AAK: Haradinaj i ka 61 vota për ta bërë Qeverinë

Prishtinë, 17 korrik 2017 – Kandidati i koalicionit PDK-AAK-Nisma për kryeministër, Ramush Haradinaj, tashmë i ka siguruar votat e 61 deputetëve për ta formuar qeverinë.

Kështu kanë thënë burime të “Republika24” brenda AAK-së.

Sipas të njëjtave burime, seanca konstituive e Kuvendit do të mbahet këtë javë, dhe menjëherë pas konstituimit do të mbahet një seancë ku do të votohet qeveria e re.

Haradinaj vazhdimisht ka thënë se i ka numrat e mjaftueshëm të votave për ta krijuar qeverinë. Analistët dhe rivalët politikë kanë qëndrim kritik ndaj një qeveria me një shumicë të thjeshtë. Siupas tyre, një qeverie me kaq pak vota dhe me votat e deputetëve të Listës Serbe do të jetë shumë e brishtë dhe do të kushtëzohet vazhdimisht nga deputetët serbë.

Por, burime brenda AAK-së thonë se pas formimit të qeverisë, Haradinaj do të bëjë përpjekje ta fitojë mbështetjen e së paku 4-5 deputetëve të tjerë. Sipas tyre, Haradinaj llogarit në deputetët e AKR-së, e cila është pjesë e koalicionit me LDK-në de alternativën.

“Do të diskutojmë pastaj me deputetët e AKR-së. Z. Pacolli më herët e ka përkrahur Haradinajn për kryeministër. Besojmë se do ta kemi mbështetjen e tij, pasi të krijohet qeveria”, ka thënë një burim brenda AAK-së.

Edhe diplomatët e huaj në Kosovë mendojnë se Kosovës i duhet një qeveri e fortë dhe stabile, pasi ajo do të duhet të marrë vendime të rëndësishme për të ardhmen e vendit. (r.m.)

Comment

*