Abdixhiku kërkon shkarkimin e ministrit Nenad Rikallo

Prishtinë, 14 shtator 2017 – Deputeti i LDK-së në Kuvendin e Kosovës, Lumir Abdixhiku, ka kërkuar shkarkimin e ministrit të Bujqësisë, Nenad Rikallo.

Kërkesa e tij vjen pas dëshmive publike të fqinjëve të tij të dikurshëm se, në kohën e luftës në Kosovë, Rikallo i ka keqtrajtuar buralisht shqiptarët.

“Shkarkimi i tij është domosdoshmëri. Pazaret e Lista Srpskas s’mund të mundin dinjitetin e viktimave shqiptare”, ka shkruar Abdixhiku, në një postim në Facebook.

Ai i ka bërë thiorrje Prokurorisë së Kosovës që t’i trajtojë pa vonesë pretendimet e dëshmitarëve të akteve kriminale të Rikallos.

Kohavizion transmetoi të mërkurën dëshmi të shqiptarëve që e kishin fqinj familjen Rikallo, në lagjen “Dardania”, në Prishtinë. Ata treguan se ministri aktual, Nenad Rikallo, ka qenë pjesëtar i formacionit paramilitar serb “Beretat e Kuqe” dhe kanë treguar disa raste të keqtrajtimit brutal të shqiptarëve.

Postimi i plotë i deputetit Abdixhiku:

 

Po të kishte Prokurori ky shtet, dëshmitë rrëqethëse për torturat e Nenad Rikallos – pjesëtar i Beretave të Kuqe gjatë luftës në Kosovë – do të trajtoheshin qysh sot në mëngjes.

Po të kishte Qeveri ky shtet, një paramilitar me histori torturuese si kjo, as që do të ishte pjesë e kabinetit të Republikës. Shkarkimi i tij është domosdoshmëri. Pazaret e Lista Srpskas s’mund të mundin dinjitetin e viktimave shqiptare.

Janë me dhjetëra qytetarë e dëshmitarë që pretendojnë keqtrajtim brutal të civilëve shqiptarë. Pretendimet e tyre s’kanë për të kaluar në heshtje. Do të bëjmë gjithçka, në Parlament e jashtë tij, për të marrë përgjigjet e duhura. Ftoj Prokurorinë e Kosovës të trajtojë pa vonesë pretendimet në fjalë.

(r.m.)

Comment

*