A do të ketë valë të re të COVID-19 në Kosovë?

Prishtinë, 16 shtator 2020 – Gjatë muajit shtator në Kosovë është shënuar një rënie e lehtë e numrit t të infektuarve me COVID-19. Në ditët e fundit, numri i infektuarve me koronavirus nuk ka kaluar shifrën 76.

Gjat shtatorit është shënuar edhe rënie e rasteve të vdekjes si pasojë e koronavirusit. Në shtatë ditët e fundit, 30 persona kanë ndërruar jetë si pasojë e koronavirusit, shifër kjo shumë më e ulët në krahasim me ato të muajve korrik dhe gusht.

Organizata Botërore e Shëndetësisë ka paralajmëruar se këtë vjeshtë Evropa duhet të jetë e përgatitur për një vale të re të përhapjes së pandemisë.

Udhëheqësi i Organizatës Botërore të Shëndetësisë në Bullgari, Skender Syla, ka thënë se ekziston rreziku që edhe në Kosovë të ketë valë të re të pandemisë.

’’Kosova në muajt korrik dhe gusht ka pasur një shtim të numrit të rasteve, derisa gjatë shtatorit kemi një stabilizim të numrit të rasteve. Duhet të jemi vigjilent sepse mund të kemi rritje të numrit të rasteve’’, ka thënë Syla për Radion Evropa e Lirë.

Edhe mikrobiologu Lul Raka nga Instituti Kombëtar i Shëndetit Publik të Kosovës paralajmëron rrezikun e një valë të re të pandemisë në Kosovë. Ai ka thënë se rihapja e shkollave dhe kthimi në hapësira të mbyllura për shkak të ftohjes së motit pashmangshëm do ta shtojnë qarkullimin e njerëzve, pra edhe rrezikun e përhapjes së koronavirusit, prandaj ka bërë thirrje për zbatimin e masave parandaluese.

‘’Të gjithë këta faktorë janë elemente për shqetësim në rritjen e rasteve të sëmundjes. Prandaj, kjo edhe më shumë e fuqizon rolin e zbatimit të masave parandaluese nga popullata dhe mbikëqyrjen e tyre nga organet shtetërore‘’, ka thënë Raka.

‘’Rezultati përfundimtar do të varet nga vetë qytetarët e Kosovës dhe nga institucionet qeveritare. Numrat e ditëve të fundit, të cilët kanë trend të uljes, na kanë treguar qartë rezultatin pozitiv të një bashkëveprimi të tillë sinkronik’’, ka thënë ai.

Mikrobiologu Raka ka theksuar se nëse zbatohen masat parandaluese, atëherë numri i rasteve pozitive me COVID-19 do të jetë i kontrolluar edhe për institucionet shëndetësore kosovare dhe pasojat e pandemisë do të jenë më të vogla.

(r.m.)

Comment

*