A do të mbarojë vallë ëndrra? Gjykata Supreme do të marrë vendim për programin DACA

Kieran Both

Çështje të Emigracionit: Për ju Avokati Kieran Both

 

Gjykata Supreme e Shteteve të Bashkuara do të vendosë nëse do të vazhdojë programi DACA – Deferred Action of Childhood Arrivals ose nëse do t’i lejojë administratës së presidentit Trump t’i japë fund këtij programi. Gjykatësit do të marrin në shqyrtim tre çështje gjyqësore të konsoliduara në të cilat argumentohet që vendimi i administratës për t’i dhënë fund DACA-s nuk ishte racional dhe/ose nuk ka marrë siç duhet parasysh ndikimin mbi fatin e gati 700,000 personave që përfitojnë prej këtij programi. Qeveria mbetet e mendimit që vendimi i saj për t’i dhënë fund këtij programi nuk mund të hidhet poshtë nga gjykata. Qeveria pretendon gjithashtu që programi DACA duhet hequr, sepse “që në fillim ka qenë i paligjshëm” dhe që Departamenti i Sigurisë Kombëtare (DHS) ka liri të plotë veprimi për t’i dhënë fund këtij programi.

Në kërkim të një rezultati për këtë çështje, Gjykata mund të vendosë menjëherë nëse anulimi i programit ka qenë ose jo i ligjshëm ose mund të japë instruksione se si të mbyllet në mënyrë më të përshtatshme programi në fjalë. Ajo madje mund të vendosë nëse një agjenci si DHS mundet ose jo të nisë ose t’i japë fund një programi si DACA. Ndërkohë që vendimi nuk pritet të merret përpara pranverës ose verës që vjen, 2020, ata që përfitojnë nga ky program si dhe avokatët e tyre do të vazhdojnë të ushtrojnë presion për një zgjidhje legjislative afatgjatë, pasi edhe nëse Gjykata Supreme vendos në favor, kjo nuk do të garantonte një mbrojtje të përhershme.

Ndonëse vendimi i Gjykatës Supreme është i rëndësishëm, ai nuk përbën një zgjidhje. Ndërkohë që presim që të merret një vendim, nuk mund të rrimë duarkryq në angazhimin tonë në rrugën që çon drejt një rezidence të përhershme të ligjshme për ata që përfitojnë nga DACA.

 

Çfarë është DACA?  Cilët janë “Dreamers”?

Atyre që përfitojnë nga DACA u referohemi si “Dreamers” (që në shqip përkthehet “ëndërrimtarët”), një lojë e qëlluar fjalësh me inicialet e aktit ligjor të Zhvillimit, Ndihmës dhe Arsimit për të Miturit e Huaj — Development, Relief and Education for Alien Minors (DREAM), të legjislacionit të propozuar.  Si rrjedhim, emigrantëve të rinj në moshë pa dokumenta tashmë u drejtohemi si Dreamers. Akti ligjor DREAM është një propozim dypartiak i cili do të siguronte një rrugë me kusht drejt rezidencës së përhershme të ligjshme për disa të rinj pa dokumenta të cilët erdhën si fëmijë në SHBA. Mes kritereve të tjera, për t’u kualifikuar, ata duhet të kryejnë shkollën e mesme, të tregojnë karakter të mirë moral dhe të përfundojnë të paktën dy vjet të arsimit të lartë ose të shërbejnë për të paktën dy vjet në ushtrinë amerikane. Ky akt ligjor u propozua, por nuk ka marrë asnjëherë votën e plotë të Kongresit. Më 15 qershor, 2012, DHS-ja krijoi programin DACA. DACA është një ushtrim i lirisë së veprimit (diskrecionit) prokurorial, që përkohësisht çliron nga rreziku i deportimit (shtyrje deportimi) dhe i jep autorizim pune emigrantëve të rinj në moshë, pa dokumenta të sjellë në SHBA kur ishin ende fëmijë. DACA u ka mundësuar qindra mijëra të rinjve të kualifikuar që të punojnë në mënyrë të ligjshme, të ndjekin shkollën dhe të bëjnë plane për jetën pa qenë nën kërcënimin e vazhdueshëm të deportimit. Megjithatë, ndryshe nga legjislacioni federal, DACA nuk u siguron njerëzve status të përhershëm ligjor dhe duhet të rinovohet çdo dy vjet. Më 5 shtator, 2017, DACA u anulua dhe nuk pranohen më aplikime të reja. Kongresi duhet të kalojë TANI një ligj për të mbrojtur këta të rinj.

Amerikanët vazhdimisht kanë qenë dakort me mendimin që Dreamers e meritojnë një mundësi për të ndërtuar jetën dhe të ardhmen në të vetmin vend që njohin si shtëpinë e tyre. I bëjmë thirrje Kongresit dhe presidentit që ta kalojnë aktin ligjor DREAM. Nëse nuk veprojmë, u bëjmë dëm këtyre të rinjve, familjeve të tyre si dhe të gjitha bizneseve dhe komuniteteve që varen prej tyre. Amerikanët kanë treguar mbështetje të jashtëzakonshme në mbrojtje të këtyre të rinjve dhe u është bërë presion gjithnjë në rritje kongresit dhe presidentit për të bashkëpunuar me krahun tjetër politik dhe për të kaluar një zgjidhje legjislative të perhershme.

Ju lutemi ndihmoni Shoqatën Amerikane të Avokatëve të Emigracionit (AILA) që të vazhdojë t’i bëjë presion Kongresit duke i thënë që të veprojë tani për legjislacionin në mbrojtje të të rinjve. Veproni sot. Ju lutemi t’i shkruani përfaqësuesve dhe Senatorëve dhe t’ua kujtoni pikëpamjet tuaja lidhur me këtë çështje. Thuajuni që jeni ju që i votoni dhe që tregoni vëmendje për mënyrën se si punojnë në Kongres. Përfaqësuesit e zgjedhur punojnë për ju dhe nevojitet që ata t’i bashkohen publikut amerikan dhe të ngrihen në mbështetje të vlerave të këtij vendi për liri dhe drejtësi. Bëjuni thirrje pra që të kalojnë një legjislacion që mbështetet nga të dy partitë i cili mbron Dreamers dhe ndihmon ekonominë. Nuk duhet të humbasin më kohë.

Avokatët e AILA-s, po punojnë shumë për të ndryshuar ligjet e emigracionit në mënyrë pozitive dhe të dobishme në ndihmë të të gjithë amerikanëve. Më shumë informacion në lidhje me AILA-n mund të gjendet në http://www.aila.org/

Qёllimi ynё ёshtё tё ndihmojmё komunitetin shqiptar dhe të bëjmë të mundur që emigrantёt të kenë informacionin e nevojshëm pёr tё kёrkuar ndihmё nё mёnyrё tё pavarur. Ju falenderojmё pёr komentet dhe pyetjet qё na dёrgoni vazhdimisht. Do të përpiqemi që në të ardhmen t’i pёrgjigjemi sa më shumë pyetjeve që të jetë e mundur. Ju ftojmё tё na dёrgoni pyetjet tuaja nё adresёn tonё elektronike [email protected]

 

Comment

*