikisht në vite të caktuara duke u bërë më vdekjeprurës sepse nuk janë parashikuar në vaksinën vjetore kanë qenë gjithmonë një lajm frikësues, mirëpo, një specialist shpjegon se koronavirusi ka një kod gjenetik RNA që ndryshon nga ADN-ja që është një gërshetim, me një shirit të dytë që korrigjon gabimet e evolucionit. Për këtë arsye, “sa herë që ndodhin mutacione, ato sjellin një dizavanatzh mbijetese për virusin”, thotë Charles Prober, një epidomologjist pediatër nga Stanford University. Kjo do të thotë se me ndryshimet gjenetike, virusi mund të dëmtojë më shumë veten sesa mund ta luftonim ne me ilaçet e kujdesin tonë mjekësor. Mbase ky degjenerim gjenetik është ai që sjell dobësimin stinor, më shumë se temperatura e ndryshimet e lartpërmendura.
Cilado që të jetë arsyeja e ndryshimit ka pak rëndësi për ne që nuk jemi specialistë e që mezi presim të shkëputemi nga zinxhirët e frikës e të urdhërave ekzekutivë, që duam të dalim e të rifillojmë jetën ashtu si e kishim përpara, me të gjitha të mirat e të këqiat. Po e mbyll pra me një urim të pazakontë për dikë që pëlqen më shumë stinët e ndërmjetme. Le të jetë kjo një pranverë sa më e shkurtër, e ardhtë vera këtë vit që në maj.

Comment

*