A ndikon moti i ngrohtë në koronavirus?

Dr. Pashko Camaj

Shkruan: Dr. Pashko R. Camaj, Doktor i Shkencave të Shëndetit Publik **

 

Kjo javë shënoi katër muaj nga fillimi i përhapjes së pandemisë Covid-19 në Shtetet e Bashkuara. Ndërsa rajonet e goditura fillimisht, siç janë shtetet verilindore te vendit, janë në mes të rikthimit në njëfarë normaliteti, rritja e numrit të rasteve të reja në shtetet jugore dhe jugperëndimore, është një kujtesë që Covid-19 paraqet kërcënim te vazhduashëm për shëndetin tonë. Ndërsa ngritja e fundit është për shkak të një kombinimi të faktorëve që përfshijnë transmetimin më të lehtë të viruseve dhe ngritjen ne testime, shpresohej se kushtet e verës mund të ndihmojnë në ngadalsimin e transmetimit të koronavirusit. Studimet kanë treguar se rrezet e diellit mund të çaktivizojnë virusin në sipërfaqe dhe në ajër, pasi virusi dobësohet shumë më shpejt në temperatura të ngrohta sesa në temperaturat e ftohta. Viruse të tjerë, përfshirë ketu dhe llojet e koronavirusëve, që kanë qarkulluar në botë më pare, kanë tendencë të kulmojnë në muajt më të ftohtë dhe të zbuten në muajt e verës, sikurse është rasti me viruse që shkaktojnë ftohje apo grip të zakonshëm sezonal. Behet pyetja, pse po shohim që numrat janë në rritje, sidomos në rajone të ngrohta (Arizona, Florida, Texas, California, etj.)?

Këtu, po jap disa shpjegime të mundshme. Bazuar në studimet paraprake, janë tre arsye kryesore për rritjen e numrave. Ato kanë të bëjnë me nivelet e ulëta aktuale të imunitetit të popullatës, lehtësinë e transmetimit te ketij virusi dhe ma ne fund, sjelljen tonë.

 

Së pari, imuniteti ndaj Covid-19 në popullatë është akoma jashtëzakonisht i ulët, duke i dhënë viruseve mundësinë e përhapjes. Sipas vleresimëve, vetëm  rreth 10-15 përqind e popullsisë amerikane është konfirmuar pozitive për Covid-19.  Për shkak të të dhënave të kufizuara të disponueshme për këtë virus, pra Covid-19, studiuesit u bazuan ne modele me viruse që kan qarkulluar më parë, duke përfshirë dy koronaviruse që dihen se shkaktojnë ftohje të zakonshme. Studiuesit zbuluan se ndryshimet sezonale në klimë u bënë një faktor i rëndësishëm në kufizimin e përhapjes së viruseve vetëm pasi një pjesë e madhe e popullsisë ishte imune ndaj virusit. Duket se, të paktën tani, mungesa e imunitetit të popullatës tejkalon çdo efekt që një klimë e ngrohtë perndryshe mund të ketë në infeksionet virale.

 

Së dyti, studimet kanë treguar që rrezet e diellit dhe nxehtësia mund të çaktivizojnë virusin në sipërfaqet e kontaminuara relativisht shpejt. Sidoqoftë, kemi mësuar se mënyra kryesore e transmetimit për Covid-19 nuk është përmes prekjes së sipërfaqeve të ndotura. Përkundrazi, piklat qe dalin kur dikush kollitet, teshtin apo madje dhe flet, është mënyra kryesore e transmetimit. Për të shtuar shqetësimet, disa studime kanë sugjeruar që koronavirusi gjithashtu mund të transmetohet përmes aerosoleve, ose piklave të minuskulave që qendrojnë në ajër më gjatë se pikat e mëdha. Ky lloj transmetimi ka mundësi të ndodhë në hapësira të brendshme të ajrosur dobët që në përgjithësi nuk marrin shumë dritë dielli.

 

E treta dhe më e rëndësishmja, kur bëhet fjalë për këtë virus, sjellja njerëzore. Ajo zëvendëson faktorët e mëparshme. Virusi ka tendencë të përhapet më së miri gjatë kontaktëve të afërta, person-me-person për periudha të zgjatura, veçanërisht në hapësira të mbushura me njerëz dhe zona me ajër të dobët dhe në vendet ku njerëzit flasin me zë të lartë, duke bërtitur, apo edhe duke kënduar. Një gjë që ne priremi të bëjmë gjatë motit të nxehtë është të futemi brenda hapësirave me ajër të kondicionuar dhe të ftohur, duke e bërë atë shumë më të lehtë për përhapjen e virusit.

Pra, ndërsa ne nuk mund të kontrollojmë dy faktorët e parë, për të kufizuar transmetimin, duhet të përpiqemi të shmangim kalimin e periudhave të zgjatura kohore në vende të tilla. Nëse kemi nevojë për të hyrë në këto vende, perdorimi i mbulesave të fytyrës dhe maskave; mbajtja e një distancë të mirë, dhe praktikimi i higjenës së duarve janë akoma mënyra efektive për të mbrojtur nga infeksionet. Mbi te gjitha, distanca fizike do të mbetet arma jonë më e mirë gjatë verës, për të ngadalësuar ose parandaluar përhapjen e Covid-19. Pra, vazhdoni me mbulesat e fytyres ose maskat dhe nëse është e mundur, mbani distance 2 ose më shumë metra!

 

** Nënkryetari i Federatës Pan-Shqiptare të Amerikës -VATRA

 

Comment

*