AAK-ja e kandidon Arbër Vllahiun për kryetar të Prishtinës

Prishtinë, 12 gusht 2017 – Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) e ka kandiduar Arbër Vllahiun për kryetar të Prishtinës në zgjedhjet që do të mbahen më 22 tetor, raporton Koha.net.

Ish-këshilltari i ish-presidentes Atifete Jahjaga është prezantuar si kandidat për Prishtinën në konferencën e sotme për media të AAK-së.

Lideri i AAK-së, Ramush Haradinaj, në prezantimin e Vllahiut, ka thënë se qytetarët e kryeqytetit do ta gjejnë veten në kandidatin e partisë së tij.

“Nominojmë sot Arbër Vllahiun për kryetar të Prishtinës. Arbri unifikon veten, vlerat për të udhëhequr, të një mendimtari që mendimet e tij mund t’i kthejë në plan, ka vlera intelektuale, të cilat janë të nevojshme dhe besoj se çdo qytetar i Prishtinës me Arbrin do ta gjente veten”, ka thënë Haradinaj.

“Nuk kemi dhënë ndonjë presion të madh për qëllime të caktuar në kryeqytet, por kemi qenë në shërbim të qytetarëve”, ka shtuar ai.

Në prezantimin e tij si kandidat, Vllahiu ka thënë se besimin për kandidat të kryeqytetit do të mundohet ta kthejë në një Prishtinë më ndryshe.

“Unë besoj në Prishtinën që do ta bëjmë së bashku, besoj në Prishtinën më ndryshe. Besimin tonë, bashkë do ta kthejmë për një Prishtinë më ndryshe. Ka ardhur koha që bashkë ta ndryshojmë të ardhmen e këtij qyteti”, ka thënë veç të tjerash Vllahiu.

Kandidaturën për kryetar të Prishtinës deri më tani e ka konfirmuar vetëm kryetari aktual, Shpend Ahmeti i Lëvizjes Vetëvendosje.

Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) dhe Partia Demokratike e Kosovës (PDK) nuk i kanë nominuar ende kandidatët e tyre për kryetar të Prishtinës.

Deputetja e LDK-së, Hikmete Bajrami, ka deklaruar të premten se kjo parti e do ta kegë një kandidat të fortë në garë për kryetar të Prishtinës. Por, ajo nuk ka përmendur asnjë emër.

Ndërkaq, si kandidat i PDK-së për të parin e kryeqytetit është përmendur Lirak Çelaj. (r.m.)

Comment

*