“A mundem me ardhë me vdekë në vendin tim?”

(Episod i panjohur-marre nga doreshkrimi i librit te ri “Bota me nje sy” -rrëfen motra e Pal Melyshit)

 

U mendova gjatë atë natë. Pas 45 vjetësh i arratisur, i vdekur për të gjithë ne, babai yne qe ngjallur përsëri.
“U bana 90 vjeç. A mundëm me ardhë me vdekë në vendin tim? Baba juaj, Nikolla”. Ai telegram nga Amerika kishte mbushur minutat, orët, ditët dhe netët .
Të nesërmen vendosa të shkoj në Presidiumin e Kuvendit Popullor, në degën e ligjeve, kryetare e së cilës ishte Liri Gjoliku, mikesha ime. Me vete mora edhe djalin, Kastriotin. I kerkova Lirisë të nxirrte listën e emigrantëve politikë, që s’kishin të drejtë të ktheheshin në Shqipëri. Ajo më vështroi me vëmendje dhe më pyeti:
-Ç’kërkon të dish Marie?
I kërkova të gjente emrin e babait tonë, e të më thosh nëse ai do të ekzekutohej ose jo, po qe se kthehej në atdhe.
Ajo hapi listat , gjeti emrin e babait e tha:
-Jo, nuk ekzekutohet.
U qetësova. Nxorra kopjen e telegramit të babait dhe i a dhashë ta lexonte. Gjithesesi, ajo me porositi se duhet të kisha kujdes, edhe pse babai ynë figuronte në listën e të falurve pasi nuk kishte bërë krime. Lirisë i mora numrin e dekretit të faljes, datën dhe shkova në postë për t‘i dhënë babait përgjigjen e vonuar.
“Babë, je i falur me dekret të Presidiumit të Kuvendit Popullor. Eja kur të duash në Shqipëri. Më njofto mbërritjen në Rinas. Maria”.
Pas disa ditësh ra zilja e telefonit nga Roma. Një zë shqiptari më pyeti:
-Maria, je?
-Po.
-Të flas nga ambasada jonë në Romë. A erdhi Nikolla?
-Jo, s’më ka njoftuar njeri.
-Do të ketë mbetur në Rinas, – tha shqiptari.

Nikoll Melyshi, babai i Pal Melyshit, oficer i karieres ne kohen e Zogut, nacionalist dhe antikomunist i betuar. Partizan i luftes per clirim, i arratisur nga vendi ne 1945,pasi u njoftua nga miqte e afert qe po pergatitej arrestimi i tij. Nuk kishte me as shtepi, se ia dogjen shoket e luftes, dhe atdheu i ofronte burgun. Gabime
te kohes, apo parime te pushtetit te ri komunist?

Lajmet që nga Rinasi u përhapën se në Tiranë ka ardhur nga Amerika babai i Pal Melyshit-Heroit te Popullit. Organeve të Puneve te brendëshme u hynë ethet. Hekuran Isaj, ministri i brendshem qysh të nesërmen e asaj dite më thirri në zyre mua dhe tim vella, Lekën. Na priti rreth një tavoline të madhe, në distancë, si për të më gjykuar që kisha bërë krim që kisha ftuar babane tim në shtëpinë time.
-Mirë me mua që po merreni, po me Lekën , ç’keni?- i thashë. Tim vella e kishin pushuar nga puna ate ditë.
-Me ty e kemi,-tha ai- Ky është një guxim i marrë që ke bërë ti shoqja Marie. Ne do të mbajmë qëndrim. Ai na e ka hedhur. Ambasadori ynë në Romë do të përgjigjet për këtë, etj, etj. paralajmërime e kërcënime si këto.
-Për ardhjen e babait tim në Shqipëri, nuk ka pse të mbajë askush përgjegjsi veç meje, thashë unë,- ju e keni fare kollaj: Shikoni ligjin në presidium, shikoni edhe shkëmbimin e telegrameve se ç’thonë dhe e gjeni që fajtore jam vetëm unë. Pastaj, s’është problem. E përzini babanë 90 vjeçar dhe unë vetë shkoj përsëri në internim.
U ngritëm dhe dolëm nga zyra e ministrit të brendshëm.
Një aktiviste që kishim në lagjen tone, më ndali kur po hyja në shtëpi.
-Dale, Marie, se do të them diçka.
-Çfarë… se po më dhimb koka. Vërtet po më dilte tym nga koka. Mu kujtua episodi i hershëm kur i premtova nanës se do të lidheshim me Palin. Ishim në internim dhe Lekën e kishim të sëmurë. S’kishim as për të blerë bukë e jo më ilaçe. Bëmë një përpjekje të dëshpëruar me mendjen time dhe na u duk se ramë në humnerë. Edhe tani përsëri me inisiativën time po helmoheshim.
-Ta dish se pallati ku banon ti, është me roje qosh më qosh.
M’u kujtua rrethimi i Kullës sonë, ne vitin 1945,atë natë që kishin vendosur të na internonin.

Ate 5 Maj ne familjen e heroit vizitat rane. Askush nuk erdhi nga udheheqja e vendit,sic qe bere zakon. Askush as nga te medhenjte e lagjes.

Comment

*