AAK thotë se do të jetë opozitë kritike dhe e zëshme

Prishtinë, 8 nëntor 2019 – Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) e cila doli partia e katërt në zgjedhjet e parakohshme parlamentare të 6 tetorit, paralajmëroi se ajo do të jetë opozitë e zëshme dhe kritike ndaj qeverisë së re të Kosovës.

Këtë paralajmërim, të cilin e ka bërë disa herë, kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj, aktualisht kryeministër në detyrë, e ka përsëritur edhe Rasim Selmanaj, i cili do të jetë deputet i Kuvendit të Kosovës edhe në përbërjen e ardhshme.

“Do të mundohemi të jemi pjesë aktive dhe do ta kritikojmë qeverinë e re aty ku ka gabime, por  në të njëjtën kohë edhe ndaj të gjitha iniciativave të tyre dhe premtimeve të tyre. Pavarësisht se jemi opozitë, ne do të jemi kritikë dhe do t’i përcjellim saktë nëse ato po realizohen në formën e premtuar”, ka thënë Selmanaj për gazetën “Zëri”.

Selmanaj është pyetur për gjasat që edhe AAK-ja të jetë pjesë e qeverisë së re.

“Rezultati i zgjedhjeve u pa sot edhe zyrtarisht si është. Ne jemi në opozitë dhe mundësinë që të jemi pjesë e qeverisë së re nuk e kemi diskutuar, mirëpo aktualisht rezultati i zgjedhjeve tregon se ne jemi opozitë”, është shprehur ai. (r.m.)

Comment

*