A është ky kryediplomati amerikan në administratën e Bidenit?

Frank Shkreli

Portali i lajmeve “The Hill“, me burime të besueshme në Kongresin e Shteteve të Bashkuara dhe në qeverinë amerikane në Washington, njofton se Presidenti i zgjedhur Xho Bajdën e ka emëruar tashmë Sekretarin Amerikan të Shtetit, ndërkohë që vazhdon përpjekjet për të përzgjedhur anëtarët tjerë të administratës së tij të ardhshme.

Sipas portalit në fjalë, i cili citon një burim të mirë informuar me procesin e përzgjedhjes së kabinetit të ri, z. Xho Bajdën ka vendosur të emërojë diplomatin veteran dhe bashkëpuntorin e tij të ngushtë, z. Tony Blinken, në detyrën e Kryediplomatit të ardhshëm të Shteteve të Bashkuara.  Sipas burimit në fjalë, pritet që z. Bajdën të njoftojë javën që vjen zyrtarisht të preferuarin e tij për Sekretar Amerikan të Shtetit.

Disa burime të tjera thonë se z. Bajdën po e konsideron ish-diplomatin Tony Blinken edhe për detyrën e Këshilltarit të Sigurisë Kombëtare, por duket se të gjitha shënjat tregojnë se kryediplomati i ardhshëm amerikan do të jetë z. Blinken, një zyrtar që gëzon respekt nga të dy palët në Kongres, duke pasur gjithashtu parasysh se zyrtarët e lartë të administratës së ardhshme duhet të miratohen nga Senati, i cili mund të kontrollohet nga republikanët katër vitet e ardhshme, diçka që do të vendoset përfundimisht me zgjedhjet për Senat që do të zhvillohen në shtetin e Xhorxhias, në janar 2021.

Kush është Tony Blinkey?

Sipas biografisë zyrtare, botuar në faqën e Departamentit Amerikan të Shtetit,  kur ishte në detyrë, në mandatin e dytë të ish-presidentit Barak Obama, z. Antony J. Blinken ka shërbyer si Zevëndës Sekretar i Shtetit, numri dy i diplomacisë amerikane, si zevëndës i z. Xhon Kerry. Blinken, Antony J. (state.gov).

Z. Blinken ka mbajtur pozicione të larta të politikës së jashtme në dy administrata, për dy dekada. Ai ka shërbyer si Ndihmës i Presidentit dhe Zëvendës i Këshilltarit të Sigurisë Kombëtare në Shtëpinë e Bardhë. Në atë kapacite, ai e ka kryesuar Komisionin Ndërqeveritar të Kongresistëve, forum kryesor ky i administratës për formulimin e politikës së jashtme. Gjatë mandatit të parë të Administratës Obama, ai ishte Zëvendës Ndihmës i Presidentit dhe Këshilltar i Sigurisë Kombëtare i Zëvendës Presidentit Xho Bajdën. Z. Blinken ka shërbyer për gjashtë vjet si zyrtar i lartë administrativ në Kongres (2002 – 2008) si Drejtor i Personelit demokrat për Komisionin e Marrëdhënieve me Jashtë të Senatit Amerikan.

Z. Blinken ka qenë gjithashtu anëtar i stafit të Këshillit të Sigurisë Kombëtare të Presidentit Clinton në Shtëpinë e Bardhë, nga 1994-2001. Nga 1999 deri më 2001 ai ishte ndihmës i posaçëm i presidentit dhe drejtor i lartë për çështjet evropiane – Këshilltari kryesor i Presidentit Klinton për marrëdhëniet me vendet e Evropës, me Bashkimin Evropian dhe me NATO-n.

Nga viti 1994 deri në vitin 1998, z. Blinken ishte Ndihmës i posaçëm i Presidentit Klinton dhe Drejtor i Lartë i zyrës që merrej me përpilimin e fjalimeve me rëndësi të presidentit mbi politikën e jashtme dhe më pas ka shërbyer edhe si Drejtor i Planifikimit Strategjik: si mbikqyrës i përpilimit të politikës së jashtme, komunikimeve dhe politikës së jashtme në përgjithësi të Presidentit Klinton.

Z. Blinken ka filluar shërbimin e tij në diplomaci në Departamentin e Shtetit. Nga viti 1993 në 1994, ai ka shërbyer si Ndihmës i posaçëm i Sekretarit të Shtetit për Çështje të Evropës dhe Kanadasë. Pas largimit nga Administrata e Klintonit, ai ka punuar si zyrtar i Lartë në Qendrën për Studime Strategjike dhe Ndërkombëtare, një qendër me rëndësi për studimesh botërore në Washington. Para se t’i bashkohej Administratës së Presidentit Klinton, z. Blinken e ushtronte profesionin e avokatit, në New York dhe në Paris. Ai ka qenë aktiv edhe në fushën e gazetarisë, duke shërbyer si korrespondent i revistës “The New Republic” dhe ka botuar artikuj me subjekt politikën e jashtme, përfshirë “New York Times”, “The New York Times Magazine”, “Foreign Affairs”, e të tjera. Ai është diplomuar në Harvard College, Magna cum Laude dhe ka kryer jurisprudencën në Universitetin Columbia.

Gjatë fushatës zgjedhore, z. Tony Blinken ishte zëdhënësi kryesor i Presidentit të zgjedhur Bajdën për politikë të jashtme. Është e qartë se në cilëndo detyrë të lartë të politikës së jashtme ose të sigurisë kombëtare –  si Sekretar i Amerikan i Shtetit ose si Këshilltar i Sigurisë Kombëtare në Shtëpinë e Bardhë –  që do ta emërojë Xho Bajdën, Tony Blinken e ka përvojën e nevojshme dhe duket se do ta ketë edhe mbështetjen e emërimit të tij në detyrën e kryediplomatit amerikan edhe nga Senati, që mund të jetë në dorë të republikanëve, sesionin e ardhëshëm të Kongresit amerikan.

Përsa i përket njohurive të z. Blinken për Shqipërinë, Kosovën dhe Ballkanin, ai duhet të jetë i informuar shumë mirë për gjendjen në dy shtetet shqiptare dhe në Ballkanin Perëndimor, në përgjithësi. Mjafton t’i hedhim një shikim të shpejtë karrjerës së tij në Washington, gjatë dy administrave të mëparshme dhe detyrave tjera të rëndësishme të tij, brenda dhe jashtë qeverisë: Të gjitha detyrat e tij të larta kanë qenë të lidhura ngushtë me politikën e jashtme të Shteteve të  Bashkuara, duke pasur në fokus të veçantë politikën amerikane karshi Evropës dhe NATO-s gjatë dekadave të fundit.

Gjithashtu, është interesant fakti se gjatë viteve 1990 – periudhës më  kritike të politikës së angazhimit amerikan për Kosovën dhe shqiptarët në përgjithësi – Tony Blinken ishte pjesë e stafit të Presidentit Klinton në Shtëpinë e Bardhë, gjatë njlë periudhe që u morën vendime me rëndësi, sidomos për Kosovën.  Emërimi i z. Blinken në cilëndo detyrë qoftë është një ogur i mirë për politikën e ardhshme amerikane ndaj Kosovës dhe Shqipërisë, për vetë faktin se ai ka punuar për Zevendës Presidentin Xho Bajdën si këshilltar i sigurisë kombëtare, kur ky ishte numri dy i këtij vendi, ndërkohë që dy vitet e fundit ka shërbyer si zëdhënës numër një i politikës së jashtme gjatë fushatës së z. Bajdën për president.

Në një intervistë tő dhënë para disa kohe, z. Blinken e përmblodhi rolin e Shteteve të Bashkuara në botë në administratën e z, Bajdënme tri fjalë: Rivendosja e “rolit udhëheqës” të Amerikës në botë, “bashkëpunim dhe demokraci”.

Z. Xho Bajdën, kur ishte senator por edhe më vonë, ishte njëri prej mbëshetësve politikë amerikanë më të vendosur të Kosovës, Shqipërisë dhe të drejtave të shqiptarëve në Ballkanin Perëndimor. Kështu që, në cilëndo detyrë të politikës së jashtme që të emërohet nga Presidenti i zgjedhur, z. Blinken – qoftë si kryediplomat ose si Këshilltar i Presidentit për Sigurinë Kombëtare në Shtëpinë e Bardhë – për shqiptarët është një gjë tepër pozitive sepse z. Tony Blinken është një person i mire-informuar për gjjendjen në Shqipëri e në Kosovë, si dhe për gjithë shqiptarët në Ballkanin Perëndimor, ashtu siç është i mirë-informuar edhe bosi i tij i ardhshëm, Presidenti i zgjedhur Xho Bajdën.

Kur të vijë puna tek çështjet shqiptare, nuk besoj se as njëri e as tjetri të kenë nevojë të kërkojnë nga stafi i tyre dosje të posaçme mbi ndonjë problem. . Joe Biden supporting Albanians early time – YouTube

Antony J. Blinken, i besuar i Presidentit të zgjedhur Xho Bajdën. Burime të afërta me ekipin e Bidenit e shohin si Sekretar të Shtetit ose si Këshilltar për Sigurinë Kombëtare në administratën e ardhshme amerikane

Comment

*