Abdixhiku: Qeveria Haradinaj – e padijshme dhe e rrezikshme

Prishtinë, 1 gusht 2018 – Deputeti i LDK-së, Lumir Abdixhiku e ka konsideruar Qeverinë Haradinaj, të padijshme dhe të rrezikshme.

Ai ka përmendur edhe raportet e punës së zëvendësministrave të Qeverisë duke iu referuar disa prej tyre.

“Nga raporti i 3 zëvendësministrave, në cilësinë e zv/ministrit kam dërguar një email, në cilësinë e zv/ministrit kam vizituar një restaurant, në cilësinë e zv/ministrit kam takuar ministrin”, ka shkruar Abdixhiku në Facebook.

Abdixhiku e ka quajtur Qeverinë Haradinaj si Qeveri e “punëve të mëdha”.

“100 zëvendësministra. Më shumë se qeveritë e Gjermanisë, Francës, Anglisë e Italisë bashkë. 3 milionë euro shpenzime në vjet. Të padijshëm dhe të rrezikshëm”, ka shkruar Abdixhiku.

KALLXO.com ditëve të fundit ka publikuar shkrime nga raportet e punës së zëvendësministrave të qeverisë Haradinaj.

Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj në një konferencë për shtyp dje ka thënë se nuk i ka lexuar raportet e punës së zëvendësministrave. Madje, ai nuk ishte i gatshëm të flas se cili ka qenë kontributi dhe angazhimi i vartësve të tij gjatë këtij mandati.

“E kam një grup që i ka trajtu këto raporte. Se sa është kontributi i angazhimit të tyre nuk jam i përgatitur me than saktë, por është një grup që i ka lexu këto raporte”, ka thënë Haradinaj.

/Kallxo.com/

Comment

*