A e njeh turpin ministrja Sheqerinska?

Hynë në pushtet dhe në NATO me ndihmën e shqiptarëve por diskriminimi etnik në ushtri dhe në sektorët e Mbrojtjes vazhdon

 

Nga Albert Gashi

Arrival Minister Radmila Shekerinska

Edhe pse qeveria aktuale erdhi në pushtet nën moton “jetë për të gjithë” dhe me dy qëllime startegjike: Integrimin e Maqedonisë së Veriut në NATO dhe Bashkimin Europian, diçka nuk përshtatet.
Kur ministrja e Mbrojtjes, Sheqerinska u emërua edhe nënkryetare e Qeverisë së RMV 2017-2020, shumë ekspertë e panë si qasje serioze ndaj sferës së mbrojtjes. Risi poashtu ishte edhe përzgjedhja e një femre për herë të parë në krye të këtij dikasteri.
Përfaqësimi adekuat dhe i drejtë ishte ndër PRIORITETET strategjike (sëpaku në letër) të kësaj qeverie gjë që mund të konfirmohet nga programi qeveritar.
Me formimin e qeverisë së RE u gëzuan shumë qytetarë mes tyre edhe ata shqiptarë sepse ishte zgjedhur edhe me 70 mijë vota të tyre. Ajo premtoi se do të ndërpresë çdo diskriminim dhe do të aplikojë norma dhe standarde europiane.
Në bazë të një analize të bërë pas tre vjet qeverisjeje dhe bisedave me disa ushtarakë shqiptarë del se gjendja në dikasterin e mbrojtjes jo vetëm që nuk ka shënuar përparim por ka kthim pas. Ministrja e Mbrojtjes Sheqerinska njëherit edhe Nënkryetare e qeverisë së RMV nuk e pa të arsyeshme që në solemnitetin e ngritjes së flamurit para Selisë së NATO-s të caktojë edhe një shqiptar pavarësisht prej kontributit të tyre vendimtar sidomos në referendumin e vitit 2018. Më tej vërehet se faqja e ministrisë në internet është e përkthyer në shqip vetëm pjesërisht edhe pse vendimet e qeverisë janë që afati i fundit për aplikimin e ligjit të gjuhëve të jetë 15 korriku 2019 kurse faqja e Armatës së Republikës së Maqedonisë së Veriut ende është vetëm maqedonisht dhe me emrin e vjetër. Gjithashtu, faqja e Akademsë ushtarake vetëm një perqindje e vogël është e përkthyer.
Më tutje vërejtëm se përfaqësimi adekuat për etnitë jo-maqedonase sipas Pasqyrës Strategjike të Mbrojtjes (PSM 2018) është 20% oficerë, 27% nënoficerë dhe 30% ushtarë profesionalë e ai përfaqësim duhet të jetë 35% (25% nga këta shqiptarë). Nga këta numra vërehet se proporcioni pozitë-përqindje është i zhdrejtë, dmth sa është pozita më e lartë numri është më i vogël. Sipas kësaj del se edhe kjo qeveri nuk po respekton Kushtetutën, Ligjin për mbrojtje, Ligjin për shërbim në armatë, Strategjinë e mbrojtjes 2010 si dhe prioritetet dhe qëllimet strategjike të vet qeverisë. Në bazë të njohurive tona mësuam se ministrja në fjalë po bën diskriminim sipas ligjeve të RMV, ja disa shembuj: nga 15 Këshilltarë shtetërorë vetëm dy janë shqiptarë, nga 16 udhëheqës sektori vetëm një është shqiptarë, nga 9 gjeneralët vetëm 1 ze vendin e shqiptarit. Ka dallime të mëdha edhe në përzgjedhjen për shkollime të larta (akademi të stafit dhe Kolegj lufte) sidomos kur bëhet fjalë për SHBA vetëm dy shqiptarë janë shkolluar nga më shumë se 60 të tillë deri tani.
Që kjo situatë të bëhet më e dukshme ndikon rasti i përzgjedhjes së Atasheut ushtarak të RMV, për Washington DC – SHBA, koloneli GP, i cili ka padi për diskriminim mes tjerash edhe për atë etnik dhe religjioz. Dekreti i përzgjedhjes mban nr.06-754/1 të 22 qershorit 2020.
Kuptuam se ka eprorë ushtarakë shqiptarë që nuk janë të avansuar në gradë edhe që prej 10 vjetësh. Ekspertë të njohur ushtarakë na thanë se ka mënyrë të shpejtë për zbutjen e mungesës së oficerëve dhe nënoficerëve shqiptarë por duhet vetëm vullnet politik.
Armata e RMV jep kontribut të madh në paqën ndërkombëtare në misionet paqësore të udhëhequra nga UN, NATO, SHBA dhe EU por për fat të keq edhe aty kemi diskriminim profesional dhe etnik.
Një informacion na thotë se sipas disa dokumenteve strategjike ministrja në fjalë planifikon që përfaqësimi adekuat dhe i drejtë për etnitë jomaqedonase të realizohet në vitin 2028 edhe atë me jo 35% po 25%. Ky është turp i paparë.
Burimet tona thonë se ka edhe diskriminime individuale të llojeve të ndryshme po atë do e lëmë për një shkrim tjetër me shpresë që strukturat udhëheqëse të RMV cilat do qofshin ata do ta kuptojnë realitetin multietnik të shtetit, të qenurit anëtarë i plotëfuqishëm i NATOs dhe rëndësinë e vazhdimit të sinqertë të negociatave për anëtarësim në BE dhe do të përkujdesen që gjithë qytetarët e RMV të trajtohen njësoj.

 

Comment

*