Abazaj, profesionisti që nuk “fiket” nga kontrata e re

Nuk është rastësi ecuria e Kristal Abazajt, jo vetëm në kampionat por edhe në karrierën e tij. Futbollisti me origjinë nga Tropoja po vendos një ecuri rekord në karrierën e tij, ashtu siç ka vendosur rekord edhe në transferimet e merkatos. “Ylli” i Luftëtarit brenda një sezoni ka bërë dy lëvizje, në janar drejt Skënderbeut, ndërsa vetëm pak ditë më parë erdhi firma me Anderlechtin në Belgjikë.
Por ajo që befason më shumë është sjellja si një profesionist i vërtetë i Kristalit, pasi në një moment të tillë kushdo në moshën e tij do të kishte “fluturuar”, thënë ndryshe, nuk do të impenjohej edhe aq shumë me skuadrën aktuale. Madje në janar u përfol shumë se pas firmës me Skënderbeun Abazaj nuk do të ishte më i njëjti, por “Tali”, siç e thërrasin miqtë e tij, tregoi të kundërtën. Performancë në rritje, madje duke vijuar me dy gola që në sfidën hapëse të 2018-ës pikërisht ndaj asaj që do të ishte skuadra e tij e ardhshme, Skënderbeut. Me ato dy realizime 21-vjeçari largoi aludimet rreth paraqitjes së tij të ardhshme, duke i dhënë një marsh më shumë Luftëtarit, që nga mbijetesa synon Europën.
Historia përsëritet pas dy muajsh, Abazaj udhëton në Belgjikë, firmos një superkontratë me Anderlechtin, luan në Shkodër me vetëm dy ditë stërvitje me skuadrën dhe në një tjetër paraqitje madhështore shënon golin e parë në fitoren 0-2. Nëse ndokush kishte dyshime se numri 7 i bluzinjve kishte nisur pushimet, përgjigjja erdhi në fushë, me Kristalin që premton se deri në fund do të bëjë maksimumin për të ndihmuar skuadrën të arrijë zonën europiane dhe më pas të largohet i qetë në destinacionin e tij të ri. Si një profesionist i vërtetë.SuperSport

Comment

*