A është Boris Johnson shqiptar?!

Me rastin e prejardhjes së Borisit, mediat tona vazhdojnë të tregohen joprefesionale duke botuar lajme të paverifikuara dhe të pavërteta. Mediat tona nuk lodhen të kërkojnë mendimin e ekspertëve në lidhje me çështjet serioze. Dikush e ka lansuar, me siguri pa bërë asnjë analizë, se Ali Kemali, stërgjyshi i kryeministrit britanik, Boris Johnsonit, është shqiptar. Dhe, lajmi e mori dhenë për shkak se te shqiptarët ekziston një dëshirë e pashuar që të tregojnë se nga mesi i tyre dalin personalitete të mëdha. Lajmi ishte i bazuar në një vepër të Ryan Gingers ku thuhet se Ali Kemali është shqiptar. Po, është shqiptar por fjala këtu është për një Ali Kemal tjetër i cili ka qenë ushtarak (kapiten) e jo për stërgjyshin e Borisit i cili ishte gazetar, aktivist politikë dhe ministër i mbrojtjes në qeverinë otomane të udhëhequr nga Damat Ferid Pasha. Autori i veprës në fjalë (Ryan Gingers) në një komunikim me mikun tim gazetar dhe redaktor, Ruben Avxhiun, e ka vërtetuar këtë fakt.

Në Britani të Madhe nuk diskutohet prejardhja e Borisit pasi që ajo ka kohë që dihet. Ekzistojnë libra dhe artikuj të shumtë, përfshirë edhe programe dokumentare televizive, qe e kanë trajtuar këtë temë dhe askund nuk përmendet lidhja e Borisit me origjinën shqiptare pasi që ajo nuk ekziston. Por, dihet që stergjyshi i Borisit, Ali Kemali, ka qenë personalitet shumë i rëndësishëm dhe mik i shumë shqiptarëve. Duke qenë gazetarë, poet dhe politikanë, nuk ka patur se si të mos shoqërohej me shqiptarë pasi që ata kanë qenë të rëndësishëm në atë kohë. Lidhja shoqërore e Ali Kemalit është shënuar si e ngushtë me dy personalitete të rëndësishme shqiptare: Ismail bej Qemalin dhe Hasan Fehmi beun. Më poshtë mund të shihen këto lidhje gjatë një periudhe të rëndësisë fontamentale nëpër të cilën po kalonte Perandoria Otomane gjatë vitit 1909.

Demokracia parlamentare otomane nuk kishte bërë përvojë as tre mujore kur pakënaqësitë ndaj xhonturqëve në Stamboll u bënë publike dhe u rritën në mënyrë të madhe. Nga të gjitha nacionalitetet më të pakënaqurit ishin shqiptarët, të cilët tashti ishin bërë cak i politikës anti-shqiptare të xhonturqëve. Gjatë muajit mars u rrit fushata e shtypit kundër xhonturqëve. Një nga armiqtë e përbetuar të xhonturqëve u bë gazeta Serbesti. Kryeredaktori i kësaj gazete ishte një shqiptar që quhej Hasan Fehmi Beu, i cili u vra me 6 prill 1909 nga një officer xhonturk me porosi të udhëheqësve të kësaj oranizate. Fehmi Beu u vra në rrethana të ngjashme dhe me siguri për të njejtën arsye siç ishte vrarë edhe një shqiptar tjetër i rëndësishëm, i quajtur Ismail Mahir Pasha, i cili kishte shfaqur tendenca patriotike.

Më shumë se 5000 veta morën pjesë në varrimin e Fehmi Beut dhe shprehën hidhërim të madh kundër veprimeve të xhonturqëve që ishin drejtuar kundër lirisë së shtypit. Në mesin e kësaj mase nuk kishte vetëm shqiptarë por kishte shumë deputetë liberalë, klerikë myslimanë dhe një numër i madh i studentëve të teologjisë. Agjitacioni nuk përfundoi me funeralin por vazhdoi t’a manifestoj indinjatën kundër regjimit xhonturk. Shumë prej tyre kërkonin hakmarrje e cila gjë shërbeu si shkak për ngjarjet e ardhshme. Vrasja e Fehmi Beut mund të merret si pasojë e veprimit anti-shqiptar por popullata e gjërë në Stamboll, shumica konzervative dhe religjioze, e mori vdekjen e tij si shkas për të lansuar kundër-revolucionin.

Komiteti i xhonturqëve shprehu armiqësi të hapur edhe ndaj Ismail bej Qemalit dhe deputetëtve tjerë. Nga frika që kishte ndaj shqiptarëve, ky komitet e zhbëri Gardën Perandorake ku shërbenin shqiptarët dhe deklaroi se një vendim i tillë ishte marrë pasi që ekzistonin informatat se Garda po planifikonte vrasjen e Ahmed Rizës dhe përkrahësvë të tij. Në realitet komiteti i xhonturqëve këtë e bëri me qëllim që ta zhvishte sulltanin nga pushteti dhe t’a dobësonte influencën shqiptare në pallatin perandorak. Garda Perandorake ka qenë institucion shumë i rëndësishëm i shqiptarëve në Stamboll kështu që zhbërja e saj ishte goditje e rëndë për shqiptarët. Prandaj, ky veprim kontribuoi si shkak shtesë që shqiptarët t’i bashkoheshin lëvizjes kundër-revolucionare e cila kishte filluar të vepronte.

Me 13 prill 1909 një njësit i ushtarëve shqiptarë, me siguri duke vepruar nën kërkesën e Ismail bej Qemalit, e zaptoi ndërtesën e parlamentit. Një grup i deputetëve, i dominuar nga Ahrari (liberalët) dhe eksponentët religjiozë, që poashtu u njoh me emrin grupi kundër-revolucionar, u mblodhën në parlament dhe, të udhëhequr nga Ismail beu, praqitën kërkesen që parmbante gjashtë pika. Pika e parë dhe e katërt përmbanin kërkesën esenciale: 3. Ahmed Riza, Kryetari i Parlamentit, duhej të shkakrkohej dhe të zëvendësohej nga Ismail beu; 4. Të largohen nga Stambolli anëtarët udhëheqës të Komitetit të xhonturqëve.

Por, xhonturqit u kthyen në pushtet dhe sërish të ndihmuar nga shqiptarët, sidomos nga dy ushtarakët e njohur, Nijazi beu dhe Enver beu, të cilët mobilizuan forca të mëdha të shqiptarëve dhe së bashku me ushtrinë otomane marshuan në Stamboll. Xhonturqit e kërkonin kokën e Ismail bej Qemalit pasi që e shihnin si njërin ndër organizatorët kryesor të kundër revolucionit. Në këtë rast Ismail Qemali veproi siç kishte vepruar edhe më herët: kërkoi ndihmë nga ambasada britanike. Britanikët, së bashku me dinastinë shqiptare Khedive të Egjiptit, i dolën në ndihmë Ismail beut i cili, nga Stambolli, në mënyrë sekrete u evakua i fshehur në një anije që lundronte nën flamurin britanik. Por, Ismail bej Qemali u kthy sërish në Stamboll kur u qetësua situata dhe kur u mor vesh se xhonturqit nuk do të kishin mundësi të vepronin kundër tij.

Në të gjitha këto situata, së bashku me shqiptarët, ka qenë i përfshirë edhe Ali Kemali, stërgjyshi i Boris Johnsonit, kryeminstrit britanik. Ali Kemali, pasi që ishte gazetar dhe një kohë edhe kryeredaktor i gazetës İkdam, ishte edhe mik i Hasan Fehmi beut. İkdam dhe Serbestî që udhëheqnin Hasan Fehmi beu dhe Ali Kemali, duke zbatuar pikëpamje liberale, ishin në armiqësi me gazetën Tanin e cila ishte organ i xhonturqëve.

Ali Kemali, pasi që ishte liberal ishte mik edhe me Ismail bej Qemalin, i cili ishte edhe prijës i liberalëve në parlamentin otoman. Në fakt, ishte Ali Kemali që e kishte lajmëruar Hasan Fehmi beun se ndaj tij ishte përgatitur vrasja nga një grup i oficerëve fanatik në Selanik. Por, Hasan Fehmi beu ose e kishte injoruar paralajmërimin e mikut të tij ose nuk kishte patur mundësi të ndërmerrte masa mbrojtëse. Madje, Ali Kemali e kishte lajmëruar edhe Ismail bej Qemalin për planet që ishin përgatitur kundër jetës së tij dhe kjo ishte arsyeja që Ismail beu u largua nga Stambolli.

Siç shihet, Ali Kemali ka vepruar ngushtë me grupin e shqiptarëve në Stamboll por askush, e as ai vet, kurrë nuk ka thënë se është shqiptar apo ka prejardhje shqiptare. Nuk ka as shënime tjera kredibile që do të flitnin në favor të prerjardhjes shqiptare. Ajo që dihet është se Ali Kemali ka qenë dhëndërr i Zeki Pashës dhe nga ky fakt i stabilizuar shumë mirë ekonomikisht. Sot, shtëpia që Zeki Pasha e kishte ndërtuar për vete, dhe në të cilën jetoi Ali Kemali, kushton dikund rreth 100 milionë dollarë.

Pra, përgjegjja e shkurtër në pyetjen që u parashtrua në titullin e këtij postimi është: JO, Boris Johnson nuk është shqiptar e as që ka origjinë të afërt apo të largët shqiptare.

Sikur Ali Kemali të ishte shqiptarë nuk do ta fshihte prejardhjen për shkak se në atë kohë ka qenë në modë të ishe shqiptarë e cila gjë nënkuptonte edhe të qenurit superior. Dhe, sikur Ali Kemali, një intelektual i madh, të ishte shqiptar, do të vepronte në mesin e patriotëve shqiptarë në Stamboll por ai ka qenë liberal otoman i flaktë dhe anti-xhonturk.

Prandaj, Boris Johnson nuk është shqiptar por është një britanik konzervativ i cili e ka marrë me hygjym punën e nxjerrjes se Britanisë së Madhe nga Unioni Evropian.

Comment

*